“Golfsupport.com” ka bërë së fundi një klasifikim special në lidhje me 20 sportistët, për të cilët është shkruar më shumë në periudhën korrik 2020-qershor 2021. Lionel Mesi, me 490.632 artikuj, kryeson bindshëm ndaj yllit të NBA-së, LeBron Xhejms. Në pod edhe Nejmar, përpara Kristiano Ronaldos. Osaka, femra e parë në këtë rendit, mban vendin e 8-të.
Gjithmonë ai, Lionel Mesi. Lotët, lamtumira nga Barcelona dhe kalimi te PSG-ja. Flitet për “Pleshtin”, sot më shumë se dje. Si gjithmonë. Argjentinasi, nga korriku i 2020-ës deri në qershor të 2021-shit, është sportisti, për të cilin janë shkruar më shumë artikuj online në botë. Ky është konkluzioni, pas kërkimeve të “golfsupport.com”, që ka publikuar klasifikimin e 20 sportistëve, për të cilët është folur më shumë në 12 muajt e fundit.

Për Mesin janë shkruar 490.632 artikuj në një vit (po të ishin llogaritur edhe ditët e fundit, shifra do të ishte shumë më e lartë), me një mesatare prej 40.886 artikujsh në muaj. Në vend të dytë është LeBron Xhejms, ylli i NBA-së dhe Los Anxheles Lejkërs, me 216.268 artikuj, gati gjysma e Mesit. Është normale, nëse mendojmë për popullaritetin në nivel botëror të futbollit në krahasim me basketbollin. Në vend të tretë është Nejmar, me 171.406 artikuj. Pas tij vjen Kristiano Ronaldo, me 145.042.
Surprizues është vendi i 5-të i Tom Bradit. Fituesi 7 herë i Super Bowl është lojtari më i madh i historisë së futbollit amerikan. Bredi i ka kaluar kufijtë e disiplinës, ku është mbret dhe me 140.153 artikujt e shkruar për të qëndron afër CR7.
Pastaj duhet të zbresim në botën e kriketit, për shumë njerëz një sport i panjohur, por në plan të parë për shumë vende, me Indinë në krye. Vendin e 6-të e mban pikërisht ylli i këtij sporti, Virat Kholi, me 127.797 artikuj që flasin për 32-vjeçarion e Nju Delhit, kapitenit të Royal Challengers Bangalore. Ai është konsideruar më i forti në botë dhe në 2020-ën ka fituar 24 milionë euro nga paga dhe sponsorizimet.

Në 10-shen më të mirë gjejmë edhe Konor MekGregor, superstari global i MMA-së, i fundit që e kalon kuotën 100 mijë, me 105.880 artikuj. Femra e parë në këtë renditje ndodhet në vend të 8-të dhe ajo është Naomi Osaka, në qendër të kronikave muajt e fundit për problemet e shëndetit mendor, para se të kishte nderin të ndizte flakën e Lojërave Olimpike. Për të janë shkuar 93.637 artikuj.
Mbyllin 10-shen më të mirë Kevin Durant, një tjetër yll i NBA-së, fitues i medaljes së artë në Lojërat Olimpike, me 88.086 artikuj, dhe Roxher Federer me 75.823 artikuj dhe Khabib Nurmagomedov, luftëtari rus i MMA-së me 55.433 artikuj.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



