Lulzim Basha ripërsëriti ftesën për pjesëmarrje në protestën e mbrëmjes së kësaj të hëne, ku thotë se pas refuzimit të arrogancës dhe shpërfilljes në zgjedhjet e 30 qershorit, ka ardhur koha për t’u bashkuar kundër së keqes, që sipas Bashës është Edi Rama.
“Padrejtësinë, pamundësinë, varfërinë dhe papunësinë nuk do t’ua lemë trashëgim fëmijëve! Sonte në orën 20:00, në Tiranë të gjithë bashkë për familjen dhe fëmijët tuaj, për Shqipërinë e mundësive për të gjithë! Asnjë hap pas! Rama Ik!”, shkruan kreu i PD.
Ftesa është përsëritur përmes një spoti të shpërndarë nga Basha përmes rrjeteve sociale. Kreu i PD-së dhe drejtues të tjerë të opozitës kanë postuar vazhdimisht ditët e fundit thirrje për t’iu bashkua tubimit të kësaj të hëne, i pari i organizuar nga opozita pas zgjedhjeve të 30 qershorit.
Bashkë me thirrjet për pjesëmarrje, drejtuesit opozitarë kanë bërë edhe thirrje për një protestë të paqtë dhe kundër dhunës. Megjithatë, Policia e Shtetit dhe Garda e Republikës kanë përforcuar masat e sigurisë. Godina e Parlamentit dhe e Kryeministrisë janë rrethuar me kangjella të lëvizshme, ndërkohë që 1500 forca do të jenë në gatishmëri për të ndërhyrë në çdo rast.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




