Lajme

Menaxhimi i shpellave për përdorim turistik pa tender dhe pa leje mjedisore

Qeveria ka vendosur që menaxhimin e shpellave për përdorim turistik të mos e japë siç jepet deri më tani përmes garës tenderuese, por thjesht duke dorëzuar projektin teknik pranë AKZM (Agjencisë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura).

Vendimi i Këshillit të Ministrave për menaxhimin e shpellave për përdorim turistik ka shfuqizuar atë të 2003-it që mbante firmën e kryeministrit Fatos Nano asokohe, ku specifikohej se “Shpellat mund të jepen në përdorim vetëm pasi të jenë përgatitur për përdorim që bëhet veçmas për secilën prej tyre dhe nënkupton ndërhyrjet e veprimet mbrojtëse e restauruese, ngritjen e infrastrukturës, sistemet e kalimit, të ndriçimit, të kullimit të ujërave e të ventilimit, krijimin e mjediseve muzeale të njeriut të shpellave e të kafshëve të hershme.”

Gjithashtu, përgatitja e shpellës për përdorim bëhej sipas një projekti, që mbante parasysh karakteristikat dhe përbërësit individualë të çdo shpelle dhe duhej të paisej me leje mjedisore.

Projekti zbatohej nga subjekte publike ose private, që do të përzgjidheshin sipas procedurave të tenderimit dhe që do të vepronin nën mbikëqyrjen e agjencive rajonale të mjedisit, të administratës së zonës së mbrojtur dhe të strukturave përkatëse të turizmit e të pushtetit vendor.

Kurse me VKM-në e re, subjektet për të menaxhuar një shpellë të caktuar për funksione turistike nuk do të kenë nevojë as të hyjnë në garë dhe as të marrin një leje mjedisore.
Sipas VKM-së së re, shpellat që janë miratuar si monumente natyre administrohen nga strukturat e Agjencisë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura (këtu e në vijim AKZM). AKZM-ja, në bashkëpunim me institucionet kërkimore e shkencore, harton planin e menaxhimit të shpellave. Për shpellat të cilat gëzojnë edhe statusin “pasuri kulturore”, AKZM-ja, në bashkëpunim me institucionet kërkimore e shkencore dhe strukturat përgjegjëse të specializuara për trashëgiminë kulturore, harton planin e menaxhimit të shpellave duke mbajtur në konsideratë kuadrin ligjor në fuqi për trashëgiminë kulturore. Planet e menaxhimit për të gjitha shpellat, monument natyre, miratohen nga ministri përgjegjës për zonat e mbrojtura mjedisore jo më vonë se 2 vjet nga miratimi i këtij vendimi.

Shpella jepet në përdorim kur: është shpallur monument natyre dhe institucionet kërkimore-shkencore përkatëse kanë dhënë me shkrim deklaratën se ka përfunduar eksplorimi dhe studimi i saj si dhe kanë dhënë opinionin për mundësinë e dhënies së shpellës në përdorim, për qëllime turistike.

Gjithashtu edhe kur ka përfunduar hartimi dhe miratimi i planit të menaxhimit të shpellës.
Mosplotësimi i njërit prej kushteve të mësipërme e bën të pamundur dhënien në përdorim të shpellës.

Në rast se shpellat e shpallura monumente natyre gëzojnë edhe statusin pasuri kulturore, përpara dhënies në përdorim merret mendimi i ministrisë përgjegjëse për kulturën.
Shpellat u jepen në përdorim për qëllime turistike subjekteve të interesuara që paraqesin një projekt teknik të përgatitur në përputhje më rregullat e vendimit në fjalë.

Projekti teknik përpara miratimit, me qëllim sigurimin që ndërhyrjet e parashikuara nuk dëmtojnë në mënyrë të pakthyeshme integritetin ekologjik, arkeologjik, historik dhe vlerat e shpellës, i nënshtrohet për oponencë në institucionet kërkimore-shkencore. Në rastet kur shpellat gëzojnë edhe statusin pasuri kulturore kërkohet oponencë edhe nga strukturat e ministrisë përgjegjëse për kulturën. Institucionet kërkimore-shkencore/strukturat përgjegjëse për kulturën duhet të shprehen brenda 30 (tridhjetë) ditësh nga paraqitja e projektit dhe mosdhënia e mendimit brenda afatit të kërkuar nuk pengon vijimin e procedurave.

Projekti teknik paraqitet për miratim pranë AKZM-së dhe pas miratimit të tij subjektit të interesuar i lind e drejta e paraqitjes së kërkesës pranë këtij institucioni, për marrjen në përdorim të shpellës për qëllime turistike.

Subjekti i interesuar, bashkë me kërkesën, dorëzon pranë AKZM-së edhe regjistrimin pranë QKB-së si person fizik apo juridik; përshkrimin e hollësishëm të veprimtarisë për qëllime turistike që do të ushtrojë në shpellë; vetëdeklarimin me anë të së cilës deklaron se siguron mbrojtjen e vlerave të shpellës, mirëmbajtjen e saj me shpenzimet e veta, ruajtjen e mikroklimës të regjimit ujor, të ekosistemeve, të tipareve gjeologjike dhe gjeomorfologjike, të gjetjeve paleontologjike e arkeologjike si dhe të gjallesave.
Në rast se gjërat shkojnë mirë subjekti bëhet zotërues i shpellës për ta menaxhuar atë brenda 50 ditëve duke marrë parasysh dhe afatet kohore të plotësimit të dokumentacionit të munguar.

Mandje subjekti ka të drejtë të përdorë shpellën për 5 vjetë, me të drejtë rinovimi.
Tarifa e marrjes në përdorim të shpellës llogaritet sipas aktit nënligjor për të ardhurat e gjeneruara nga tarifa.

Me VKM e vjetër, personi fizik ose juridik, që merrte në përdorim një shpellë, paguante tarifën vjetore të përdorimit të saj, e cila përbëhej nga pjesa fikse prej 200 000 lekësh dhe pjesa e lëvizshme, që përfaqësonte një të dhjetën e shpenzimeve të bëra për përgatitjen për dhënien për përdorim të saj. Tarifa derdhej asokohe në llogarinë e komunës ku ndodhej shpella dhe përdorej për mbrojtjen dhe përmirësimin e mjedisit që kishte në juridiksion.
Personi fizik ose juridik, që merrte leje për përdorimin e shpellës, lidhte kontratë me komunën ku ndodhej ajo. Në kontratë përcaktohej koha e përdorimit dhe detyrimet e palëve, sipas kërkesave të Kodit Civil, të atij vendimi dhe të kushteve të përcaktuara në lejen mjedisore.

Turizmi spelologjik kudo në botën, është kthyer në një fenomen atraktiv për vizitorët të apasionuar pas natyrës dhe historisë, por ky turizëm është edhe vlerë ekonomike. Shqipëria është e pasur me shpella. Vetëm në rajonin e Shkodrës ka më shumë se tridhjetë shpella të mëdha.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë