Ne rrjet

Mediat në Pekin: Interes për librat kinezë në Panairin në Tiranë. Shqiptarët ta kuptojnë Kinën e vërtetë përmes leximit

Nga Gazeta 'SI' - Gazeta e përditshme kineze "Global Times", i ka dedikuar një artikull Panairit të Librit në Tiranë dhe shumëllojshmërisë së librave kinezë aty.

Gazeta që publikohet nën kujdesin e gazetës kryesore të Partisë Komuniste të Kinës "People's Daily" thekson se në Panair kishte shumë vepra që trajtonin çështjet politike, ekonomike, kulturore dhe edukative të Kinës, duke tërhequr një numër të madh lexuesish që hapën kuletat për t'i blerë ato.

Gjatë panairit të librit, u lançua edhe versioni shqip i Betejës së Kinës kundër Coronavirus 2020: Një Regjistrim Ditor 23 Janar - 23 Shkurt 2020, shkruan GT.

Ambasadori kinez në Shqipëri Zhou Ding tha për median kineze se libri tregon histori të kinezëve që luftonin në vijën e parë të pandemisë Covid-19 në fillim të vitit 2020 dhe demonstroi shpirtin e patrembur të popullit kinez për t'u bashkuar si një dhe për të kapërcyer vështirësitë së bashku.

Zhou tha se gjatë viteve të fundit, shtëpia botuese Fan Noli ka përkthyer dhe botuar më shumë se 40 libra kinezë, duke mbuluar tema të ndryshme si politika, ekonomia dhe kultura, dhe ka promovuar në mënyrë efektive shkëmbimet kulturore midis Kinës dhe Shqipërisë.

“Mezi pres të shoh më shumë libra të shkëlqyer kinezë të botuar për lexuesit shqiptarë dhe shpresoj që miqtë tanë shqiptarë ta kuptojnë më mirë Kinën e vërtetë përmes leximit”, - tha Zhou në panair, sipas Global Times.

Sipas një raporti të Qendrës për Analizë të Politikave Europiane, CEPA, të publikuar në gusht 2022, tregohej se si Kina synon përhapjen e ndikimit të saj në Shqipëri, nëpërmjet, investimeve dhe medias në katër faza.

Në fazën e parë, Partia Komuniste po mundohet të konsolidojë prezencën e saj në ekonominë lokale, duke rritur eksportet dhe investimet. Qëllimi është që ekonomia shqiptare të bëhet më shumë e varur nga Kina, sidomos në industritë e dobëta dhe duke e lejuar Pekinin të ndikojë dhe në politikë.

Në fazën e dytë, “aktorët” nga Kina do të fokusohen në ndërtimin e disa fondacioneve të nevojshme  që do të rrisë ndikimin kinez në biznes dhe politikë.  Edhe pse qasja kineze ndaj Shqipërisë fillimisht u përqendrua te ekonomia, përpjekjet e Pekinit për të kaluar në një fazë të re të angazhimit me Tiranën janë ato të dimensionit politik dhe objektivin e saj për t'i bërë politikat shqiptare në përputhje me interesat e Pekinit.

Faza e tretë e strategjisë kineze është të prekë gjerësisht shoqërinë shqiptare, nga të pasurit tek të varfërit. Qëllimi i kësaj faze është përhapja e një imazhi pozitiv për Kinën në komunitetet shqiptare dhe t’i përgatisë ato për lidhjet Tiranë-Pekin.

Faza e katërt, finalja, fokusohet në tentativën e autoriteteve kineze për të rritur imazhin e tyre në media dhe publik, me përmbajtje të re dhe të ndikojë në qasjen e gjerë të shqiptarëve.

Gjithsesi, CEPA theksonte se Kina ende shet më mirë në vendet e tjera të rajonit, si Serbia dhe Maqedonia e Veriut, sesa në Shqipëri. Shqipëria mbetet e ankoruar në orientimin e saj tradicional properëndimor, duke u përpjekur të shmangë çdo lloj depërtimi politik që mund të çojë në mbështetje të tepruar nga Pekini.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë