D.F është një infermiere 29-vjeçare që jeton në periferi të Tiranës, nënë e dy fëmijëve, 7 dhe 4 vjeç. Ky fillimviti shkollor duhej të niste i lumtur se djali fillonte klasën e parë por tani ajo ndodhet në një dilemë aspak normale dhe deri diku të çuditshme.
“Më duket se do më duhet të zgjedh midis fëmijëve dhe punës”, thotë ajo, teksa shton për Gazetasi.al se përpos të gjithave problemeve që ka, tani i është shtuar edhe problemi me oraret e fëmijëve.
“Të dy fëmijët fillojnë mësim në orën 8:00 por djali e mbaron në 10:30 ndërsa vajza në 13:00:”. D.F punon shumë pranë shkollës së fëmijëve të saj por shtëpinë e ka 40 minuta larg dhe nuk ka njeri që mund ta ndihmojë me fëmijët, pasi bashkëshorti i ka vdekur dy vite më parë në një incident në punë dhe me fëmijët merrem vetëm ajo.
Vitin që kaloi, të dy fëmijët (që ishin në kopsht), mbaronin mësimin në 13:00 ndërkohë që ajo e mbaronte turnin e saj në Urgjencën e Qendrës Shëndetësore ku punon në orën 14:00. Për këtë, ajo kishte rregulluar oraret me eprorët e saj që të dilte pak herët sa të dërgonte fëmijët tek një fqinje e cila i mbante me fëmijët e saj derisa D.F të kthehej në shtëpi.
Këtë vit, ajo kishte disa mundësi që thjesht i përjashtoi të gjitha. “Tek ajo nuk i lija dot sepse ishte shumë orë. Dhe nëse ajo do të mi mbante, nuk marr dot leje që të dërgoj djalin të parin në orën 10:30 e më pas vajzën në orën 13:00, është shumë”, thotë ajo e cila ka përjashtuar edhe mundësinë për të paguar dikë pasi e ka të pamundur të përballojë shpenzime aq të mëdha.
Deri tani ka gjetur vetëm një zgjidhje: T’i marrë fëmijët nga shkolla dhe kopshti në oraret përkatëse dhe t’i mbajë në punë, diçka që duke ditur gjendjen e saj, mjeku i urgjencës ia ka lejuar deri tani.
“Shkoj në 10:30 e marr djalin nga shkolla dhe e mbaj në urgjencë. Në orën 13:00 shkoj bashkë me djalin dhe marrim vajzën e të dy qëndrojnë aty me mua deri kur unë mbyll punën në orën 14:00”, tregon D.F. Këtu fillon një tjetër problem për të.
Në zyrën e saj shkojnë çdo ditë persona me sëmundje të ndryshme, shumë prej tyre persona që mendojnë se janë të infektuar me Covid-19.
“Unë rri me veshje mbrojtëse gjithë kohës por fëmijët rrezikojnë shumë. Nuk kam asnjë mënyrë si ti mbroj pasi është një hapësirë shumë e vogël dhe fëmijët janë të vegjël për të qëndruar për 4 orë në një ambient”, sidomos kur ambienti është i mbushur me mjekë, të sëmurë dhe pajisje mjekësore.
D.F tregon se këto dy ditë kanë qenë një torturë e vërtetë për të tre. “Djalit i duhet të kalojë më shumë orë këtu dhe mërzitet. Ai qan dhe kërkon në çdo moment të shkojë në shtëpi pasi nuk do të qëndrojë më në spital. Edhe vajza është e lodhur dhe nuk pret derisa të mbarojë punë dhe të largohen”, shton ajo.
Që në momentin që djalin nuk mund ta “mashtrojë” më me asnjë mënyrë e deri kur mbaron punë, ajo tregon se në gjithë ambientet e punës krijohet një situatë që edhe pse ka vetëm dy ditë që ka filluar shkolla, e ka bërë të mendojë të lërë punën dhe të merret vetëm me fëmijët, edhe pse e di shumë mirë se është diçka që nuk e bën dot sepse nuk mund t’i mbajë fëmijët dhe shpenzimet e shtëpisë me 100 mijë lekë pension familjar që merr nga shteti.
“Para dy vitesh, kur bashkëshorti im ndërroi jetë, nuk e kisha as idenë më të vogël se çfarë do të bëja. Sot, me këto orare mësimi, jam në të njëjtën situatë, më të njëjtin ankth dhe lodhje mendore”, thotë D.F.
Ajo ndodhet mes arsimimit të fëmijëve (për aq sa mund të arsimohen në 2 orë), lënies së punës, një zgjidhje që do të sillte një të ardhme të pasigurt për familjen e saj dhe zgjidhjes që ka gjetur deri tani, e cila për aq kohë sa rrezikon seriozisht fëmijët e saj (fëmijët që po bëjnë mësim me turne për shkak të Covid-19 dhe pas punës, ironikisht janë të detyruar të shkojnë në “strofullën” e Covid), nuk mund të vazhdojë të jetë për shumë kohë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



