Katar 2022

Mesi-Alvarez gjunjëzojnë Kroacinë, Argjentina finalistja e parë e Botërorit

Gazeta Si – Argjentina është skuadra e parë finaliste e Katar 2022. Pas fitores së pastër ndaj Kroacisë, 3-0, argjentinasit presin të mësojnë kundërshtarin e aktit final të Kupës së Botës, që do dalë nga gjysmëfinalja tjetër, Francë-Marok.

Ndeshja ishte e barabartë deri në minutën e 34-t, kur portieri Livakoviç shkatoi një penallti, që Lionel Mesi nuk mund ta shpërdoronte. Amerikano-jugorët në avantazh, ndërsa Kroacia merr edhe goditjen e dytë pas 5 minutash. Julian Alvarez, i favorizuar edhe nga dy karambole, del përballë portierit dhe dyfishon.

Këtu praktikisht përfundon ndeshja për Kroacinë. Perisiç është në një ditë të keqe, kurse Brozoviç jo në gjendjen optimale fizike. Në avantazh të dy golave Argjentina e ka të lehtë të kontrollojë ndeshjen. Skaloni dhe Daliç bëjnë lëvizjet e tyre nga stoli. Kroatët e kanë të pamundur të gjejnë golin.

Mesi tregon klasin e tij të lartë te goli i tretë i Argjentinës, duke iu shkëputur mbulimit të Gvardiol dhe duke ftuar në gjuajtje Julian Alvarez, që siglon dopietën e tij në këtë gjysmëfinale.

Leo Mesi ka tashmë shansin të heqë pengun e jetës, të fitojë Kupën e Botës me Argjentinën për të kompletuar arritjet e tij të jashtëzakonshme. Finalja e dytë për të pas asaj të 2014-ës. Për Kroacinë, gjysmëfinalja ishte maksimumi që mund të arrinte.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë