Presidenti Ilir Meta do të kërkojë takim me Lulzim Bashën dhe Monika Kryemadhin për të diskutuar në lidhje me situatën dramatike, siç e quan Presidenca, në të cilën ndodhet vendi.
"Presidenti Meta do të kërkojë takim me të gjithë kryetarët e Partive Parlamentare që braktisën Kuvendin në shkurt 2019, për të diskutuar lidhur me situatën dramatike ku ndodhet vendi. Padyshim do të ketë edhe të tjera inisiativa, vendime dhe takime shumë të rëndësishme”, njofton për mediat zëdhënësi i Presidencës, Tedi Blushi.
Një ditë më parë, Meta tha se do të kallëzojë penalisht në prokurori të hënën kryetarin e Këshillit të Emërimeve në Drejtesi, Ardian Dvorani, për shpërdorim detyre dhe përvetësim i titullit, apo detyrës shtetërore gjatë procedurave për zgjedhjen e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese.
Sipas tij kryetari i Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, Ardian Dvorani, ka bërë disa shkelje të rënda, që cenuan legjitimitetin e përzgjedhjes së anëtarëve të rinj të Gjykatës Kushtetuese, uljen e besimit të publikut te kjo gjykatë dhe zbatimin të reformës në sistemin e drejtësisë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.