Nga Gisela Troplini – “Ne jemi huliganë, nuk na duhet qetësia”- bërtiste një i ri që qëndronte në cep të oborrit të selisë së PD-së, aty ku po mbahej protesta, ndonëse nuk po bënte asnjë veprim.
Pjesa më e madhe e protestuesëve qëndronin larg atyre që po thyenin dyer e dritare, por i motivonin ata për të hedhur molotov, e granata, të gatshëm për çdo lloj të papriture, dhunë apo më tepër se aq.
“Ne nuk duam fjalime”,-bërtiste një zonjë teksa fliste ish-Kryeministri-“Le të bëhet dhunë e rrëmujë, protestat kështu funksionojnë.”
Ardhur nga Kukësi, vullnetarisht, S. rreth të 30-ave thotë se është i gatshëm për çdo gjë dhe se do i shkojnë deri në fund sepse siç thotë ai “Ky na ka lodh”, referuar Kreut të Partisë Demokratike, Lulzim Basha.
Nga të gjitha anët e selisë ishin të rinj e të vjetër që shkatërronin dyert dhe pas entuziazmit se i hapën ato, i bllokonte gjithmonë fasada e blinduar pas tyre.
“Janë profesionistë ata që janë marrë për të hapur dyert, por i ka izoluar me pllaka hekuri, si Enver Hoxha”, -thotë një aktivist i PD-së, për Gazetasi.al, në protestën e thirrur nga Berisha.
Të gjithë protestuesit, me të cilët Gazetasi.al komunikoi ishin ish-simpatizantë të Bashës. Më shumë se sa për të mbështetur Berishën ishin aty për të larguar Bashën, atë që i tradhëtoi ato.
N. kreu i grupseksionit të PD-së në qytetin e Durrësit tregon për gazetasi.al se nuk janë thirrur nga askush, ndryshe nga protestat e mëparshme të drejtuara nga Basha, kur ftoheshin dhe merrnin direktiva.
” Protesta tjetër do të jetë e frikshme. 300 vetë janë përgatitur për t’i bërë ballë dhunës e vdekjes. Pastaj ‘kujt t’ja japë zoti'”.
Më tepër ai tregon, se për të, që vjen nga brenda strukturave të PD-së, kjo protestë ishte e pakoordinuar, nuk ia dolën të bënin asgjë. “Mërzia e Berishës dallohet”.
Një ditë më parë Sali Berisha ju bëri thirrje demokratëve t’i bashkoheshin protestës së ideuar prej tij.
Lori, aktiviste e vjetër e Partisë Demokratike që nga fillimi i saj, e zhgënjyer tregon se ka qenë përherë krah Bashës, në çdo protestë, tek çadra dhe këtë herë Basha është ai që po e mbyt me gaz.
“Na e bëri më keq se Edi Rama”, -dëgjoheshin protestuesit teksa vraponin për të dalë nga hapësira ku ishte shpërndarë gazi lotsjellës i ardhur nga brenda selisë. Qytetarë e gazetarë që kalonin hekurat, shkurret, rrëzoheshin për t’i shpëtuar.
Dhjetra protestues u turrën në lumin e Lanës për t’i hedhur ujë syve dhe fytyrës që po u digjte nga gazi lotsjellës. Harruan se Lana është e ndotur, sepse i vetmi instikt aty ishte ai i mbijetesës.
Por shumë shpejt, u erdhën në ndihmë dhe forcat policore me autobotet me ujë drejt tyre.
Ishte e madhe prania e të rinjve dhe adoleshentëve të gatshëm për kaos e dhunë, ndonëse jo shumë të përfshirë në situatën politike, ndoshta nuk e dinin fare se çfarë kishte ndodhur në herët midis dy kaheve të PD-së dhe pse u thirr një protestë.
Një protestë e (pa) paqtë e thirrur nga ish-Kryeministri dhe ish-Kreu i PD-së, Sali Berisha, i ndau protestuesit në tre grupe. Ata që thyen dhe shkatërruan. Ata që flisnin për të thyer e shkatërruar, dhe ata që qëndronin indiferentë në qoshe të sigurta të oborrit, duke tymosur dhe duke bërë analizën politike të situatës.
Demokratët kundër demokratëve i mbante nën kontroll vetëm thirrja e drejtuesëve të tyre dhe mungesa e mjeteve për të mos rrezikuar jetë. Ata nuk ishin dakord me ruajtjen e qetësisë dhe kishte nga një bravo për çdo herë që hidhej një gurë a dëgjohej ndonjë goditje. Ama ishin të gjithë në një mendje kur bëhej fjalë për të mbrojtur gazetarët e për t’i dhënë atyre përparësi.
Gazi i Partisë që qëndronte brenda selisë dhe uji i policisë, shpërndanë protestuesit në të katërta anët e bulevardit Zhan D’Ark. Si një imazh post apokaliptik, kryqëzimi ishte mbushur me forca policore me mburojë dhe maska kundërgaz. Rrugët ishin zbardhur nga lëndët e hedhura nga autobotet. Protestuesit me sy të skuqur dhe probleme me frymëmarrjen ishin ulur në trotuare me shishe uji në dorë dhe duke telefonuar të afërmit e tyre që nuk e dinin nga cila anë kishin shkuar.
Ndonëse një pjesë e madhe e qytetarëve u larguan, një pjesë tjetër u drejtuan për te Kryeministria, aty ku i priste ish-Kryeministri Berisha. Qetësisht, duke ecur ata u rikthyen pothuajse në seli, të bllokuar nga gazet lotsjellëse, të policëve këtë herë.
Kjo ishte veprimtaria e fundit e protestuesëve, të (sapo) lajmëruar për një protestë të radhës ku sipas tyre nuk do të jetë kaq e qetë.
Policia mbërtheu selinë e Partisë Demokratike dhe e shpalli atë skenë krimi. Basha ngeli brenda, Berisha njoftoi konferencën për media. Dhe protestuesit u kthyen në Kukës, Vlorë, Berat, Durrës, për t’u rikthyer herën tjetër, kur “e sigurtë që do t’a marrin”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.















