Arsim

Mësimi online te Akademi.al dështoi që ditën e parë

Në ditën e parë të mësimit të alternuar fizik dhe online, nxënës dhe mësues të ndryshëm patën problmeme me platformën mësimore dhe rrjedhimisht mësim nuk u bë. Mësuesit nuk mundën të publikonin video-leksionet dhe nxënësit nuk mundën të mësonin.
Ministria e Arsimit pohoi për Gazetën “Si” se ky është një problem për shkak se në ditën e parë hapin llogari ata që nuk i kishin hapur ende dhe ka ngarkesë sa të sistemohen klasat virtuale. Sipas Ministrisë, këtë javë parashikohet të ketë ndonjë element të tillë, por më pas po punohet që gjithçka të rregullohet.
Eksperti i IT Engjell Raklli, shpjegoi për Gazetën “Si” se platforma të tilla natyrisht krijohen nga servera dhe në bazë të trafikut të serverit përcaktohet dhe pjesëmarrja në platformë. Në rast se ka shumë pjesëmarrje, kuptohet që faqja bie.
Sipas ekspertit duhet patjetër të përcaktohet një platformë me server më të fortë që përmban një pritshmëri më të lartë personash dhe për një kohë me të gjatë.
“Është diçka e kushtueshme, por duhet bërë sepse do të ndodhë kështu çdo ditë dhe mësimi nuk do mund të zhvillohet,” shpjegon eksperti Raklli.
Ministrja Evis Kushi njoftoi që në 26 nëntor se që prej ditës së sotme do të kishim një mësim të alternuar për nxënësit e arsimit parauniversitar.
Mësimit online dhe i kombinuar do të zhvillohet për klasat nga e 6 në të 9, si dhe klasat 10 dhe 11.
Ndërkaq është përcaktuar se në javën tek, pra javën e parë dhe të tretë të muajit, 2 ditët e para të javës mësimi do të jetë në mjediset e shkollës dhe 3 ditët e tjera të javës online.
Ndërsa në javën çift, pra në javën e dytë dhe të katërt, ditët këmbehen: pra 2 ditët e para të javës nxënësit janë online dhe 3 ditët e tjera të javës me prezencë fizike në shkollë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë