Edhe ku vit akademik, duket se përsëri është problematik për degën e mësuesisë, e cila është më pak e preferuara për studentët e rinj.
Sipas të dhënave të fundit nga INSTAT, shikohet edhe këtë vit një ulje prej 3.4% e regjistrimeve në këtë degë. Të dhënat tregojnë se nga 9.062 regjistrime që kanë qenë për vitin akademik 2019-2020, gjatë këtij viti akademik kanë zbritur në 8.085.
Kjo problematikë vihet re vit pas viti dhe Kreu i Sindikatës së Mësuesve, Isa Halilaj, këtë çështje e lidh me politikat kundrejt arsimit dhe rrogat e ulëta.

“Për shkak të rrogave të ulëta dhe kushteve të vështira të punës profesioni i mësuesit, nuk është i preferuar ne Shqipëri. Kjo verifikohet shumë lehtë, sepse numri i të rinjve për të vazhduar degët e mësuesisë në universitete është shume i ulët”, shpjegon ai.
Sipas tij, vetëm rritja e investimeve në arsim dhe rritja e rrogave mund ta zgjidhin këtë problem.
“Në Shqipëri buxheti për arsimin është më i vogël se 3% e GDP, kurse në vendet e Bashkimit Europian e kanë buxhetin për arsimin mbi 5% e GDP. Është e jetike që arsimi të jetë ndër 3 prioritet kryesore të çdo qeverie”,thekson Halilaj.
Sipas tij, studentët e rinj nuk e zgjedhin profesionin e mësuesisë, sepse e shohin si një profesion që nuk siguron dot jetesë normale me rrogat.


Ulja e regjistrimeve në degën e mësuesisë, përgjatë viteve të fundit është parë si problematikë në rrethe ku numri minimal i studentëve, është përmbushur me vështirësi.
Për vitin akademik 2020-2021, nota mesatare e pranimit në universitet për programet e mësuesisë u vendos të ishte 8 nga 7.5. Por, ekspertët e arsimit e cilësuan këtë vendim të nxituar dhe që duhet menduar mirë, pasi mund të penalizonte shumë maturantë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.