Muzike

Mes shkeljeve dhe kaosit, RedCloud vazhdon aktivitetin me koncerte

Nga Gazeta ‘Si’- Përkundër kaosit dhe parregullsive të krijuara prej kohësh nga kompania e argëtimit RedCloud me shtyrje dhe anulime koncertesh, në rrjetin e tyre social Facebook, ditën e djeshme datë 16 Qershor është njoftuar sërish për një koncert të radhës nga grupi Dire Straits Legacy i cili do të mbahet në Shtator në Pallatin e Kongreseve.

Një absurditet i cili vazhdon edhe pas skandaleve të shumta me anullime koncertesh dhe mos kompensim të qytetarëve.

GazetaSi.al  ka trajtuar disa herë rastet e ankesave të qytetarëve pranë redaksisë  të cilët kanë raportuar anullime pa kompensim, sidomos në rastet kur biletat janë blerë fizikisht.

Përkundër arsyetimeve kontradiktore të administratorit të RedCloud dhënë për GazetaSi.al ato hidhen poshtë nga qytetarët, të cilët pranë redaksinë sonë janë ankuar se pavarësisht njoftimeve dhe kërkesave zyrtare për rimbursim, nuk kanë marrë përgjigje dhe as kthim të shumave të paguara. Ankesa të cilat i konfirmon edhe Agjencia për Mbrojtjen e Konsumatorit.

Vëmë re se që nga gushti i vitit 2024, janë të paktën gjashtë evente të RedCloud që janë shtyrë apo anuluar. Një mungesë totale transparence që ngre dyshime të arsyeshme mbi qëllimet reale të organizatorëve.

Ish-drejtuesi në sektorin e krimit ekonomik dhe avokati Fran Rica deklaroi më herët për GazetaSi.al se rastet e përsëritura të shtyrjeve apo anulimeve lënë vend për abuzim.

 “Mashtrimi në vetvete ka elementë vjedhjeje. Nëse shet bileta dhe nuk zhvillon shfaqjen, ose e shtyn vazhdimisht pa përcaktuar datën, atëherë kemi të bëjmë me një formë abuzimi. Madje, nëse shtyrja është e qëllimshme, siç mund të hamendësojmë në këtë rast, atëherë kemi të bëjmë me mashtrim financiar të mirëfilltë” deklaroi Rica.

Në thelb të shqetësimit nuk është thjesht kaosi logjistik, por mungesa e përgjegjësisë së organizatorëve përballë një publiku që investon kohë, para dhe emocione për të qenë pjesë e eventeve kulturore.

Kur spektaklet e shpallura me pompozitet shtyhen për muaj të tërë apo anulohen pa paralajmërim, dhe përkundër kësaj, kompania RedCloud shpall njoftime për koncerte të reja si një formë e mirëfilltë karshëllëku ( siç është rasti i fundit i  koncertit të Dire Straits Legacy)  qytetarëve nuk u mbetet tjetër veçse të shtrojnë një pyetje thelbësore: Si është e mundur që këto veprime kryhen haptazi, nën sytë e institucioneve që duhet të mbrojnë konsumatorin dhe si vazhdon një kompani e tillë të kryejë akrobacira të tilla duke anuluar dhe shpallur data eventesh pa asnjë kriter?

Eventet kulturore janë ngjarje publike, jo ceremoni private.

Ato përfshijnë mijëra njerëz që blejnë bileta dhe presin me padurim të përjetojnë një shfaqje apo koncert.

Mospërmbushja e kësaj pritshmërie nuk është më një çështje keqorganizimi, por e papërgjegjshmërisë së  një sistemi që në mungesë të kontrollit institucional, lë vend të mendosh se kemi të bëjmë me skemë abuzimi të përsëritur nga një kompani e cila premton spektakël ndërkohë vetë është shndërruar në një cirk.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë