Presidenti Ilir Meta ka dekretuar pa vonesa ndryshimet në Kodin Penal, pasi siç thotë, drafti final i miratuar nga Kuvendi në seancën e së enjtes së kaluar reflektoi vërejtjet e bëra nga shoqëria civile dhe vetë institucioni i Presidencës sa u takon ndëshkimeve për personat që shkelin karantinën.
Meta thotë se shpallja e ligjit u vlerësua e nevojshme në situatën pandemike që po kalon vendi ynë, për arsye se kohëzgjatja, pasojat, apo mundësia e ripërsëritjes së një situate të tillë mbeten ende të paparashikueshme.
“Presidenti i Republikës konstaton se mes draftit të propozuar nga deputetët, atij të miratuar në Komisionin përgjegjës për çështjet ligjore, dhe përmbajtjes së ligjit të miratuar në seancë plenare ka ndryshime thelbësore pozitive, të cilat kanë reflektuar një pjesë të sugjerimeve të Avokatit të Popullit, shoqërisë civile, ekspertëve të së drejtës dhe të Institucionit të Presidentit të Republikës”, deklaron Presidenti.
Në draftin fillestar, socialistët propozonin ndëshkimin deri me 15 vite burg për personat që shkelnin karantinën dhe kur provohej që nga ky veprim kishte pasoja të rënda shëndetësore, deri në vdekje të qytetarëve të tjerë.
Presidenti Meta kërkoi që ndëshkimi të ulej me 10 vite burg, ndërkohë që drafti u kundërshtua edhe nga deputetët e opozitës parlamentare. Në konsultimet e minutës së fundit, mazhoranca dhe opozita parlamentare gjetën dakordësinë dhe shkuan përtej propozimit të Presidentit, duke e ulur ndëshkimin me 8 vite burg.
Para hyrjes në fuqi të këtyre ndryshimeve, Presidenti thotë se është e domosdoshme që Ministria e Shëndetësisë dhe Komiteti i Ekspertëve dhe Komiteti Ndërministror i Emergjencave Civile të plotësojnë kuadrin ligjor dhe nënligjor që lidhet me zbatimin e drejtpërdrejtë të Kodit Penal. Meta kërkon gjithashtu edhe një listë me sëmundjet infektive të rrezikshme që lidhen me zbatimin e masave të jashtëzakonshme.
“Si dhe përcaktimin e qartë dhe shterues sipas ligjit nr. 15/2016 të listës së sëmundjeve infektive të rrezikshme, që lidhen me zbatimin e masave të jashtëzakonshme, procedimin administrativ apo penal. Të gjitha kufizimet, masat e veçanta apo rregullat, shkelja e të cilave sjell sanksione administrative e më pas penale, të nxjerra nga ministri i Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Këshilli i Ministrave apo çdo organ tjetër i ngarkuar nga ligji, duhet t`i nënshtrohen një fushate të gjerë e të vazhdueshme informimi publik, përpos botimit të detyrueshëm dhe brenda afatit në Fletoren Zyrtare”, thotë Meta.
Presidenti kërkon që në fushatat e informimit dhe ndërgjegjësimit të qytetarëve për parandalimin e përhapjes së epidemive të përfshihen edhe ndryshimet në Kodin Penal.
Megjithatë, Meta vlerëson se nevoja për të plotësuar boshllëkun ligjor për të tilla situata nuk justifikon procedurën e përshpejtuar të ndjekur nga Kuvendi për miratimin e këtyre ndryshimeve.
“Shmangia e procedurave të përshpejtuara në miratimin e ligjeve që kërkojnë shumicë të cilësuar, nuk është një kërkesë vetëm formale kushtetuese, që duhet të respektohet nga komisionet e përhershme parlamentare dhe seanca plenare. Përkundrazi, është një kërkesë kushtetuese që në thelb kërkon kryerjen e ndryshimeve në ligje të rëndësishme, me një konsultim dhe konsensus të gjerë”, thotë Presidenti.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




