Menaxhim

Meta, kompania e Facebook nuk planifikon të largohet nga Europa

Gazeta Si – Meta ka thënë se nuk planifikon të tërheqë shërbimet nga Europa. Kjo mundësi është diskutuar pas mospajtimeve për transferim të të dhënave europiane në Shtetet e Bashkuara.

Të dhënat janë kyçe për reklamim të bizneseve, të cilat gjenerojnë gati të gjitha miliarda dollarët e kompanisë.

“Ne absolutisht nuk kemi dëshirë dhe as plane për t’u tërhequr nga Europa, mirëpo realiteti i thjeshtë është se Meta, dhe disa biznese tjera, organizata dhe shërbime, varen nga transferimi i të dhënave në mes të Bashkimit Europian dhe Shteteve të Bashkuara, në mënyrë që të funksionojnë shërbimet globale”, ka thënë kompania përmes një deklarate.

Marrëveshja për të dhënat në internet, “Mburoja e Privatësisë” mes Europës dhe SHBA-së, është shfuqizuar në korrik të vitit 2020 me një vendim të gjyqësorit të BE-së, që ka përballur kompanitë e mëdha teknologjike me pasiguri të madhe.

Meta ka thënë se u është drejtuar edhe rregullatorëve të tregjeve amerikane, duke thënë se baza që përdor për transferim të të dhënave po rrezikohet ligjërisht.

“Nëse nuk miratohet një kornizë transatlantike për transferim të të dhënave, ne nuk do të mund të ofrojmë një numër të madh të produkteve dhe shërbimeve tona, përfshirë Facebook dhe Instagram në Europë”, ka thënë Meta, para rregullatorëve amerikanë.

Autoritetet europiane dhe Qeveria amerikane janë duke shqyrtuar rrugë për të gjetur zgjidhje.

Platorma Facebook është përballur së fundi me rënien më të madhe të vlerës në treg, si pasojë e zvogëlimit të numrit të përdoruesve ditorë.

Meta Platforms Inc. kërcënoi të tërheqë Facebook dhe Instagram nga Europa nëse nuk është në gjendje të vazhdojë transferimin e të dhënave të përdoruesve në SHBA.

Burimi: Gadgets 360; Përshtati Gazeta Si


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë