Art dhe Kulture

Meri, ditari i një gruaje pranë Lasgush Poradecit

Nga Sindi Bego- Meri Lalaj e pa për herë të parë Lasgushin kur ishte ende fëmijë; kur filloi të shihte njerëzit dhe botën përreth saj. Lasgushi ka lindur në kapërcyell të shekullit të nëntëmbëdhjetë dhe në prag të shekullit të njëzet; më 27 dhjetor 1899. Pogradeci atëherë ishte një qytet i qetë dhe i vogël. Meri ka lindur në një shtëpi as njëqind metra larg shtëpisë ku jetonte Lasgushi.

Meri Lalaj

Meri Lalaj është një grua që flet bukur për letërsinë. Mikesha e shumë shkrimtarëve të njohur; ajo njihet dhe për miqësinë e saj me Lasgush Poradecin. Unë u njoha për herë të parë me Merin në një udhëtim me makinë nga Durrësi në Tiranë. Disa muaj më vonë, gjatë verës së këtij viti; libri i saj “Lasgushi në Pogradec”, do të më bënte ta shihja ndryshe qytetin (Pogradecin). Ndodhesha pikërisht në Pogradec në qytetin i cili do të merrte një tjetër dimension tek unë teksa nisa të lexoja librin e Merit. Historia e një gruaje e një burri do të rrëmbente imazhin tim për qytetin, duke mësuar nga një faqe në tjetrën historinë e jashtëzakonshme të një ditari. Ditarin e Merit për vizitat e takimet e saj me Lasgush Poradecin; shumë pak të komentuara nga studimet shqipe, është një nga historitë që e bën më të plotë e njëkohësisht më tërheqës figurën e Lasgush Poradecit. Shkruar plot kulturë Meri shpalos një Lasgush interesant si vargjet që ka shkruar, e njëkohësisht aq njerëzor. Ditari i saj nis që në kohën kur Lasgushi u konfigurua për herë të parë në kujtesën e saj. “Kur isha e vogël; nuk e dija se ai burri me kostum të bardhë ; me bastun në dorë dhe me qen që e ndiqte nga pas; ishte poeti Lasgush Poradeci. Ai vinte tek daja im; Kostaq Gusho; në shtëpinë përballë sonës dhe shpesh bisedat bëheshin aty në oborr ulur në karrige. Vinte dhe Mitrush Kuteli; që ishte byrazer me dajën tim”, shkruan ajo. Në vogëli a të e mahnitnin mbrëmjet e ngrohta të verës me qiell të kulluar dhe me hënën e plotë atje lart; nëpër natë përhapej aroma dehëse e frutave të pjekura ndër kopshte.

Shënimet për takimet me Lasgushin ajo nisi ti mbante në vitin 1979. ”Në këto shënime mungojnë sharjet që i bënim Partisë e Qeverisë; këto të fundit nuk i shkruaja nga frika se mos blloku im binte në dorë e përfundonim në hetuesi si unë ashtu edhe Lasgushi. Gjatë kohës që mbaja shënime e qetësoja veten:”Do të shkruaj fare thjesht për Lasgushin si njeri: si bisedon, si ha si fle, si vishet e për gjëra të tjera të rëndomta të jetës së tij”, tregon ajo. Shënimet kanë qenë të shpërndara nëpër shumë blloqe ku hidhte dhe detyrat e saj si mësuese.

Shënimi i parë mban datën 9.9.1979. Ja çfarë shkruan ajo:

“Takova Lasgushin; mban dy rripa prej lëkure në mes mbi pantallona dhe një thikë me këllëf në brez. Erdhi më vonë në shtëpi tek unë dhe më solli fjalorin. (Nuk më kujtohet: më kishte kërkuar një fjalor anglisht-italisht apo italisht-anglisht).

