Pasi e ktheu në Kuvend për rishqyrtim, Presidenti Ilir Meta dorëzoi në SPAK një padi për ndryshimet në ligjin për metrologjinë, ligj që rregullon instrumentat duke e vlerësuar atë si klientelist dhe me përmbajtje të lartë antikushtetueshmërie.
“Nga shqyrtimi i përmbajtjes së ligjit në raport me Kushtetutën dhe kuadrin ligjor ekzistues në fuqi, konstatova se ky ligj është një ligj me përmbajtje të lartë antikushtetueshmërie me parashikime në shkelje flagrante të parimeve themelore kushtetuerse të funksionimit të tregut të lirë dhe konkurrues”, shkruan Meta në padinë drejtuar SPAK.
Presidenti vëren se në të gjithë frymën e tij, ligji i jep privatit me një autorizim të thjeshtë shërbime që shmangin garën, duke lënë hapësira për abuzim me tarifat e shërbimeve të ofruara.
“Ligji, në tërësinë e tij e koncepton këtë lloj autorizimi për kryerjen e funksioneve me përgjegjësi shtetërore nga subjektet private, si një veprimtari që nuk jepet me koncesion, me partneritet publik privat, dhe për të cilën nuk lidhet një kontratë administrative për delegimin e ushtrimit të një shërbimi, por thjesht ushtrohet përkundrejt autorizimit! Lihet hapësirë e gjerë për përcaktimin me subjektivizëm të tarifave të shërbimeve të ofruara nga subjekti privat, kur ky lloj shërbimi është i detyrueshëm me ligj dhe kërkon që tarifat të përcaktohen në mënyrë të tillë që të mos kthehen në kosto të tepërt për përdoruesit fundorë të shërbimit”, thotë Presidenti.
Meta vëren se i hartuar në këtë formë nga ministria përkatëse, Qeveria dhe më pas nga komisionet parlamentar dhe vetë Kuvendi në seancë plenare krijohen dyshime të forta se në këtë rast kemi të bëjmë me një fenomen të njohur si “korrupsioni legjislativ”.
“Ky terren që synohet të krijohet, në mënyrë të parregulluar përmes ligjit, krijon bindjen se tashmë qeveria si propozuese e nismës, por dhe Kuvendi i Shqipërisë, duket sikur e kanë shumë të qartë se cilët janë operatorët aktualë në treg të interesuar që do të mund ta ofronin këtë shërbim dhe që qeveria përmes institucioneve në varësi të saj, do t`ua kalojë pa konkurrim këtë shërbim publik”, shprehet Presidenca.
Presidenti thekson se mbikëqyrja e tregut dhe inspektimi metrologjik janë funksione shtetërore që garantojnë saktësinë e instrumenteve matës.
“Lënia në dorë të subjekteve private, në mënyrë të pakontrolluar, siç përcaktohet në dispozitat e tjera të ligjit të poshtë evidentuara, cenon direkt këtë funksion publik, i cili në mënyrë të pashmangshme do të sjell hapësira për abuzime që sjellin si pasojë dëmtimin e interesave të qytetarëve dhe të interesit publik”, vijon arsyetimi i Presidentit Meta.
Presidenti vëren se përmbajtja e ligjit u përkeqësua edhe më shumë pas ndryshimit të disa neneve në komisionet parlamentare. Ai flet për tre problematika kryesore të tij.

Meta thotë se përmes këtij ligji shteti heq dorë tërësisht nga ky shërbim dhe jo vetëm kaq, por kufizon edhe çdo mundësi kontrolli ndaj privatit.
“Ky akt duket se synon që të ligjërojë një skemë për qëllime klienteliste në dhënien me koncesion të shërbimit shtetëror tek subjekte private në mënyrë të pakontrolluar dhe pa negociuar asnjë kusht për mbrojtjen e interesit shtetëror”, thotë Presidenti.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.