Gazeta Si – Bazat e një grupi që transportonte emigrantë të paligjshëm sirianë, janë goditur në Shqipëri dhe Kosovë.
Policia thotë se 8 persona janë arrestuar, 3 të tjerë do të jenë në “detyrim paraqitje” dhe 4 janë shpallur në kërkim, pasi merrnin para për të transportuar emigrantë të paligjshëm drejt BE-së.
Sipas policisë, shumat fillonin nga 6.000 euro për person për të kaluar nga Shqipëria, përmes Kosovës e Serbisë me destinacion vendet e Bashkimit Europian.
Si rezultat i këtij operacioni, u bë ekzekutimi i vendimit të Gjykatës së Shkallës Parë Dibër, e cila ka vendosur masat e sigurimit personal “Arrest me burg” për veprën penale “Dhënia ndihmë për kalim të paligjshëm të kufijve” për shtetasit si më poshtë:
A.H., 40 vjeç, banues në Krujë
A.F., 49 vjeç, banues në Tiranë.
A.Gj., 28 vjeç, banues në Tiranë.
A.M., 24 vjeç, banues në Kukës.
K.D., 18 vjeç, banues në Kukës.
M.O., 29 vjeç, banues në Kukës.
U ekzekutuan masat e sigurisë në ambientet e IEVP për shtetasit : Sh.P., 27 vjeç, banues në Fushë-Krujë, dhe M.K., 40 vjeç, banues Tiranë.
Janë shpallur në kërkim policor shtetasit : R.Gj., 23 vjeç, M.Z., 23 vjeç, banues në Tiranë; dhe G.K., 28 vjeç, I.R., 43 vjeç, banues në Kosovë.
Detyrim paraqitje
Gjithashtu janë caktuar masat e sigurimit personal “Detryim paraqitje”, për veprën penale “Dhënia ndihmë për kalim të paligjshëm të kufijve” , për shtetasit:
P.K., 68 vjeç; K.K., 22 vjeç, dhe M.K., 33 vjeçe, banues në Tiranë.
Hetimet
Këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, ofronin ndihmë për kalimin e paligjshëm të kufijve, shtetasve me origjinë siriane, të cilët ndiqnin itinerarin që fillonte nga Lindja e Mesme në drejtim të Turqisë, Greqisë, Shqipërisë, me qëllim transportimin e tyre, ku kundrejt pagesave, të cilat fillonin nga 6000 euro për person, iu premtonin kalimin nga Shqipëria, Kosova dhe Serbia me destinacion vendet e BE-së.
Çfarë u sekuestrua
Gjatë operacionit janë sekuestruar shuma të konsiderueshme monetare, automjete të cilat përdoreshin për transportimin e shtetasve të huaj, aparate celularë dhe pasaporta të shtetasve huaj. Janë identifikuar bazat e strehimit të emigrantëve në Tiranë dhe në Kosovë si dhe është bërë i mundur dokumentimi i transfertave të parave në euro të kryera ndërmjet këtyre shtetasve.
Nga analiza e këtyre transaksioneve, vihet re se vlerat monetare janë transferuar nga Greqia, Shqipëria, Bosnjë-Hercegovina, Serbia, Gjermania, Mbretëria e Bashkuar dhe vendet e lindjes, të cilat kapin vlerën e 36.912 euro.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




