Kryetari i Komunitetit Mysliman Shqiptar, Bujar Spahiu ka përcjellë mesazhin e urimit me rastin e festës së Fitër Bajramit.
“Të nderuar vëllezër dhe motra, të nderuar besimtarë, sot ndahemi nga Ramazani, muaji më i dashur dhe miku më i mirë, muaji i agjërimit, lutjeve, i shpalljes së Kuranit, në të cilin nuk u kursye ndihma dhe mëshira hyjnore. Nesër është Bajram dhe me këtë rast i uroj të gjithë besimtarët myslimanë shqiptarë kudo që ndodhen, gëzuar Fitër Bajramin. Paqe, lumturi dhe harmoni sjelltë në familjet tuaja”, deklaroi kreu i KMSH në fjalën e tij.
Në këto ditë të trazuara të klasës politike, Bujar Spahiu thotë se Fitër Bajrami është ditë shprese, ditë gëzimi dhe solidarizimi.
“Bajrami është ftesa nga zemra në zemër, për të folur më shumë me njëri-tjetrin, për t’u dashur, për të sheshuar keqkuptimet, mosmarrveshjet, mëritë dhe zënkat, për të falur e toleruar”, vijon mesazhi.
Fiter Bajrami është përmbyllja e Muajit të Ramazanit.
“Gjatë këtyre ditëve të mos mungojë vëmendja jonë ndaj fëmijëve, prindërve, të moshuarve, të sëmurëve dhe shtresës në nevojë. Le të heshtim në vend të fjalës së keqe, e kur të flasim, të flasim bukur. Le të shërbejnë këto ditë feste për më shumë mirësi, vëllazëri, miqësi dhe dashuri, në të mirë të shoqërisë, kombit dhe gjithë njerëzimit. Zoti ju dhëntë mirësi e begati dhe ua pranoftë agjërimin e adhurimet që keni kryer gjatë muajit të bekuar të Ramazanit”, mbyllet mesazhi i urimit të kreut të KMSH, Bujar Spahiu.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.



