Arsim

Mësuesit kanë dy role të reja në shkolla, do orientojnë nxënësit dhe do monitorojnë kolegët

Nga Gazeta Si - Janë prezantuar sot 320 mësuesit e përzgjedhur si koordinatorë për orientimin e karrierës, një nga dy rolet e reja që shtohen në shkollat tona. Roli tjetër është Mësues Koordinator i sigurisë së cilësisë. Njëra palë do ‘koordinojë’ nxënësit  dhe tjetra kolegët... Çdo mësues që përzgjidhet do e mbajë këtë rol për 3 vite. Gjithashtu, mësuesit do të punojnë në shkollat që kanë punuar tashmë.

Por cili është roli i këtyre mësuesve?

320 mësuesit koordinatorë, të shpërndarë në 381 shkollat e mesme në vend do të ofrojnë udhëzime të personalizuara për nxënësit dhe prindërit, duke i orientuar në zgjedhjet e mëtejshme akademike dhe profesionale.

Mësuesi koordinator për këshillimin e karrierës ka për detyrë të hartojë planin e orientimit dhe këshillimit të karrierës për nxënësit në shkolla dhe të orientojë nxënësit për ndjekjen e niveleve të arsimit, për prirjet dhe talentet e secilit, në koordinim me drejtorinë e shkollës/shkollave, mësuesit lëndorë, mësuesin kujdestar, punonjësin e shërbimit psiko-social dhe prindërit/përfaqësuesit ligjorë të nxënësve dhe Agjencinë Kombëtare të Arsimit Parauniversitar.

Sipas udhëzimit, mësuesi koordinator duhet të ketë të paktën 5 vite punë si mësues, ndër të cilat 3 vite si mësues në shkollën ku punon dhe aplikon për mësues koordinator.

Në institucionet arsimore publike të arsimit parauniversitar, që kanë më shumë se 480 nxënës që ndjekin nivelin e arsimit të mesëm të ulët dhe/ose arsimin e mesëm të lartë, do të caktohet një mësues koordinator i këshillimit të karrierës, ndërsa për çdo grup shkollash që mbulojnë një kapacitet me jo më pak se 480 nxënës që ndjekin nivelin e arsimit të mesëm të ulët dhe/ose arsimin e mesëm të lartë, caktohet një mësues koordinator.

Ndërkohë, puna e mësuesit koordinator i sigurimit të cilësisë konsiston në kontrollimin e punës së kolegëve të tij/saj pasi ka për detyrë të vlerësojë, analizojë dhe monitorojë periodikisht dhe në vijimësi, ecurinë e zbvillimit profesional të mësuesve në shkollën/shkollat që mbulon, të kontribuojë në vlerësimin e cilësisë së mësimdhënies në mënyrë të vazhdueshme si dhe të organizojë punën për përmirësimin e performancës dhe cilësisë së procesit të mësimdhënies-nxënies.

Mësuesi koordinator i sigurimit të cilësisë, duhet të jetë pjesë e sistemit arsimor dhe duhet të ketë 8 vite punë si mësues, nga të cilat 5 vite në shkollën ku punon dhe aplikon.

Mësuesit që janë përzgjedhur në rolet e reja do të kenë një normë mësimore më të ulët se mësuesit.

Mësuesi koordinator këshillimit të karrierës e ka normën mësimore 8-12 orë në javë ndërsa mësuesi koordinator i sigurimit të cilësisë e ka normën mësimore 6-10 orë në javë.

Pas përzgjedhjes, drejtori i shkollës do të caktojë çdo vit ngarkesën mësimore të mësuesit koordinator për sigurimin e cilësisë dhe mësuesit koordinator për këshillimin e karrierës, pa cënuar mbarëvajtjen e procesit mësimor sipas planit mësimor përkatës.

Në fund të vitit shkollor është po drejtori i shkollës që vlerëson performancën e mësuesve koordinatorë.

Ajo që ende nuk është bërë e ditur është se sa do jetë shtesa e pagës që do të marrin këto mësues.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë