Aleksandër Vuçiç iu turr mbrëmjen e së enjtes Kryeministrit të Kosovës Albin Kurti me një gjuhë aspak të zakontë. Madje diplomati Arben Çejku e cilësoi “një fjalor ordiner”. Presidenti i Serbisë e gjeti kështu “sebepin” për të bojkotuar Samitin e Bashkimit Europian me vendet e Ballkanit Perëndimor në 6 dhjetor në Tiranë, që duhet theksuar se është i pari i këtij formati dhe ka rëndësi edhe për rajonin.
Shpërthimi i Vuçiç për Kurtin
“Ti terrorist llum, të kesh kujdes që të mos e lëndosh ndonjë serb me zgjedhjet që bën, sepse serbët dhe shteti serb do të dinë se si të përgjigjen. Dhe ty Evropë, turp të qoftë” iu drejtua Vuçiç Kryeministrit të Kosovës.
Kjo deklaratë e Presidentit serb u bë pas emërimit të Nenad Rashiqit ministër për Kthim dhe Komunitete në Qeverinë e Albin Kurtit dhe Rada Trajkoviçit si këshilltare e ministrit Rashiç. Ky i fundit është Kryetar i Partisë Demokratike Progresive të serbëve të Kosovës me seli në Graçanicë.
“Jo vetëm që i kanë shkelur të gjitha normat e marrëveshjes së Brukselit, por edhe të gjitha normat e së drejtës ndërkombëtare dhe nuk e kanë dert sepse kjo është në interesin e një fuqie evropiane”, u tha medieve në Beograd presidenti serb. Sipas Vuçiç, zoti Rashiç nuk e ka besimin e askujt në Kosovë, “por e ka besimin e (kryeministrit) Albin Kurti dhe perëndimit dhe mendojnë se kësisoj mund të frikësojnë serbët”.
Ai përsëriti se Kosova është “shenjtëria më e madhe serbe”.
“Më mirë të mos jem sesa t’ua dorëzojë në duar. Dhe nuk do t’ua dorëzojë. Askush nga Serbia nuk do të jetë në Tiranë me 6 dhjetor”, tha ai, duke shprehur zemërimin me “reagimin e butë të Bashkimit Evropian” ndaj emërimit të zotit Rashiç.
Ai iu referua një deklarate të zëdhënësit të BE-së për mediat serbe i cili citohet të ketë thënë se “është me rëndësi thelbësore që emërimet e ministrave të bëhen në pajtim më Kushtetutën e Kosovës. Në rastin konkret i bëjmë thirrje Kosovës të sigurohet që janë përmbushur të gjithë hapat procedural për emërimin e ministrit që përfaqëson bashkësitë jo shumicë”.
Pse Kurti emëroi serbin Rashiç?
Emërimi i ministrit Rashiç u bë më pak se një muaj pas dorëheqjes se ish ministrit Goran Rakiç nga radhët e Listës Serbe.
Dorëheqja pasoi mospajtimet e përfaqësuesve serbë në veriun e Kosovës me vendimin e qeverisë qendrore për konvertimin e targave të makinave të lëshuara nga Serbia. Aktualisht në institucionet e Kosovës në veri nuk ka punonjës serbë, ndërsa Lista Serbe zuri vendet e lëna bosh në parlamentin e Kosovës, siç u tha, për të mos lejuar që ato të mbushen me serbë të “dëgjueshëm” ndaj autoriteteve në Prishtinë. Më 23 nëntor Kosova dhe Serbia arritën një marrëveshje lidhur me përdorimin e targave të makinave që çoi në uljen e tensioneve në veriun e Kosovës por jo edhe kthimin e punonjësve serb në institucione.
Sebepi para 6 dhjetorit
E gjithë kjo situatë që Aleksandër Vuçiç krijoi 5 ditë para samitit të BE-së me vendet e Ballkanit Perëndimor në Tiranë nuk është e rastësishme.
Presidenti serb bojkoton një takim që nuk e organizon Albin Kurti me të cilin ai ulet sa herë e kërkon Brukseli në ditë krizash apo për të arritur marrëveshje.
Vuçiç po gjen shkak për të mos qenë pjesë e kësaj ngjarje të rëndësishme për rajonin, ku kryeministrat e 27 vendeve të unionit do të angazhohen për përshpejtim të anëtarësimit të vendeve të Ballkanit në BE.
Madje përveç kësaj, Vuçiç po shmang edhe një takim trepalësh që Presidenti francez Macron do të zhvillonte me të dhe Kurtin në Tiranë rreth planit franko-gjerman që mendohet si rruga e vetme për marrëveshjen përfundimtare mes Kosovës dhe Serbisë.
Nëse Serbia është e vendosur për të bojkotuar Samitin e së martës në Tiranë, ndoshta kjo do të jetë dita kur ky shtet do ta bëjë zyrtare rrugën që dëshiron të ndjekë. Deri më tani, sidomos që pas nisjes së luftës në Ukrainë ka qenë me sy nga Brukseli dhe zemër në Moskë. Por nëse nuk merr pjesë në samitin e 6 dhjetorit, Bashkimi Europian duhet ta rishikojë përkëdhelinë më Serbinë që deri më tani e ia ka lejuar të vijojë me këtë lojë të dyfishtë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.