Rei shkon për herë të parë në shkollë këtë vit. Ai është nxënës në klasë të parë, ndërsa vëllai i tij frekuenton klasën e shtatë.
Ata shkojnë në të njëjtën shkollë, por ndryshe nga çfarë kishin planifikuar, që në shkollë të shkonin bashkë (të shoqëruar nga njëri prej prindërve), tashmë do të duhet që të shkojnë në shkollë në orare të ndryshme, për shkak se edhe këtë vit mësimi në shkolla do të zhvillohet me turne.
Në klasën e Reit, në një nga shkollat në qendër të kryeqytetit, mësimi do të zhvillojë me dy turne, me qëllim që në klasë të mos ketë numër të madh nxënësish, duke e parë një veprim të tillë si masë mbrojtëse ndaj Covid.
Grupi i parë i nxënësve do të zhvillojë mësim në orarin 8:00-10:00, ndërsa grupi i dytë në orarin 10:30-12:30.
Por ky është një rast fatlum, pasi nuk janë të pakta rastet kur mësimi në klasa të ndryshme do të zhvillohet jo me dy turne, por me katër.
“Edhe pas tre javësh mësim me dëshirë nuk dihej ende se si do të niste mësimi, por për të tretin vit radhazi mësimi do të zhvillohet me katër turne! Fillorja do të bëjë mësim prapë pasdite dhe turni i katërt do të fillojë 16:00 me 18:30”,– shprehet Esi, nëna e dy fëmijëve në shkollë fillore.
“Im bir i bie të jetë në turnin e katërt. Nuk e kuptoj se si mund të bëjë mësim një fëmijë nga klasa e parë deri në të pestë në orën 4 me 6 pasdite? Kjo që po bëjnë me fëmijët tanë është kriminale.”,- shprehet ajo, ndërsa shton se në grupet e prindërve tashmë ka plasur sherri për të ndryshuar turnin.
Sipas saj, diçka e tillë është shumë e vështirë për t’u menaxhuar edhe në praktikë për prindërit, të cilët janë në punë dhe duhet të gjejnë zgjidhje nga më të ndryshmet për të çuar dhe marrë fëmijët e tyre nga shkolla, duke qenë se shpesh fëmijët janë në turne të ndryshme.
“Unë dhe im shoq jemi në punë, ndërsa fëmijët shkojnë në shkollë njëri në turnin e katërt dhe njëri në turnin e parë. Nuk di si do ta menaxhojmë. Nuk kemi nga t’ia mbajmë. Vajza mbaron në 10:30 dhe djali është turn i katërt. E kemi të dy gjithë ditën të humbur se për kurse as që bëhet fjalë, vetëm të lemë punët”- vijon Esi ndërsa thekson se sipas saj ndarja e klasave nuk shërben për asgjë dhe po ashtu mësimi i shkurtuar është shumë i dëmshëm dhe sigurisht nuk sjell asnjë dobi.
“Është e pafalshme, që pas kaq kohësh nga shfaqja e pandemisë nuk arrijnë të menaxhojnë situatën. Në vend që të ofrojnë zgjidhje, drejtuesit e arsimit e kanë mendjen të bëjnë shou në rrjete sociale”- komenton një tjetër prind, ndërsa shton se vajza e saj ka kurs pasdite, por nuk di nga t’ia mbajë sepse është në turn të katërt.
“I ndajnë se janë shumë nxënës në klasë dhe të ruajnë mësuesit. Por duke qenë se mësuesit janë vaksinuar, vetëm sa ua ngarkojnë edhe më shumë barrën se do të bëjnë dy herë mësim me të njëjtët nxënës”- vëren Adela, e cila ka djalin në klasën e parë, ndërsa komenton se vetëm shkollë nuk mund të quhet kështu.
“Një mësues deri në turnin e dytë mund të japë diçka, pastaj zot ruaji. Nuk e di se si mund të rezistohet deri në turnin e katërt. Nuk e kuptoj se çfarë po bëhet me arsimin e me gjithçka tjetër. Një mësues është torturë që jep dy turne të njëjtin mesim për klasën e vet. T’i ndash klasat nuk është zgjidhje”, vijon Esi.
Për Inën, e cila ka një fëmijë në klasën e tretë dhe që është edhe vetë me profesion mësuese është pa sens ndarja e klasës në grupe.
