Politike

Mesazhe për Putinin nga Tirana: BE po përgatit paketë të re sanksionesh ndaj Rusisë

Nga Gazeta ‘Si’- Nga Tirana, liderët europianë paralajmëruan sanksione të reja ndaj Rusisë, në mënyrë që Putin të detyrohet të pranojë paqen në Ukrainë.

Ata thanë se presidenti rus nuk është i interesuar për paqe dhe komentuan apatinë e Putinit i cili refuzoi dje të shkonte në Stamboll ku do mbaheshin negociatat me Ukrainën.

Sipas presidentit ukrainas, nëse Putin nuk do të kishte pasur frikë të shkonte në Turqi, lufta do të ishte mbyllur. Zelensky bëri thirrje që presioni ndaj presidentit rus duhet të vazhdojë.

“Unë isha në Ankara dhe u prita nga Erdogan. Unë isha i gatshëm për një takim të drejtpërdrejtë me Putinin si në Ankara apo në Stamboll. Jo thjesht për një takim, por për të zgjidhur të gjitha çështjet e rëndësishme. Ai nuk ra dakord për asgjë. Shihej qartë se delegacioni rus që erdhi në Stamboll ishte i një niveli shumë të ulët dhe askush nga ata që erdhën nuk mund të merrnin vendime në Rusi”, tha Zelensky.

Thirrje për një paqe të qëndrueshme në Ukrainë bëri edhe presidenti francez, Emmanuel Macron.

“Zelensky e di se sa shumë jemi krah tij, solidar, kemi krijuar koalicion te vullnetshmëve dhe është e nevojshme të mbështesim Ukrainën dhe armëpushimin.

Orët e fundit Rusia nuk e do këtë armëpushimin, por trysnia europiane dhe amerikane do ta bëjë këtë. Rusia duhet t’i kthehet diskutimeve që u mbajtën në 2022, kjo do të thotë që duhet të këmbëngulim në mënyrë që të sigurojmë një paqe të qëndrueshme në Ukrainë”, tha Macron.

Edhe presidenti turk bëri thirrje për armëpushim në Ukrainë. Gjatë fjalës së tij në samitin europian në Tiranë, Erdogan tha se bota është në një moment kritik dhe për këtë arsye liderët perëndimorë duhet të qendrojnë të bashkuar.

Ndërkohë më herë, presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen tha se BE-ja do përgatisë një paketë të re sanksionesh ndaj sektorit financiar rus.

“Putin bëri thirrje për armëpushim në 9 maj, por asnjëherë nuk e zbatoi. Ndërkohë që Ukraina kërkoi një armëpushim të mbështetur nga SHBA dhe BE, por Putin e refuzoi. Më pas Putin propozoi që Rusia dhe Ukraina të takoheshin drejtpërdrejtë në Turqi për bisedime.

Zelensky ra dakord, por Putin nuk u duk. Prandaj ne do të rrisim presionin ndaj Rusisë, do të punojmë për një paketë sanksionesh, sanksione që aplikohen te Nord Stream 1 dhe Nord Stream 2.

Do të ulim tavanin e çmimeve të naftës dhe pastaj do të kemi edhe sanksione të tjera në sektorin financiar rus. Sepse ne duam paqe dhe do të ushtrojmë trysni derisa Putini ta bëjë këtë gjë”, tha Von der Layen.

Ndërkohë, në të njëjtën linjë me të ishte edhe kreu i NATO-s, Mark Rutte i cili tha nga Tirana se topi tani është në fushën e Putinit.

Ai e quajti gabim vendimin e presidentit rus për të dërguar në Stamboll një delegacion të nivelit të ulët në bisedimet me Ukrainën dhe tha se Putin tashmë është në telashe.

“Ukraina të ketë çfarë i duhet për të qëndruar dhe për t’i dhënë fund me anë një paqeje afatgjatë. Putin duhet të kuptojë se pas një marrëveshje paqeje s’do të ketë mundësi të sulmojë dhe aneksojë territore të tjera të Ukrainës. Mendoj se Putin ka bërë gabim duke dërguar delegacion të nivelit të ulët në këtë takim. Tani topi është në fushën e tij, duhet të tregojë serioz për paqen që kërkojmë.

Ai e kupton situatën, ne kemi negociuar shumë kur isha kryeministër i Holandës, e di se është në telashe se ka gabuar duke dërguar delegacion të nivelit të ulët. Ukrainasit u ulën në tavolinë, dërguan një delegacion që është i gatshëm dhe tani është momenti për t’i dhënë fund këtij ngërçi dhe për të arritur një marrëveshje të rëndësishme. Putin nuk do të përpiqet më të aneksojë edhe një milje apo km tjetër nga Ukraina.”, u shpreh Rutte.

Kaja Kallas dhe Mark Rutte

Komente të ashpra në drejtim të presidentit rus pati edhe nga kryediplomatja e BE-së, Kaja Kallas e cila lajmëroi se paketa e 17-të e sanksioneve ndaj Rusisë është gati dhe do të shpallet shumë shpejt.

Në të njëjtën linjë ishin edhe kryeministrja e Letonisë, Evika Siliņa, kryeministri britanik Keir Starmer dhe kryeministrja italiane Giorga Meloni.

“Do të kërkojmë dhe pretendojmë armëpushimin pa kushte 30 ditor. Për fat të keq vetëm Rusia nuk do paqe në rajonin tonë. Do të biem dakord për sanksione të mëtejshme sepse kjo mund ta ndalë Rusinë. E di që sot do të diskutojmë edhe për emigracionin e paligjshëm dhe bashkëpunim ekonomik. Për rrjedhojë do ta përdorim këtë KPE si platformë të mirë për takimin e të gjithë udhëheqësve evropianë. “, deklaroi Silina.

Kryeministri britanik Keir Starmer

Ndërkohë Starmer tha se Europa duhet të jetë më e bashkuar se kurrë ndaj Rusisë.

Ndërsa Meloni tha se vendet europiane duhet të këmbëngulin për armëpushim të pakushtëzuar.

“Mendoj që nuk duhet të kërkojmë alternativa por duhet të këmbëngulim për një armëpushim të pakushtëzuar, të këmbëngulim për marrëveshje serioze paqe që të ketë garanci serioze për Ukrainën”


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë