Gazeta Si – Me ndalimin e disa dhjetëra emigrantëve në qendrën e paraburgimit të riatdhesimit (CPR) të ndërtuar nga Italia në Gjadër të Shqipërisë, ka nisur dhe përdorimi i parë i godinave të posaçme pas disa muajsh në të cilat ato ishin të boshatisura.
Fillimisht, ai vend nuk ishte menduar ekskluzivisht si CPR, por si një qendër më e madhe për transferimin e emigrantëve të kapur në Detin Mesdhe në pritje të vlerësimit të kërkesës së tyre për azil, me një qendër paraburgimi dhe një burg brenda.
Qeveria italiane është përpjekur ta përdorë në këtë mënyrë prej muajsh, pa sukses, derisa në muajin mars të këtij viti, miratoi një dekret-ligj që e bën të përdorshëm, të paktën për pjesën e përdorur si CPR, si çdo objekt tjetër në territorin italian.
CPR-të janë objekte ku njerëzit që kanë marrë një urdhër dëbimi (për shkak se kërkesa e tyre për azil është refuzuar ose për arsye të tjera), dërgohen dhe presin të riatdhesohen.

Në Itali janë rreth dhjetë prej tyre dhe të gjithë kanë probleme serioze, duke përfshirë kushtet e tmerrshme të paraburgimit dhe shkeljet sistematike të të drejtave të njeriut.
Gjadri në qytetin e Lezhës nuk bën përjashtim, sipas asaj që i thanë medias italiane “Post” dy persona që vizituan vendin disa ditë më parë pas transferimit të emigrantëve: Cecilia Strada, deputete e Partisë Demokratike në Parlamentin Europian, e cila e ka ndjekur nga afër këtë çështje prej disa kohësh dhe juristja Anna Pellegrino e Shoqatës për Studime Ligjore për Emigracionin (ASGI).
Nga 11 prilli e deri më tani, domethënë që kur grupi i parë i emigrantëve u transferua në qendër, 35 nga ato që janë përcaktuar si “ngjarje kritike” kanë ndodhur tashmë, sipas regjistrit të qendrës të konsultuar nga Pellegrino dhe Strada.
Grupi fillimisht përbëhej nga 41 persona, tani janë 25: sipas një burimi të njohur me faktet e intervistuara për këtë artikull, i cili preferoi të mbetej anonim, një transferim i dytë i emigrantëve është i pashmangshëm në një numër që duhet të kompensojë numrin e personave të kthyer në Itali ose të riatdhesuar, pra rreth 15 në total.

Përkufizimi i një “ngjarje kritike” përfshin një sërë gjërash, duke përfshirë protestat, përpjekjet për vetëvrasje dhe aktet e vetëlëndimit.
Në këtë rast, ato janë kryesisht akte vetëlëndimi: Strada foli për njerëz që dëmtuan veten me mjete prerëse, për një që tentoi të qepte buzët, duke i shpuar me një tel metalik (një lloj proteste mjaft e zakonshme në ambientet e paraburgimit) dhe për një tentativë varjeje që autoritetet e godinës e klasifikuan si një veprim demonstrues, si një protestë dhe jo si një përpjekje të vërtetë për të kryer vetëvrasje.
Kaq shumë, për kaq pak ditë paraburgim në CPR: “Po flasim për mesatarisht dy ngjarje e gjysmë kritike në ditë”, – thotë Pellegrino, e cila ashtu si Strada vizitoi qendrën Gjadër të shtunën më 26 dhe të dielën 27 prill.
CPR në Gjadër është pak më ndryshe nga të tjerat në Itali: disa nga problemet tipike të CPR-ve italiane nuk janë aty, por ka të tjera që sipas Stradës dhe Pellegrinos e bëjnë paraburgimin atje veçanërisht të patolerueshëm.

Për shembull, qendra nuk është e mbipopulluar si CPR-të e tjera: në atë në Gjadër aktualisht janë në dispozicion 48 shtretër (kur është plotësisht funksional duhet të jenë 144 në pjesën CPR, nga 880 gjithsej vende në të gjithë qendrën e paraburgimit në Gjadër) dhe siç u përmend për momentin, brenda janë 25 emigrantë.
Problemet lidhen kryesisht me sigurinë e këtyre personave dhe gjendjen e tyre të izolimit, shumë më ekstreme se ajo e një qendre italiane.
Strada, e cila mundi të vizitonte qelitë brenda qendrës, foli mbi të gjitha për mungesën e masave parandaluese në lidhje me tentativat e shpeshta për vetëvrasje që ndodhin aty.
Ajo thotë se në çdo qeli ka një krevat marinari dhe një tavolinë të gozhduar në dysheme me një spërkatës zjarri të ngjitur në tavan, domethënë sensori që aktivizohet duke spërkatur ujin: është i përbërë nga një strukturë metalike në të cilën është shumë e lehtë të ngjiten litarë ose çarçafë, dhe me tavolinën e gozhduar poshtë saj është shumë e arritshme: “Pyes veten, se me çfarë logjike janë menduar ato qeli, duke marrë parasysh atë që dimë për kushtet e tyre në një CPR”, – thotë Strada.

Në CPR-të në Shqipëri u sollën edhe persona që kishin vite me radhë në CPR-të italiane, të cilat, ndër të tjera, njihen për mënyrën sesi dobësojnë kushtet psikofizike të njerëzve brenda tyre: në fund të periudhave të paraburgimit, ata që largohen, shpesh e gjejnë veten në kushte më të pakëndshme sesa kur hynë, në shumë raste me patologji të akumuluara ose nga varësia e drogës.
Strada dhe Pellegrino thonë se në mesin e 25 emigrantëve të ndaluar në CPR-në shqiptare, ka disa që vijnë nga burgjet italiane, të cilat janë gjithashtu famëkeqe në kushte të tmerrshme.
Në CPR e Gjadrit, ka edhe të paktën një person që jeton rregullisht në Itali prej shumë vitesh, duke punuar dhe me leje qëndrimi: “Fjala është për një person që ka humbur dokumentet për të qëndruar në vend, pasi është detyruar nga punëdhënësi të punojë ilegalisht, duke u bërë kështu formalisht emigrant i parregullt”, thotë Strada.
Një faktor tjetër, që e bën CPR-në shqiptare një vend veçanërisht të vështirë, është izolimi i tij, i cili është më i madh dhe më i ndryshëm se ai i një CPR-je italiane.

Në disa prej tyre mund të mbahet celulari me vete, për të lundruar në internet ose për të telefonuar familjarët, për të marrë pako me rroba apo ushqime, apo vizita nga avokati: në atë në Gjadër nuk mund të përdoret celulari, marrja e paketave me cigare dhe takimet me avokatët italianë janë më sporadike, sepse qendra ndodhet në një shtet tjetër. Për më tepër, ende nuk është aktivizuar një llogari rrjedhëse për të marrë para dhe për të blerë ushqime apo cigare shtesë, siç bëhet në burg. Nuk ka dhoma të përbashkëta.
“Emigrantët në qendër të Gjadrit jetojnë në një harresë: je krejtësisht i shkëputur nga bota, të shkëputur nga konteksti; nuk e di sa është ora, sa kohë ka kaluar dhe nuk e di as sa do të rrish aty, ndryshe nga ç’ndodh në një burg, ku vuan një dënim të përcaktuar”, thotë Strada, e cili shton se disa prej personave në qendrën e Gjadrit as nuk i kishin thënë se ku po shkonin, kur i morën nga CPR-të apo nga burgjet italiane.

Si Strada, ashtu edhe Pellegrino thonë se ka një mungesë të fortë transparence për atë që ndodh në CPR Gjadër dhe menaxhimin e saj: ato thonë se ishin në gjendje të përcaktonin numrin e saktë të njerëzve brenda qendrës vetëm të dielën në kohën e drekës, pasi ata kishin qenë atje për një ditë, sepse stafi i objektit pretendoi se nuk mund të jepnin asnjë informacion për qendrën.
“Kufizimi i fuqisë së inspektimit është më i fortë se ai i parashikuar tashmë nga një CPR italiane”, thotë Pellegrino.
Ajo dhe Strada kanë bërë një kërkesë për akses në dokumentet me listën e të arrestuarve, një kopje të regjistrit të ngjarjeve kritike, dekretet e paraburgimit dhe dekretet e transferimit, të gjitha dokumentet aktualisht të padisponueshme.
Përshtati: Gazeta “Si”
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.