“Ne i kemi fëmijët në klasë të tretë. Klasa e parë iu iku nga traumat e tërmetit në një karantinë e karantanosur. As morën vesh kur filluan dhe mbaruan abetaren apo matematikën. Edhe kur nisën klasën e dytë, që në nisje të ndarë: me kontrolle, maska, mësim me vrap. Tani prap në klasë të tretë…Vrap im bir e vrap unë nga shkolla ime te shkolla e tij. Turne andej, turne këtej.Nuk ka arsye të vazhdohet kështu” – shprehet ajo.
Të gjithë prindërit ngjan se ndajnë absolutisht të njëjtin mendim, që nuk ka asnjë arsye që të ligjërojë cmendurinë e mësimit me turne këtë vit.
“Nuk e kuptoj dot. Shkollat do të rrinë plot çdo orë. Është pa sens ndarja dhe aspak produktive, si për fëmijët dhe për mësuesit”, – shprehet Aurela, e cila gjithashtu ka dy fëmijë në shkollë dhe edhe vetë është me profesion mësuese.
“Tani na mbeten pak orë për të organizuar gjithçka: me kë do të rrijë fëmija, kush do e çojë në shkollë, kush do e marrë pas vetëm 1 orë e gjysmë etj. Për të arritur në përfundimin që do të jetë një tjetër vit me shumë shpenzime dhe ku do të hyjnë e do të dalin fyell”, – vijon Adela, ndërsa thekson se një orë mësimi do të zgjasë vetëm 25 minuta, madje edhe pa pushimin 5-minutësh mes orëve.
Edhe për Vjollcën, një tjëtër prind, që ka fëmijët, njërin në fillore e tjetrin në klasë të nëntë kjo është çmenduri.
“Ky është skandal sepse Covid nuk merret vetëm në bankat e shkollës, por merret edhe nëpër autobusët e ndyrë, që shumë nga prindërit e fëmijëve që do të mësojnë me katër turne rrinë ngjitur e ngjitur.”
Denada nga ana tjetër shprehet e indinjuar se këtë vit iu ishte thënë se nuk do të kishte ndarje me turne, gjë që në fakt po provohet të jetë e kundërta.
“Në shtator, kur filloi kjo formula magjike e tyre me mësim përsëritës, na thanë që këtë vit klasat nuk do të ndahen. Prindërit bëjnë sherre në grupet e ËhatsApp dhe sigurisht duhet edhe reagim i organizuar”, – thotë ajo.
Mësimi me turne po zhvillohet në të gjithë vendin në të gjithë nivelet arsimore. Në rrethe, ky mësim është menduar të zhvillohet në dy turne, të cilat në shumicën e rasteve përkojnë me oraret 8:00-10:30 dhe turni i dytë në oraret 11:00-14:30.
Situata më e vështirë është në shkollat e Tiranës, ku ka më shumë nxënës dhe ngarkesë në klasa.
Për këtë arsye prindërit e nxënësve kanë nisur një peticion online kundër mësimit me turne dhe orëve të reduktuara dhe janë nënshkruar më shumë se 2 mijë firma në dy ditë që peticioni është nisur. Nëpërmjet kësaj nisme prindërit i bëjnë thirrje Ministrisë së Arsimit të rishikojë vendimin dhe mësimi në shkolla t’i kthehen edhe normalitetit.
“Fëmijët kanë nevojë t’i kthehen normalitetit. Mësimi me turne dhe orar të shkurtuar nuk është i përshtatshëm për edukimin e vazhdueshëm. Ky proces nuk ka rezultuar efektiv dhe është vit i tretë që po aplikohet duke shkaktuar lodhje te fëmijët dhe mësuesit.
Ndërkohë që në gjithë fushat e tjera, jeta vazhdon normalisht, përse duhet të aplikohen masa të shtuara vetëm në shkolla? Fëmijët kanë risk minimal dhe mësuesit shumica janë imunizuar ose vaksinuar”, – shkruhet në peticionin e iniciuar nga prindërit.
Viti i ri shkollor këtë vit nisi pikërisht sot më 27 Shtator, por në shumicën e shkollave, në të gjithë vendin, me përjashtim të shumë pak shkollave në zona rurale, ku ka pak nxënës, mësimi do të jetë me turne dhe me orë të reduktuara deri në 25-30 minuta.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



