Shendet

Mes vaksinimit të ulët dhe mos zbatimit të masave, shqipëtarët vazhdojnë të infektohen

Në Shqipëri ka rritje të numrit të rasteve me COVID -19 që nga konfirmimi i variantit Delta në vendin tonë.Kurba e rasteve të infektimit është në rritje gjithnjë e më shumë. Të shtunën janë shënuar 905 raste të reja numër ky i cili nuk mendohej një muaj më parë.
Rastet më të larta i ka qyteti i Tiranës me 3244 raste aktive, ndërsa problematik në bazë shifrash është edhe Shkodra me 1597 raste aktive. Ndërkohë në të gjithë vendin janë 8866 persona aktiv, shumë ndryshe nga fillimi i muajit ku ishin 402 pacientë aktivë.


Ekspertët e Shëndetit Publik në vend dhe të huaj i kanë thënë Gazetasi.al më herët se sipas shifrave do të vijojë edhe procedura e masave.
Gjatë mbledhjes së fundit të Komitetit Teknik, ekspertët komsideruan se janë të mjaftueshme masat aktuale por theksuan se është shumë e rëndësishme që ato të respektohen.
Masat në fuqi janë:
– Maska është e detyrueshme në transportin publik dhe në çdo ambient të mbyllur, si dhe kudo ku nuk respektohet dot distanca, edhe në ambientet e jashtme.
– Kufizimi i qarkullimit të lëvizjes dhe aktivitetit të bareve dhe restoranteve është nga ora 24:00 – 06:00.
– Klubet e natës, diskot, vijojnë të mbeten të mbyllura. Muzika lejohet deri në orën 23:00.
– Grumbullimet në ambientet e jashtme lejohen deri në 50 persona, duke respektuar rregullat e distancës sociale në zbatim të protokolleve të ISHP.
– Kampionatet sportive me prezencë të tifozëve, lejohen me kapacitete të reduktuara, deri në 30 %.
– Aktivitetet e teatrove shfaqjeve artistike dhe kulturore, konferencave lejohen me kapacitet të reduktuar, deri në 30%.

Por vëzhgime të vazhdueshme nga Gazetasi.al kanë konstatuar se jo vetëm që masat nuk respektohen por nuk ka asnjë kontrroll për masat e vendosura.

Mjeku epidemiolog në ISHP, Alban Ylli i ka thënë  Gazetasi.al më herët se pritet rritje e rasteve.
“Për arsye të verës dhe arsye të tjera rritja pritet të jetë graduale. Ky është skenari më i mundshëm,” shpjegoi eksperti.
Ekspertët e kanë theksuar vaksinimin një hap kyç për parandalimin e infektimeve, por përballë kanë hezitimin e madh të qytetarëve për të marrë vaksinën. Vendi ynë është ndër të fundit në Europë për numrin e ulët të vaksinimeve dhe vetëm 20% e popullatës i ka marrë të dyja dozat.
Tritan Kalo ka thënë për Gazetasi.al se në spital gjenden edhe pacientë në moshë të re, e pjesa më e madhe e të shtruarve janë të pa vaksinuar.
Mjrku epidemiolog në vend Ilir Alimehmeti ka thënë më herët për Gazetasi.al se varianti Delta do të ishte dominant në vendin tonë,ashtu si në të gjithë Europën në fund të muajit gusht.
Ilir Alimehmeti, Dritan Ulqinaku, Alban Ylli dhe ekspertë të tjerë të shëndetit publik e kanë parashikuar këtë gjendje më herët.
Ata janë shprehur për Gazetasi.al edhe më parë se duhet të jemi të përgatitur për një vjeshtë me  kurbë të lartë infektimesh, e këshilla e tyre gjithnjë ka qenë vaksinimi masiv dhe zbatimi i masave aktuale!


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë