Nga Anxhela Celanji – Me nisjen e vitit të ri shkollor, nisi edhe shqetësimi i prindërve për gjendjen shëndetësore të fëmijëve.
Të paktë në numër prindërit rreth shkollës 9 vjeçare në zonën e Yzberishtit, treguan për Gazetasi.al se mësim plotësues për fëmijët e tyre ishte shumë i rëndësishëm.
“Nuk ka arritur t’i marri njohuritë e duhura se e kuptoj kështu që kjo periudhë është shumë e nevojshme,” i tha Gazetasi.al një nënë e re e cila është në hyrje të shkollës.
Përpara derës së shkollës qëndrojnë rreth 20 nxënës dhe janë të emocionuar se do të shkojnë në shkollë.
“Unë jam në klasën e tretë dhe kam ardhur që tani në shkollë” thotë njëri nga fëmijët.

Por entuziazmi i fëmijëve venitej tek prindërit të cilët duan t’i shohin fëmijët të përgatitur, por kanë frikë edhe se do të preken nga virusi.
“Të them të drejtën jam e shqetësuar se do të infektohet vajza, por nga ana tjetër ka shumë boshllëqet. Doja ta sillja në shkollë më vonë të qetësohej pak situata, por përsëri do ngelej mbrapa nga mësimet,” thotë Albani, babi i një fëmijë në klasën e tretë përballë shkollës 9 vjeçare “Kongresi i Manastirit”.
E njëjta panoramë është edhe në shkollën 9 vjeçare “Sabaudin Gabrani” ku përballë shkollës qëndrojnë rreth 30 nxënës e prindër.
Të shkujdesur dhe më gëzimin se po takohen me shokët dhe shoqet e shkollës, fëmijët qëndrojnë me maska dhe disa prej tyre kanë dezifektantë në duar.
“Jam shumë e kënaqur që erdha në shkollë dhe u takova me shoqet dhe mësuesen“ thotë Kristal, një vajzë e vogël në klasë të tretë ndërkohë që ndiqej gjithë kohës nga mamaja e saj e cila i kërkonte që të mos e hiqte maskën dhe deifektantin nga dora.

Të martën u publikua protokolli i arsimit para universitar për sa i përket kujdesit që duhet të kenë nxënësit dhe mësuesit. Shkolla edhe këtë vit do të nisë me orare fikse, distancë 1.5m, lëvizje të kufizuar dhe prezencë të maskës në të gjitha ambientet brenda shkollës. Në protokoll thuhet se është shumë i rëndësishëm konfirmimi i vaksinimit për mësuesit e kjo kategori tashmë është e detyruar ta bëjë vaksinën.
DIsa ekspertë kanë thënë se është shumë i rëndësishëm vaksinimi edhe tek fëmijët. Më herët antari i komitetit të imunizimit në Shqipëri, Genc Sulçebe tha se imuniteti i tufës në vend do të arrihej po të niste vaksinimi dhe tek fëmijët e moshës 12 vjeç, e sipas tij “duhet të nisë sa më parë përpara fillimit normal të shkollës”.
Por nga një vëzhgim që Gazetasi.al bëri në Tiranë, rezulton se prindërit nuk duan t’ua injektojnë vaksinën anti-Covid fëmijëve të tyre. Prindërit me të cilët foli Gazetasi.al, janë shumë skeptikë për këtë. Shumë të paktë janë ata që e konsiderojnë si mundësi. Ky proces ka nisur në disa vende të botës, si SHBA, Izrael, Britani e Madhe e tjetër, si një mënyrë për të rritur imunitetin e tufës. Situata e infektimeve tek fëmijët në vendin tonë sipas Komitetit të Ekspertëve paraqitet e qëndrueshme dhe ata e përjetojnë në formë të lehtë edhe variantin Delta, ndërkohë OBSH pak ditë më parë i bëri thirrje qeverive që të gjejnë mënyra për të vijuar mësimin dhe procesi të mos ndalohet nga përhapja e variantit të ri.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



