Datat e provimeve të maturës shtetërore do të jenë 9 Qershor për Gjuhën e Huaj, 11 Qershor për Gjuhën Shqipe dhe Letërsinë, 17 Qershor për Matematikën dhe 24 qershor për lëndët me zgjedhje. Datat u bënë të ditura nga Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Evis Kushi, gjatë një takimi me maturantë nga gjimnaze të ndryshme të vendit.
Ministrja njoftoi se testi i Maturës në total do të ketë 60 pikë, ku 20 pikë për pyetjet me alternativa dhe 40 pikë pyetjet me zhvillim. Për sa i përket nivelit të vështirësisë 40 % të pikëve të testit do të jenë nivel i parë, 40% niveli i dytë ndërsa 20 % që do të bëjnë diferencën e maturantëve më të mirë.
Ministria e Arsimit do të zhvillojë një turë të gjerë takimesh në qytete të ndryshme të vendit për të informuar dhe konsultuar më mirë me maturantët dhe mësuesit.
Gjatë fjalës së saj Ministrja Kushi, ka theksuar se në bashkëpunim me të gjitha institucionet e varësisë do të merren të gjitha masat për mbarëvajtjen e të gjithë procesit të Maturës Shtetërore.
“Prioritet në maturën e këtij viti do të jetë rritja e mëtejshme e cilësisë që nga hartimi i testit, administrimi i procesit dhe vlerësimi i provimit të maturës. Një vëmendje të veçantë do të ketë trajnimi i mësuesve të përfshirë në proces, hartuesit, administruesit, vlerësuesit, si dhe të gjithë mësuesit e angazhuar në gjimnaze për të përgatitur maturantët”, shtoi Ministrja.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



