Një operacion antidrogë i zhvilluar në Shqipëri, Itali, Mal të Zi dhe Spanjë, ka sjellë arrestimin e 28 personave, mes të cilëve edhe zyrtarë të drejtësisë dhe policisë shqiptare për trafik ndërkombëtar të drogës, korrupsion, abuzim me detyrën dhe pastrim parash.
Mësohet se është caktuar masë sigurie “arrest shtëpie” për prokurorin e Vlorës, Maksim Sota. Në pranga të policisë, ka rënë edhe Ilirjan Balla, aktualisht shefi i sektorit kundër trafiqeve në Policinë e Shtetit dhe ky i fundit në ‘arrest shtëpie’.
LEXO EDHE:
- Katër “të penduarit” që zbuluan organizatën e trafikut të drogës. Roli i tyre dhe goditja e grupit
- Kreu i Eurojust: Kriminaliteti shqiptar dhe italian në nivelet më të larta botërore
- Miliona euro pasuri dhe 6 tonë drogë të sekuestruara. Premtimi i kreut të SPAK-ut një vit më parë
SPAK njofton po ashtu se mes të 28 të arrestuarve, janë edhe dy punonjës të policisë, të cilët veprën penale e kanë kryer në vitin 2016, periudhë gjatë të cilës mbanin detyrën e shoqëruesve të ministrit të Brendshëm të asaj kohe, Saimir Tahiri, ndaj të cilit u hap një proces penal në vitin 2017, i akuzuar për mbështetje të trafikut të drogës.
Zyrtarët publikë, në disa raste pronarë të drogës, kanë garantuar, jo vetëm nga ana tokësore, por edhe detare në Shqipëri, që dërgimi i lëndës narkotike i destinuar në brigjet e Puglias të kryhej me siguri të plotë.
Të arrestuar janë edhe, Festim Lelaj, ish-oficer policie, i proceduar më parë për trafik narkotikësh si dhe Saimir Kurti drejtor i zyrës së Punës në Kavajës, ky i fundit i akuzuar për plagosjen e tre personave.
Ndërkohë ish-komisari Lelaj, në momentin që policia ka shkuar që ta arrestojë në banesën e tij, është hedhur nga kati i dytë i banesës dhe ka pësuar frakturë në këmbë.
Ai është dërguar për në spitalin e Vlorës, dhe më pas është nisur drejt Traumës për mjekim më të specializuar. Të gjithë personat e arrestuar në kuadër të operacionit ‘Shqirti’ janë nisur drejt Tiranës.
Në 2017 ai ka qenë i përfshirë në trafikun e 2.5 tonë drogë nga Ankona në Durrës dhe madje atëhere Prokuroria kërkoi 17 vite burg për të. Dy persona të tjerë asokohe, Emiljano Cili dhe Artur Riza u dënuan me burg si bashkëpuntorë të Lelajt.
Sa i takon Sotës, dy vite më parë, prokurori i Vlorës ka garuar për të qenë pjesë e SPAK, mirëpo ishte skualifikuar nga gara, pasi nuk plotësonte kriteret e nevojshme. Po ashtu, në pranga kanë rënë edhe 5 punonjës policie.
Në Shqipëri, operacioni ka nisur prej orës 5 të mëngjesit nën drejtimin e Tonin Vocaj, fillimisht në Tiranë dhe më pas është zhvendosur në rrethe si Lazarat, Kavajë e Vlorë.
Në total janë për t'u ekzekutuar 28 urdhër arreste nga 38 të lëshuara në total, pasi 10 janë ekzekutuar më herët. Ekzistojnë gjithashtu vendime për konfiskimin e pasurive të luajtshme dhe të paluajtshme, me vlera disa milionë Euro.
Operacioni italo-shqiptar është rrjedhë e zhvillimeve hetimore të operacioneve “Shefi” e “Kulmi” ekzekutuar në 2018 e 2020 nga Drejtoria e Antimafias italiane të Barit.
Detaje më të hollësishme për këtë operacion pritet që të japë në orët në vijim kreu i Antimafias italiane, De Raho; kreu i SPAK, Arben Kraja dhe drejtues të tjerë të policive italiane dhe shqiptare në një konferencë për shtyp.
Kush janë 28 të arrestuarit të përfshirë në trafikun ndërkombëtar të drogës
-Aleks Memaj
-Jovan Memaj
-Aleksander Neco
-Toni (Elton) Kushi
-Erion Hoxhara
-Cezar Gjomemo
-Saimir Kurti (ish-punonjës në Bashkinë e Kavajës)
-Malton Lleshi
-Shkelzen Kamberi
-Bernard Tahiraj
-Matenglen Caci
-Shkelzen Daci
-Eltjon Bregasi
-Erind Hysomemaj
-Klajdi (Ademi) Hysomemaj
-Paul (Agustin) Deda
-Hekuran Marku
-Hamid Seferi
-Leonidha Sejdiaj
-Ilir Gaba
-Luan Zylyftari
-Geri Zylyftari
-Erind Zylyftari
-Artan Zylyftari
-Artur Krasniqi, "arrest shtëpie"
-Ilirjan Balla, shef i trafiqeve në drejtorinë e përgjithshme të policisë, në "arrest shtëpie"
-Maksim Sota, prokuror i Vlorës, në "arrrest shtëpive"
-Festim Lelaj, ish-efektv i policisë i dënuar për trafik droge
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.