Katar 2022

Mesi sulmon arbitrin dhe Van Gal: Ekipi i tij di vetëm të heqë topin!

Gazeta Si – Leo Mesi, lideri i Argjentinës, ka qenë i pakënaqur nga gjykimi i spanjollit Mateu Lahoz. Ai ka thënë se FIFA nuk duhet të bëjë zgjedhje të tilla, ndërkohë që ka sulmuar edhe trajnerin holandez për futbollin që aplikon skuadra e tij.

Lionel Mesi ishte i lumtur, sepse Argjentina u kualifikua me penallti ndaj Holandës, por deklaratat e tij tregojnë se mes gëzimit kishte edhe shumë zemërim.

Leo Mesi pas ndeshjes me Holanden. Gazeta Si, 10 dhjetor 2022

“Lumturi dhe frymëmarrje. Vuajtëm, por është normale në çerekfinale, – ka thënë kapiteni argjentinas pas ndeshjes. – Në një moment na u desh të vuanim, por e kaluam pengesën dhe kjo ka rëndësi. Argjentina po tregon ndeshje pas ndeshje se do të jetë protagoniste. Po tregon se i kupton momentet, që kur duhet të luajë, luan…. Kur duhet të vrapojë, vrapon”.

Pastaj Mesi u ndal tek arbitri Mateu Lahoz: “Jam shumë i nervozuar, nuk duhet të përfundojë kështu. Nuk dua të flas për arbitrin, sepse më gjobisin. Nuk mund ta thuash atë që mendon. FIFA nuk mund të caktojë një arbitër jo në lartësinë e detyrës”. Nervozizmi i Mesit vjen nga faulli që solli golin e barazimit të Holandës.

Shkëndija verbale ylli argjentinas pati edhe me Luis Van Gal, trajnerin holandez që para ndeshjes kishte thënë “dimë si ta ndalim Mesin, do ta bëjmë si skuadër, nuk është i pandalshëm”.

Sipas shtypit argjentinas, Leo po kërkonte Van Galin pas ndeshjes, ndërsa në intervistë u shpreh: “Van Gal shet tym, thotë se skuadrat e tij luajnë mirë futboll, por dinë vetëm të largojnë topin”. Të dy u kapën pas penalltisë që Mesi shënoi gjatë ndeshjes. Ka një video që tregon argjentinasin që kthehet me inat nga trajneri holandez dhe thotë: “Ç’ke që shikon, budalla? Shko andej”.

Për gjysmëfinalen me Kroacinë, Mesi gjen buzëqeshjen: “Jemi shumë të emocionuar, për ne dhe personat që na shoqërojnë. Kroacia është një kundërshtar shumë i vështirë. Ka lojtarë të mëdhenj, i njohin të gjithë. Ka të njëjtin trajner që kishte në Botërorin e fundit, kështu që do të jetë ndeshje shumë e fortë”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë