Sabina Veizaj – Misioni i saj është vulosur nga destini. Kështu mendon ajo. Dhe derisa ta shpjerë deri në fund, nuk ndalet.
Është 71 vjeç dhe mbart sëbrendshmi një bagazh të jashtëzakonshëm njohës të Shqipërisë kulturore.
Të dhënat e kartës së identitetit të popullit shqiptar ajo i ka transkriptuar prej më shumë se 40 vitesh përmes objekteve dhe materialeve të tjera të krahinave të ndryshme të vendit.

Është Afërdita Onuzi, një nga etnografet më të vjetra shqiptare në jetë dhe ish-drejtorja e Qendrës së Studimeve Albanologjike. Mikesha ime, pianistja dhe regjisorja Sonila Kapedini, gjatë studimeve master e ka pasur pedagoge znj.Onuzi dhe e mrekulluar nga dija dhe misioni i saj kërkon të ma prezantojë, pasi më thotë: “ka projekte të reja të rëndësishme”.

Megjithë shqetësimet shëndetësore dhe moshën e pensionit, për znj.Afërdita ka shumë nevojë institucioni, i cili e ka rithirrur në detyrë që ajo të vazhdojë misionin e vet në lëmin e trashëgimisë kulturore.
Duke përzierë kafenë dhe me një buzëqeshje prej një zonje fisnike thekson destinin, fatin. “Sado të përpiqesh, kudo që të shkosh, destini vendos për ty. Ishte e shkruar që unë të merrja këtë rrugë”, thotë ajo, rrugë që ende nuk e ka përfunduar, por që nuk do të ketë një gur të fundit për t’u vënë. Pasi, siç thotë edhe vetë Afërdita, sa të ketë njerëz që marrin frymë, jetojnë, aq do të ketë edhe etnografi.
Etnografja Afërdita ka vazhduar traditën e profesorit të saj, etnografit të parë shqiptar i cili ka vendosur gurin e parë të themelit në këtë shkencë në Shqipëri në vitin jo dhe aq të largët 1947, Rrok Zojzi.
“Arkivat tona janë unikale. Rëndësia e këtyre është për çdo qytetar të Republikës së Shqipërisë. Arkivat tona janë të dhënat e kartës së identitetit të popullit tonë dhe janë faktet më kokëforte që tregojnë se kush jemi. Janë ato që dëshmojnë të kundërtën e asaj që është thënë për ne se jemi popull blegtoral që shkojmë pas bishtit të deles”, thotë profesoreshë Afërdita.
Duke kujtuar profesorin Rrok Zojzi, ajo rrëfen se etnografia në Shqipëri ka nisur në terren.
“Rroku është pionieri i etnografisë shqiptare. Ai ishte alpinist. Pati fatin që në vitet ’35-‘36 të shoqëronte disa studiues që erdhën në Shqipëri. Ai mori kulturë etnografike dhe qe ai që vendosi bazat e shkencës etnografike. Së pari u investua të ngrinte arkivën, të mblidhte materiale. Në vitet e para ka qenë ekspedita në terren. Arkeolog, etnograf, një grup që ishin të ndërgjegjshëm që kjo duhej bërë. Ai ka studiuar në gjimnazin e Shkodrës, por i pajisur me disa gjuhë të huaja që e ndihmuan të bisedonte me studiuesit e huaj që shëtisnin trojet shqiptare”, rrëfen znj.Afërdita, duke shtuar se një ndihmesë e madhe për këtë fushë kanë qenë edhe priftërinjtë françeskanë. Ata janë të vetmit që kanë mbledhur materiale për mënyrën e jetesës.
“Madje kemi 300 objekte trashëgimi përpara se të nisë zyrtarisht shkenca etnografike, të mbledhura nga priftërinjtë françeskanë në Shkodër që ia patën dhënë Muzeut të Shkencave të Natyrës, pastaj kaluan tek ne.
Afërdita flet me shumë pasion dhe koha e kufizuar bën që të kalojmë nga biseda në bisedë. Por ajo nuk e humb për asnjë çast zinxhirin logjik dhe e di shumë mirë që ajo që do të thotë më pas është kulmi i merakut të saj por që duhet të jetë edhe alarmi ynë.
Arkiva me materialet etnografike në rrezik
Një javë më parë në Muzeun Kombëtar të Brazilit ra një zjarr në përmasa katastrofike, i cili shkatërroi pjesën më të madhe të 20 milionë artefakteve të institucionit, meteoritët e muzeut ishin ndër të paktët relikte që rezistuan. Duke kujtuar këtë ngjarje, Afërdita shprishet në fytyrë dhe thotë: “Sapo dëgjova në lajme për ngjarjen e Muzeut të Brazilit, mendja më shkoi menjëherë tek Arkivi ynë”. “Arkivi po ulëret”, thotë ajo duke ngritur pak zërin dhe revolta i ndjehet që vjen nga thellë, nga dashuria dhe mundi i viteve për të zbuluar kulturën dhe historinë e vendit. Prej gati 8 vitesh arkivi me materialet etnografike është zhvendosur nga Muzeu Arkeologjik në një godinë në Rrugën e Kavajës, e cila nuk i ka parametrat e duhur për ruajtjen e materialeve kulturore etnografike “Që prej vitit ‘89 qeveria nuk ka investuar asnjë cent për pasurimin dhe mirëmbajtjen e Arkivit. Sistemi elektrik është i papërshtatshëm për arkivën, një gjë e vogël të ndodhë, ajo shkrumbohet dhe humbasim një pjesë të rëndësishme të trashëgimisë kulturore. Arkivi është me të vërtetë në rrezik. Në të njëjtën kohë ai ka nevojë për t’u mirëmbajtur, dezinfektohet dy herë në vit, ka nevojë për një ndriçim tjetër të përshtatshëm, çatia në dimër pikon, në verë nxehtësia dëmton objektet dhe ne nuk kemi mundësinë dhe hapësirën e duhur t’i shfaqim e të mos i mbajmë kostumet popullore përshembull nëpër sirtare”, tregon.

Në këto vite, tregon Afërdita, arkivi ka mbijetuar me punë ‘vullnetare’ nga njerëzit që e duan dhe e kanë pasion evidentimin dhe promovimin e trashëgimisë kulturore. Ajo kujton vitin e kobshëm 1997, kur arkivi i objekteve është ruajtur me kallashnikov nga punonjësit. Gratë bënin roje pasdite dhe burrat në darkë. “Kallashi qëndronte mbi tavolinë, unë as mund ta shikoja, e jo më ta prekja. Por nuk kishim rrugë tjetër. Duhet të ruanim objektet”, kujton Afërdita.
Ndërsa do vite më parë mban mend që një punonjëse vodhi disa armë dhe bizhuteri të fondit të arkivës. Rasti i parë dhe i vetëm gjatë viteve të punës së saj. Afërdita tregon se e denoncoi rastin dhe shkonte tutje tëhu në hetuesi. “Por më erdhi keq kur Adriatik Llalla, prokurori i çështjes, e pushoi rastin me argumentin se nuk kishte dëm ekonomik. Dëmi nuk ishte ekonomik, se objektet ishin blerë me 250 lekë, por ai nuk kuptoi vlerën e tyre kulturore dhe historike. Megjithatë në librezën e asaj zonje u shkrua arsyeja e shkarkimit. Pavarësisht se ajo mund të ketë kaluar disa kohë me paratë e objekteve të shitura në Greqi, ajo nuk mund të punojë më në profesion”.
Pasurimi i fondit është bërë në mënyrë ‘vullnetare’; kur njerëzit kanë sjellë diçka, ose kur Afërdita ka shkuar nëpër juri festivalesh dhe dhuratat që i janë bërë aty, i ka shpënë në arkiv. “Ka pasur shumë raste që kam qenë edhe e pacipë. Ua kam kërkuar sendet që mendoja se vlenin për arkivë”, tregon ajo duke kujtuar se në vitet përpara ‘89-ës shteti ka investuar shumë për sektorin e etnografisë. Lumturinë e parave – vazhdon rrëfimin Afërdita – e kam arritur edhe unë. “Me dy kamionë, veti i dytë ose i tretë, me dy qese beze plot me para niseshim e blinim objekte të trashëgimisë kulturore për të pasuruar fondin e arkivës”.
Aktualisht punonjëset e Institutit të Albanologjisë një fond e kanë pagëzuar “Fondi Afërdita”, pasi është krijuar me objektet e sjella prej saj.

“Më kujtohet diku nga viti 2001, miku im, historiani Zhoorzh Kastelani, (po e tregoj këtë histori për të të thënë se ku shkon lartësia e ndërgjegjes tonë, pasioni, dashuria e profesionit), kishte shkuar tek një mikesha e tij e cila kishte mësuar se ai do vinte në Shqipëri. Kam njohur një moldave, i thotë ajo, që ka punuar tek unë, e braktisur, ka pasur një histori dashurie me Mbretin e Shqipërisë. Ishte fjala për Tanja Visokovën. Ajo ka qenë e suksesshme në kohën e saj, balerinë dhe këngëtare. Ajo më ka lënë një amanet, i thotë, që ta çoj diku ku ia dinë vlerën. Ahmet Zogu i kishte bërë dhuratë kostumin e Lunxhërisë. Këmisha, mantoja, shumë e bukur. Kastelanit ia kish dhënë dhe i tha çoje ku të duash ti. Kur e takoj, ishte surprizë për mua. Shoh në atë zyrë një valixhe gri në një cep. Castellani thotë kam një dhuratë për ty. Në darkë më jep valixhen. E shoh dhe më tregoi historinë. Ai ma dhuroi mua dhe më tha “bëj çfarë të duash me të”. Unë qesha e nuk thashë gjë. E çova në zyrë. Kam qëndruar 2-3 net duke vrarë mendjen se çfarë duhet të bëja me të. Të tundonte. Nuk të gënjej. Më në fund vendosa, e ka vendin vetëm në arkiv. Lidhet me një figurë historike që duhet të jetë në arkivë”, kujton etnografia.
Ajo na tregon se në arkiv qëndron edhe kostumi i familjes së Nënë Terezës, një tepsi e familjes së Ali Pashë Tepelenës, si edhe një nga shpatat e Sulltan Bajazitit që ia pati dhuruar dhëndrit të vet në Korçë, Iljaz Bej Mirahori. “E ruajmë ne. Këto dalin në raste të veçanta, një herë në 20 vjet. Janë për botime ilustrative, muze, ekspozita të përkohshme, brenda dhe jashtë vendit”, thotë Afërdita.

Ajo kujton dy momente kyçe që kanë shërbyer për ndryshimin e imazhit të Shqipërisë në botë dhe njohjen e botës me trashëgiminë kulturore shqiptare. E para një ekspozitë në Norvegji në vitin 1991 ku vërshuan mediat dhe e dyta në 2006 në Uashington ku shkoi sëbashku me Liri Berishën. “Ekspozita ishte për Nënë Terezën, por unë e shfrytëzova për të prezantuar edhe objekte të tjera të rëndësisë së trashëgimisë kulturore; mjeshtritë artistike të Shkodrës dhe Prizrenit që janë dy pika kulminante të mjeshtërive artistike. Kishim vetëm tre orë kohë, administratori tha që ka pasur ekspozita të piktorëve me emër, por maksimumi kanë qenë dy orë. E filluat me emrin e Nënë Terezës, por e fituat me objektet, na tha ai. Nëqoftëse ne kemi përmirësuar imazhin e Shqipërisë, e kemi bërë vetëm përmes dëshmisë së trashëgimisë kulturore”, këmbëngul Afërdita.
Muzeu etnografik i munguar
Afërdita e thotë me keqardhje, me mllef, me shqetësim, me gjithë ndjenjat që mund të bartë njeriu në kësi rastesh: “Ne kemi dhe një hall tjetër unikal, si në çdo fushë tjetër të jetës sonë, jemi i vetmi vend në botë pa muze etnografik!”
Ajo tregon se ka punuar tre vite më parë për pavijonin etnografik kur temperaturat kanë qenë nën zero me qëllim që kur të vinte vera të ishte gati për vizitorët. Por kanë kaluar tre dimra e tre vera dhe ai pavion është me objekte të vendosura por që i ka mbuluar pluhuri dhe nuk ka parë asnjë visitor, sepse Ministria e Kulturës po mendon ta rikonceptojë. Por Afërdita nuk e rrok dot këtë justifikim dhe ende nuk e kuptuar pse ai pavijon për të cilin është punuar fort dhe është gati, nuk është çelur ende.
“Ia bëra pyetjen, në një takim. ‘Ja se duam ta rikonceptojmë pak ndryshe!’. Kush do ta rikonceptojë, thashë. Do na vijnë nga jashtë, më tha. Ishte edhe Neritan Ceka, Luan Perzhita. Ne jemi brezi i vjetër në Shqipëri, nuk ke, as më të këqij, por as më të mirë nuk ke. Por nuk ke fare, i thashë. I huaji mund të vijë, e kam kërkuar unë të huajin për ndriçimin! Ju keni çuar për specializim punonjësit e Ministrisë së Jashtme, të Ministrisë suaj; dhe nuk keni çuar për sistemin elektrik, ndriçimin. Kush e njeh më mirë se unë historinë e objektit?”, rrëfen e mllefosur Afërdita. Aktualisht këtij pavijoni i mungon sistemi i ndriçimit dhe ngrohjes, për të cilin është paguar një punëtor që është larguar në Amerikë. Aktualisht Afërdita është rikthyer në punë për të përfunduar disa projekte. E para është trajnimi i punonjëseve të reja për të transkriptuar objektet, ose siç thotë ajo që “t’i bëjnë objektet të flasin” dhe e dyta për një projekt me Ambasadën Amerikane për mirëmbajtjen e arkivit.
Projekte dhe kujtime
Mbi 19 publikime; ese, albume, studime… Afërdita na tregon për dëshirën e saj që fle prej do kohësh brenda saj e kërkon ta vërë shpejt në jetë.

Ajo thotë se dëshiron të bëjë një botim ilustrativo-shkencor me një parathënie të gjatë për familjet e mëdha, të pasura shqiptare.
“Në kuadrin e mjeshtrive artistike kemi bërë, por jo t’i kemi identifikuar si objekte të shtresave të pasura. I kemi përmendur kalimthi, por nuk jemi fokusuar gjatë në to. Përshembull, rëndësi ka të dihet se si kanë qenë këto familje në raport me formimin, kulturën. Çfarë tregojnë statistikat? Sa janë shkolluar nga familjet e mëdha nga Shqipëria e Mesme, e Jugut, veriore?
Duke iu referuar studimeve të një kërkuese shkencore të huaj, Afërdita thotë Sse hqipëria e Mesme ka qenë shumë mbrapa në këtë aspekt dhe shkollimin e kanë bërë për hoxhallarë, ndërkohë që të tjerët; mjekë, ekonomistë, juristë, etj”, tregon Afërdita.
Ajo thotë se familjet e pasura kanë pasur mungesa në formimin e tyre, por kanë jetuar mirë. “Shtresat e pasura të Shqipërisë së Mesme kanë imituar në mënyrë jetese aristokracinë e Perandorisë, xhubet e tyre me ar dhe diamantet e tyre ishin njësoj, orenditë e shtëpisë, tabakatë prej argjendi, qilimat luksozë, tavolinat me fildish, si regjistrohen në dokumente se çfarë gatuaje në raste pritjesh. Zinxhirët e kalit ishin të larë me ar. Ne këto nuk i kemi thënë. Përpos dokumenteve, ne kemi në arkivë edhe objekte. Arkivat tona kanë veshje, pasije banesash, orendi banesash, enë, të fshatit dhe qyteti, armët, bizhuteritë e ndryshme. Përfaqësohen të gjitha llojet e mjeshtërive të jetës së përditshme dhe mjeshtëritë artistike. Argjendaria e Shkodrës, Prizrenit, armët e Elbasanit, stolitë e ndryshme të Beratit, Janinës… Flasim për kufijë kulturorë, jo shtetërorë. Me krahina etnografike, e fus Janinën sepse ishte kryeqyteti i Çamërisë”.
Duke kujtuar pionierin e etnografisë, Afërdita i rikthehet rrëfimit të fillesave të etnografisë. “Për fatin e tij, erdhi një etnografe sllovene e martuar me një shqiptar në atë kohë dhe mësoi se ishte hapur një sektor etnografie në 1947, kishte përvojën e një muzeu etnografik. Dhe me të ai nisi t’i bënte pasaportën objekteve. Nuk është çështja vetëm t’i mbledhësh, nga vjen, kush e ka prodhuar, kush e ka përdorur, pse, etj. Regjistrat themeltarë dhe regjistra të tjerë. Tek ne nuk e vjedh dot një objekt sepse çdo gjë është e dokumentuar, pra ka çertifikatën e lindjes. Kjo u bë me nuhatjen e Rrokut dhe me ndihmën e etnografes sllovene. U krijuan arkivat. Ndërkohë u bë sistemimi i kulturës materiale që do të thotë objektet, tekstile, mjeshtritë, kostumet, veshjet, mjetet e peshkimit, çdo gjë që ka të bëjë me jetën.”
Më pas u krijua arkivi i fotografisë dhe i skicotekës. Pasi u krijuan arkivat, filloi arkivi i shkruar. “Ne shpërndanim pyetësorë, ku dokumentohej e kaluara, por edhe periudha e socializmit. Jeta e lumtur, njeriu i ri. Duhej të shkruhej edhe ajo dhe është mirë që u bënë pyetësorët dhe janë mbledhur ato materiale. Bëhej një seleksionim. I verifikonim, midis bashkëpunëtorëve të jashtëm, nisëm t’i seleksiononim, kush i sjell me zbukurime, si për gazetarët i thonim dhe për etnografët. Ato për gazetarët i vendosnim në një cep. Ishte e vështirë. Por u krijua arkivi i shkruar. Ndiqej edhe një taktitë për mbledhjen e objekteve; në terren dhe e dyta kush kishte objekte, i sillte. Nga qytetet, fshatrat. Me komision i blinim. U mbushën dhe u dokumentuan arkivat. Pastaj nisi faza e ruajtjes për ngritjen e laboratorit për restaurimin. Bëhej edhe dezinfektimi i objekteve 2 herë në vit kur shpërthen mola. Janë ruajtur në mënyrën më të mire të mundshme.”
Afërdita flet vetëm për punën që e ka prej një jete pasion të pashtershëm. Edhe kur ngrihemi ajo më thotë: “E kam me shumë merak këtë punën e mirëmbajtjes së arkivit”, duke shpresuar që do t’i mbështesë Ambasada Amerikane. Përpos pasionit, Afërdita ka shumë energji dhe në pamje është shumë larg viteve që mbart mbi shpinë. Ajo më thotë e bindur se do të vazhdojë të punojë për meraqet e saj 44-vjeçare që nuk ka mundur t’i realizojë; ese, studime, botime dhe kontaktin me studentët për t’u mësuar historinë dhe trashëgiminë kulturore, të mbështetur në fakte, jo në ndjenja nacionaliste.
Kur Muzeu i Brazilit u dogj, shkrimtari Paulo Coelho shkruante: “ Vendi është në lotë”.
Ne jemi ende në kohë, jo vetëm për të parandaluar një katastrofë të ngjashme, por edhe për ta pasuruar pasaportën tonë të trashëgimisë kulturore pa qenë nevoja të derdhim lotë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




