Trashëgimi

‘Meshari’ i Buzukut, 470 vjet më parë nisi rrugën shkrimi shqip

Muzeu Historik Kombëtar kujtoi sot, përmes një postimi online, se 470 vjet më parë, në 1554 nisi rrugën e vet fjala e shkruar shqip, me “Mesharin” e Gjon Buzukut, ku shkruhej: “U doni Gjoni, biri i Bdek Buzukut, tue u kujtuom shumë herrë se gluha jonë nukë kish gj~ të ëndigluom ën së shkruomit shenjëtë, ën së dashunit së botësë s’anë, desha me u fëdigunë, për s~ mujta me ditunë, me zhdritunë pak mendetë e atyne qi të ëndiglonjinë… “Ëndë vietët M.D.L.IV. njëzet dit ëndë mars zuna ënfill, e ënbarova ëndë vietët një M.D.L.V., ëndë kallënduor.”

“Meshari” konsiderohet si vepra letrare më e vjetër shqipe, botuar dhe ruajtur deri më sot.

Libri përbëhej nga 110 fletë, mirëpo kopja e librit që ka arritur është e cunguar dhe i mungojnë 16 faqet e para dhe ndër to edhe kopertina me faqen kryesore.

Buzuku ishte prift katolik, famullitar i një kishe në Shqipërinë Veriore, jo aq larg nga vendi i botimit dhe një nga lëvruesit më të rëndësishëm të gjuhës shqipe. Me veprën e tij ai konsolidoi një traditë të rëndësishme të të shkruarit të gjuhës shqip me alfabet latin.

Ishte françeskani At Justin Rrota, i pari që solli nga Biblioteka Apostolike e Vatikanit në Shqipëri, më 1929-n tre riprodhime të fotografuara të librit më të hershëm të botuar në shqip. (ATA)


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë