Gazeta Si – Ndeshja me Suedinë e përmirësoi disi imazhin e kuqezinjve, pas atij zhgënjimi të madh me Kilin. Megjithatë, mbetet një humbje, që tregon gabimet dhe defektet e skuadrës sonë para një kompeticioni madhor, siç është Europiani.
Presidenti i FSHF-së, Armand Duka, me një postim të shkurtër në rrjetet sociale, ka vlerësuar reagimin e Kombëtares në miqësoren e dytë, por gjithashtu ka përcjellë edhe një mesazh për ekipin dhe stafin. Ai ka përmendur sakrificën si një nga elementët që sjell rezultate dhe kjo mund të përkthehet edhe si një ‘tërheqje veshi’ për lojtarët.
“Ndaj Suedisë Kombëtarja bëri një paraqitje më të mirë se sa ndaj Kilit. Impenjimi që treguan lojtarët në fushë ishte i kënaqshëm, mbase duhet të ishim pak më shumë agresivë.
Këto dy ndeshje na kanë shërbyer shumë për të kuptuar se vetëm me punë, impenjim e shumë sakrifica mund të kemi rezultate më të mira dhe të rritemi. Tani duhet të fokusohemi te finalet e Euro 2024, të përgatitemi sa më mirë për të bërë një turne të paharrueshëm”, – shkruan kreu i FSHF-së në faqen e tij në Facebook.
Kombëtarja jonë ka edhe dy teste para Europianit të Gjermanisë. Bëhet fjalë për fjalë për miqësore me kundërshtarë të lehtë në letër, siç janë Lihtenshtejni dhe Azerbajxhani.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.