Më 24.9.1979 ajo shkruan:

Nëpër oborrin tonë (shtëpia e mamasë) kaloi Lasgushi bashkë me qenin. Kishte hequr xhaketën dhe e mbante hedhur përmbi sup si çapkënët çakërrqejf. Këmishën e bardhë e kishte me njolla të gjelbërta; siç duket do të kishte ndenjur shtrirë mbi bar; nën këmishë mbante të veshur fanellë leshi. Me xhaketën mbulonte barkun; vura re se këmishën nga brenda  e kishte të mbushur plot me mollë dhe dukej tamam si shkollar i larguar nga ora e mësimit për të vjedhur fruta të papjekura. Sapo kishte zbritur nga Kalaja (kodra e qytetit). Dikur Kalaja ishte e gjitha e gjelbëruar me copa vreshti e drurë molle që ishin prona e pogradecarëve por tani është bërë fermë shtetërore dhe tregohet më pak kujdes për to.

Ditari i saj vazhdon çdo ditë deri në ikjen e Lasgushit nga kjo botë. Më 25.10.1981 ajo shkruan:

E diel. Vajta për disa minuta tek Lasgushi. Ai ishte lart në kullë. Më tha:”Prit një çerek minute!” dhe unë fillova të numëroja mbrapa derës:”Një dy tre...”Kishte ndezur zjarrin në sobë dhe po lexonte :”Kritikë arti” në frëngjisht. Ndër të tjera më tha:”Përse nuk ma ke shtypur akoma “Ekskursionin teologjik të Sokratit?”.I premtova se brenda javës do t’ia shtypja.

Më 30.10.1981 ajo shkruan:

Ia shtypa poemën “Ekskursioni teologjik i Sokratit” Lasgushit në katër kopje. Ai nuk donte të më jepte as kopjen e fundit; e cila ishte më e keqja por unë e mbajta. Nina iku në Tiranë dhe më la Lasgushin në dorëzim; çelësin e shtëpisë dhe disa gjellë të gatuara si dhe byrekë, qofte, kulaç.

Të enjten aty rreth drekës; unë ndodhesha tek dyqani që shet gjoja gjëra gjysmë të gatshme. Nga xhamat e lartë plot diell dallova Lasgushin dhe i dola përballë me vrap.-Më bli sallam ; më urdhëroi ai; pasi më bëri disa lajka:-Sa e mirë, sa çlodhëse je dhe më del përpara në çastin e duhur...-e të tjera.

Unë i thashë:

-Nuk të blej sallam se është nga ai i liri me thundra e veshë derri. Unë do të gjej kremvice ose peshk; se po të helmohesh me atë sallamin e keq unë do të përgjigjem para Lidhjes së Shkrimtarëve të Shqipërisë për ty. Sot drekën e ke gati. Në mbrëmje do të vij. Kur i shkova në të ngrysur , i ndeza zjarrin në sobën poshtë, ai ishte lart në kullë. Herë e kam gjetur duke lexuar poezi në gjermanisht herë kritikë arti në frëngjisht dhe hera herës me lupë në dorë si maniak duke lexuar ato shënimet mikroskopike të viteve 1937-1938. Mbrëmë kur i shpura lart në kullë Lasgushit librin e Elena Kadaresë “Bashkëshortë”, i thashë:-Po e zbres poshtë.

-Ç’thua!- më tha- Nuk kam kohë të lexoj, tregomë ku janë vargjet e mia. Pasi ia lexova shtoi:-Nuk e ka dhënë idenë time irredentiste për Kosovën.

Pasdite përsëri tek Lasgushi. Në dorezën e dorës së tij gjeta të ngulur një letër në të cilën shkruhej: “Meri e dashur lutem shumë që përpara se të ngresh sofrën të kesh mirësinë të ndezësh sobën që mund të ngrohet oda deri në darkë. Lasgush.”

Në 28 nëntor të vitit 1981 në ditar Meri tregon se Lasgushi kishte rënë në dashuri.

“Gatova një supë me perime, ndërsa mishit të grirë i hodha qepë, erëza dhe e zjeva me pak lëng. Pas orës dymbëdhjetë të ditës me gjellët e ngrohta shkova tek Lasgushi. Ai u kënaq sa më s’ka kur i shkova.-Erdhe besnike! Më tha. (Domethënë ai mendonte se edhe mund të mos i shkoja fare, ta braktisja). Unë iu përgjigja se i kisha sjellë gjëra për të ngrënë kurse ai pa e prishur fare terezinë vijoi: -Ti më the se nuk do të vije kurrë më!(o Zot, o Zot çfarë njeriu është). Paskëtaj u soll sikur mes nesh të mos kishte ndodhur asgjë fare. E megjithëse unë e kam zemrën e thyer e të copëtuar prej tij, nuk mund ta lë Lasgushin të vetmuar e të uritur. Përsëri i vajta në orën tre. I ngroha gjellët e i rregullova zjarrin. Kur vajta në orën gjashtë të mbrëmjes Lasgushi ishte i përkulur dhe po rrëmonte nëpër një pirg me dorëshkrime. Më tha se po kërkonte një poezi. Aty i kishte letra telegrame, kartëvizita, pusulla me shënime, kartolina urimesh e të tjera. Më tregoi “Autobiografia e Asdrenit” të shkruar me laps dhe në letër të zverdhur prej kohës fillonte kështu.”Asdreni flet Lasgushi shkruan”. Më tregoi letra të Anës me shkrim të bukur. Fillonin me fjalët në latinisht :”Poet i dashur”. Kur befas pash një fletore e tërhoqa dhe e lexova përmbi kapak shkruar prej dorës së Lasgushit “Vizitat e zonjushës Ana në kullën time”. Ia kërkova për ta lexuar, ai në fillim hezitoi pastaj kur i thashë që për dy ditë do ta lexoja e do t’ia ktheja, u bind. Kishte e një arsye tjetër që Lasgushi ishte atë kohë i zhytur në letra; atë natë festohej përvjetori i Çlirimit të Atdheut dhe përvjetori i Pavarësisë Lasgushit i kishin dërguar ftesë, por nuk vajti.

Të them të drejtën atë ditë besova vërtet se ekzistonte djalli e kjo gjë nuk kishte pikë dyshimi. Përse duhet ta gjeja Lasgushin duke rrëmuar në dorëshkrimet e tij dhe pikërisht rreth orës gjashtë mbasdite  vetëm njëzet e katër orë pas sherrit e gurgulesë që më bëri për karnetin me shënimet e dashurisë të Niqkës, se mos ndoshta ia pata marrë unë. Apo ai e bëri qëllimisht për mua që të shihja një copë tjetër të jetës së tij. Kur ma dha atë fletore mendoja se ishin shënime të rëndomta. Sapo u ktheva në shtëpinë time, pa mundur të hiqja dot pallton që në korridor, fillova të lexoja me kureshtje pa u ulur ashtu siç isha në këmbë. I lexova ato faqe tmerrësisht shpejt me një frymë, me një lexim diagonal për të thithur vetëm thelbin, kryesoren e asaj që shkruhej. Dhe, kur arrita tek faqja e fundit, nuk ngopesha dot me frymë, u hutova e u çmerita dhe fillova ta lexoja përsëri nga e para me vëmendje. Habia ime ishte e jashtëzakonshme dhe e pakufishme. Lasgushi kishte rënë në dashuri. Kishte rënë vërtet në dashuri! Dhe sipas shënimeve të tij mua më tronditi përputhja në kohë....

Fletoren “Vizitat e zonjushës Anë në kullën time” unë e ruajta nëntë vjet. Lasgushi asnjëherë nuk u kujtua të ma kërkonte, madje nuk ma përmendi kurrë. Pas gjashtë vitesh që unë e kisha në shtëpi atë fletore Lasgushi vdiq. Ditën kur përkujtohej përvjetori i tretë i vdekjes së tij unë ua ktheva të bijave fletoren ditar...

Me foton e Lasgushit në kopertinë e ngjyrën e liqenit në sfond, ditari i Merit është një libër që na tregon një Lasgush tjetër, që kjo grua pati fatin ta njohë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë