Gazeta Si – Mercedesi ka bërë prezantimin online të W15, për të cilën skuderia nga Shtutgarti ka një mision të qartë: të ruajë pozitat si rivale kryesore e Red Bull-it dhe të fitojë terren ndaj skuadrës që po dominon me Maks Vershtapen tre sezonet e fundit.
Këtu e vë theksin Toto Volf, kurse Ljuis Hemilton dhe Xhorxh Rusëll do të bëjnë provat në Silverston para se W15, – që për nga ngjyrat ofron një miks mes të zezës, ngjyrës së argjendtë dhe të kuqes, – të shkojë në Bahrejn për testet para kampionatit.
Hemilton ka deklaruar se është i vendosur që ta ndihmojë shokun e skuadrës ta çojë Mercedesin në një përballje më të fortë me Red Bull-in në Botërorin që nis të shtunën e 2 marsit në Bahrejn. Organika e Mercedesit në sezonin e 90-vjetorit do të plotësohet nga pilotët rezervë Mik Shumaker dhe Fred Vesti.
“E dimë që kemi një mal për të ngjitur, që të luftojmë në linjën e parë. Nuk bëhen mrekulli në këtë sport, u nisëm me këmbën e gabuar dy vjet më parë, por mendojmë se e kemi kaluar atë fazë. Besoj se kemi realizuar me W15 një makinë më të sinqertë se dy të fundit, efiçente dhe të fuqishme”, – ka thënë Toto Volf.
“Kemi një mision përpara dhe ne jemi të vendosur për ta realizuar. Mësimet e dy sezoneve të fundit na kanë ndihmuar të gjejmë drejtimin tonë. I presim me kokën lart sfidat e reja. Një makinë më stabël do të na lejojë të tregojmë potencialin jo vetëm të veturës, por dhe ne pilotëve. E di se çfarë mund të bëjë kjo skuadër. Jemi të motivuar dhe do të japim gjithçka në udhëtimin që na pret”, – është shprehur Hemilton.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.