Nga Liridon Mulaj– Namik Dokle është një nga deputetët më jetëgjatë në parlamentin shqiptar. Në moshën 79-vjeçare, tashmë i tërhequr nga politika aktive ai është dedikuar tërësisht letërsisë, sigurisht pa lënë anash edhe politikën por si vëzhgues dhe analizues i saj.
I ftuar në Podcastin “T’pa thana” në Gazetasi.al ai rrëfen për politikën e sotme në raport me atë djeshme por edhe për letërsinë e tij ku duket sikur ka bërë një pakt të madh, të lartësojë Gorën dhe kulturën gorane për brezat e rinj.
Referuar politikës së sotme dhe parlamentit, Dokle thotë se niveli i ulët kulturor është shkak për këtë polarizim të fortë të shoqërisë e cila ndjek modelin e politikanëve.
“Nëqoftë se në parlament ka grindje, kjo grindje përcillet dhe në militantë. Ajo çka e ashpërson politikën sot është niveli i ulët kulturor i parlamentit. Në grupin parlamentar të legjislaturës 92-96 ku unë beja pjesë, nga tridhjetët e tëtë deputetë, nëntë ishin profesorë dhe pjesa tjetër specialistë që vinin nga përvoja të mëdha jetësore, dhe kur ke këtë pervojë nuk i merr gjërat në thembër. Dhe nëse atëherë kishte profesorë dhe specialistë shumë të mirë në proefesionet e tyre, sot ka më pak të tillë me një karrierë të konsoliduar” thotë Dokle
Ai ka një këshillë për politikanët e rinj të cilët aspirojnë të jenë deputetët e ardhshëm, ku thotë se politikani duhet të dashurohet me politikën dhe jo veten e tij në politikë.
“Do ju këshilloja vetëm një gjë. Të vendosë nëse do të dashurohet me veten e tij në politikë apo me vetë politikën. Ata që dashurohen me politikën bëjnë punë të mira ndërkohë ata që dashurohen me veten e tyre në politikë mendojnë se janë strumbullari i gjithçkaje që ndodh dhe sikur gjithë bota vërtitet rreth emrit të tyre. Kjo është një ego boshe. Nëqoftëse i futesh politikës, duhet të jesh pasionant , dhe i vendosur të bësh ato çfarë thua dhe premton” thotë ai
Sipas Dokles, politika dhe letërsia nuk mund të bashkëjetojnë, ndaj dhe ai vendosi në një pikë të jetës së tij të ndiqte ëndrrën e letërsisë.
“Politika dhe letërsia ngjajnë në një aspekt, të dyja duan përkushtim. Të merresh më gjithë çfarë kë me politikën ose me letërsinë. Duke i bërë të dyja njëherësh ato xhelozohen ndaj njëra tjetrës. Dhe kjo është arsyeja që ne që jemi shkëputur nga politika për të vazhduar ëndrrën tonë, duam ta vazhdojmë këtë ëndërr . Nuk duam të hymë nga një derë e cila kemi dalë dhe e kemi mbyllur përfundimisht”
Misioni i tij dhe i letërsisë së tij është ringjallja kulturore e krahinës së Gorës, së cilës dhe i përket. Ai thotë se e folmja e Gorës është lënë qëllimisht në harresë.
“E folmja e Gorës është një sllavishte arkaike e papërpunuar në libra, radio apo televizione. Edhe gjatë diktaturës, jepeshin në festivale vallet e Gorës po kurrë këngët. E megjithatë ajo vazhdon të ruhet nëpërmjet tregimeve, këngëve , baladave dhe legjendave. Që në fëmijëri kam dëgjuar shumë legjenda dhe një pjesë prej tyre i kam hedhur në romanet e mija që i kushtohen Gorës” thotë Dokle për “T’pa thana”
Në fund, ai ka dhe një shpjegim se pse politika është në tërësi një mjegullnajë.
“Tipari kryesor i politikës është mjegulla. Ajo mjegullohet e mjegullohet ndërkohë që të gjithë shpallin se po e kthjellojnë por ky kthjellim është shumë larg” përfundon Dokle
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.