Lajme

Joe Biden President i 46-të i SHBA, fitoi Pensilvaninë

Mediat amerikane, CNN dhe Washington Post, por edhe BBC shpallin fitoren e Joe Biden në zgjedhjet presidenciale.

Biden bëhet presidenti i 46-të i Shteteve të Bashkuara sipas projeksionit të CNN.

Me 20 votat elektorale të Pensilvanisë, demokrati Biden ka 273 vota elektorale, 3 më shumë nga sa duhen për të fituar (270) zgjedhjet presidenciale.

Ndërkohë Donald Trump ka 213 vota elektorale.

Biden kryeson me mbi 4 milionë vota popullore.

Ai po ashtu kryeson edhe në disa shtete të tjera ku ende nuk është shpallur fituesi: Xhorxhia (16 vota elektorale), Nevada (6 vota elektorale), Arizona (11 vota elektorale).

Ekipi elektoral i Presidentit Trump është duke vënë në pikëpyetje rezultatet, duke u shprehur nëpërmjet një deklarate të premten se “zgjedhjet nuk kanë mbaruar”. Ata thanë se presidenti përfundimisht do të fitojë si rezultat i rinumërimeve të pritshme në shtetet ku gara është e ngushtë, si dhe prej sfidave ligjore të bazuara në akuza të paprovuara për vjedhje votash dhe parregullsi.

Në sistemin amerikan të demokracisë indirekte, fituesi i votës popullore në secilin shtet – me përjashtim të shteteve Mein dhe Nebraska – merr të gjitha votat elektorale të shtetit në fjalë, të cilat përcaktohen në bazë të nivelit të popullsisë.

“Amerikë, jam i nderuar që më zgjodhe mua për të udhëhequr këtë vend madhështor. Puna përpara nesh do të jetë e vështirë, por të premtoj një gjë: Do të jem president i gjithë amerikanëve, pavarësisht nëse votuan për mua apo jo. Do ta mbaj besimin që kemi vendosur mbi mua”, tha Biden pas lajmit se mori Pensilvaninë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë