Ne rrjet

Mësuesi turk hyri me letra false në Shqipëri

Qeveria shqiptare e ka mohuar që agjencia e inteligjencës turke, MIT, ishte përfshirë në ekstradimin e një shtetasi turk që akuzohej për përkrahjen e klerikut turk Fethullah Gulen më 1 janar.

Mësuesi Harun Celik u arrestua në Shqipëri në korrik të vitit 2019 kur u përpoq të udhëtonte nga Kazakistani në Kanada përmes Tiranës me dokumente false.

Mediat turke e kanë cilësuar dëbimin e Celik si një ” operacion të suksesshëm” të kryer nga MIT, një pretendim që ka alarmuar autoritetet shqiptare, të cilat vazhdojnë të mohojnë pretendimet e përfshirjes së huaj.

Një stacion televiziv pro qeveritar turk, “AHaber TV Channel”, tha se Celik tani ishte në Stacionin Policor të Stambollit dhe do të transferohej në gjykatë pasi të bëhet marrja në pyetje.

Celik ka të ngjarë të përballet me akuza për pjesëmarrjen në një organizate terroriste dhe për spiunazh kundër shtetit turk, akuzat e zakonshme për “gulenistët”.

Shqipëria insiston që gjithçka ishte bërë në përputhje me procedurat normale për dëbimin e një shtetasi të huaj, i cili kishte tentuar të hynte në vend duke përdorur dokumente false.

“Ky person ishte në burg pasi policia kufitare e arrestoi në Rinas  duke përdorur letra false. Ai duhet të dëbohet, “tha zëdhënësi i policisë Gentjan Mullai për BIRN.

Mullai nuk pranoi të komentojë rolin e inteligjencës turke.

Harun Celik

Tirana gjithashtu ka mohuar që kthimi i detyruar i Celik në Turqi ishte një produkt i marrëdhënies së ngushtë midis kryeministrit shqiptar Edi Rama dhe Presidentit të Turqisë, Rexhep Tajip Erdogan.

“Kjo ishte një çështje procedurash ligjore, që nuk janë lidhura me zyrën e Kryeministrit,” i tha BIRN Endri Fuga, zëdhënësi i Ramës.

Avokati i Celik në Shqipëri, Alban Bengasi, tha se i akuzuari kishte paraqitur një kërkesë për azil politik, kështu që dëbimi i tij nga Shqipëria ishte i paligjshëm.

Qeveria turke akuzon Gulen, i cili jeton në mërgim në SHBA se qëndron pas një përpjekje të dështuar për grusht shteti në vitin 2016. Pas përpjekjes për grusht shteti, ajo filloi t’i referohej lëvizjes së Gulenit si “Organizata terroriste FETO”,.

Që atëherë, Erdogan ka arrestuar dhjetëra mijëra njerëz, pushoi qindra mijëra nga puna dhe mbylli mijëra kompani, OJQ dhe institucione arsimore për shkak të lidhjeve të pretenduara me Gulen.

Ankaraja gjithashtu ka bërë presion ndaj shteteve të Ballkanit që të dorëzojnë “gulenistët” e supozuar dhe të mbyllin çdo institucion që lidhet me lëvizjen e armikut të Erdoganit.

Shumica i kanë rezistuar thirrjes së qeverisë turke për ekstradime, por agjensia e inteligjencës MIT është përfshirë në dy operacione të diskutueshme për  dëbimin e të dyshuarve nga Kosova dhe Moldavia.

Presidenti Erdogan dhe kryeministri Edi Rama

Kush ishte Harun Celik

Harun Çelik nuk ka punuar asnjë ditë në Shqipëri dhe ka ardhur në vendin tonë vetëm për ta përdorur si mundësi kalimi drejt një vendi perëndimor.

Ai ka studiuar për mësuesi në Stamboll dhe deri në vitin 2016 ka dhënë mësim në Ankara dhe Bursa.

Çelik është i martuar dhe ka 4 fëmijë, 1 prej të cilëve e ka adoptuar jashtë vendit teksa merrej paralelisht edhe me tregti tekstilesh.

Mësuesi kishte filluar të mos ndjente siguri për jetën e tij dhe familjes që prej vitit 2013 kur nisi agresioni i Erdogan ndaj gylenistëve, ndaj, në vitin 2016 Harun Çelik u shpërngul bashkë me familjen e tij në Kazakistan, aty ku ndodhej edhe kur u tentua grushti i shtetit.

Që prej asaj kohe, ai ishte gjithnjë në kërkim të një mundësie për të shkuar në një vend perëndimor e për të kërkuar azil politik. Një i njohur i tij në Kosovë e pajisi me një vizë false kanadeze dhe përmes saj, mësuesi turk tentoi të udhëtonte nga Tirana në Toronto në korrik 2019. Por polica shqiptare e zbuloi dhe e arrestoi. Ai bëri burg deri në 1 janar kur u lirua. Ai u dëbua menjëherë dhe u dorëzua tek antiterrori turk.

Avokati i tij, Alban Bengasi tha se Harun Çelik nuk ishte njoftuar për dëbimin, siç ligji e kërkon, dhe për këtë arsye, ai nuk kishte pasur mundësi të bënte ankimim


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë