Njerez

Medalistët e huaj në Shqipëri, marketing për vendin, asgjë për sportin!

Nga Gazeta Si - Në fillimin e viteve ’90, një sërë sportistësh të rëndësishëm të sporteve tona të traditës, kryesisht në peshëngritje, u larguan drejt Greqisë për të garuar në ngjyrat e flamurit grek. Që nga ajo kohë Pirro Dhima dhe Luan Shabani, dy më të spikaturit arritën të fitonin medalje olimpike, botërore dhe europiane, duke marrë mbrapsht dhe shumë përfitime financiare që shteti helen i dha në këmbim të medaljeve.

Dhe një lëvizje e tillë sportistësh tani ndodh në çdo sport, madje edhe në futboll edhe pse në rastin e futbollit, pak më e rrallë që të ndryshohet flamuri, nëse nuk ka një lidhje emigrimi të hershëm apo që kanë lindur në një shtet tjetër nga kombësia. Ndërkohë, në sportet individuale, është më e shpeshtë kjo dhe sigurisht bëhet fjalë për shtete të mëdha, potenciale olimpike që i “blejnë” talentin një sportisti që shteti i tij nuk ia ofron.

Kësisoj prej disa vitesh edhe në vendin tonë kanë ardhur disa sportistë të huaj, kryesisht për pamundësi aktivizimi në shtetin e tyre, për shkak të luftës mes Rusisë dhe Ukrainës dhe pa dyshim edhe për shpërblimet financiare që tashmë mund të thuhet se janë të lakmueshme.

I pari sportist i huaj, që garoi nën ngjyrat e Shqipërisë ishte gjimnasti rus, Matvei Petrov. Të pakta janë shpërblimet për të, por ama ishte ai që hapi rrugën për sportistë të tjerë, ose thënë më saktë, rrugën më të shkurtër.

Matvei Petrov, gjimnasti rus që ka garuar për Shqipërinë. Gazeta Si, shkurt, 2024. Fotografia marrë nga Getty images.

Nëse në historikun e lëvizjes të sportistëve nga vende të tjera është marrë një sportist që të ngrejë nivelin e sportistëve vendas, apo në ato sporte ku shteti përfitues nuk e ka si disiplinë sportive, në Shqipëri, sportistët e huaj kanë ardhur në ato sporte, vetëm për të marrë medaljet dhe bashkë me to edhe paratë.

Të tillë janë dy kampionët e marrë nga Federata Shqiptare e Mundjes, Islam Dudaev dhe sportisti Zelikhan Abakarov. Të dy sportistët janë kampionë në vendin e tyre Çeçeni, apo edhe Rusi, ku Abakarov ka dalë edhe kampion bote në ngjyrat e flamurit rus. Prej gati dy vitesh ata garojnë nën ngjyrat kuqezi, të bllokuar nga lufta e Rusisë dhe Ukrainës dhe nga ana tjetër për të gjetur një “parajsë” financiare. Themi kështu pasi në këto më pak se dy vite ata i kanë dhënë Shqipërisë 8 medalje Botërore, Europiane, apo edhe Mesdhetare dhe për të gjitha këto kanë përfituar 30 milionë lekë (9.8 milionë për Islam Dudaev dhe 20 milionë për Zelimkhan Abakarov). Sa për paralelizëm, në Shqipëri buxheti i sportit është rreth 1 milionë euro, që do të thotë se vetëm për ta është shpenzuar sa rreth 1/3 e buxhetit.

Mundësi çeçen Islam Dudaev. Gazeta Si, shkurt, 2024.

Pa dyshim një reklamë e madhe për vendin, një ndjenjë krenarie kur Abakarov doli kampion bote në mes të Beogradit, për të ngritur flamurin kuqezi atje, por vetëm kaq. Sporti, dhe veçanërisht sporti i mundjes, një ndër ato të traditës për ne, nuk përfitoi asgjë për të ardhmen.

Abakarov dhe Dudaev stërviten kryesisht jashtë, qëndrojnë jashtë dhe marrin pjesë në shumë aktivitete jo të nivelit Europian dhe Botëror, por për të grumbulluar para. Qëndrimi i tyre këtu lidhet me paratë dhe pak me brezat e rinj që janë gjithmonë e më të pakët në palestër, por edhe ata që janë nuk e kanë fatin që t’i shohin përditë këta dy kampionë të mëdhenj si stërviten, apo të marrin këshillat e tyre vazhdimisht. Ditët e fundit presidenti Sahit Prizreni dha lajmin e marrjes edhe të një tjetër kampioni të gatshëm, sërish i huaj. Ndërkohë nga vendi nuk ka thuajse asnjë që të jetë as sa vetë niveli i Sahit Prizrenit, sepse si dy mundësit çeçenë ndoshta nuk do të kemi kurrë, ose do t’i kemi pas shumë e shumë vitesh.

Kështu ndodh edhe me gjimnastin Petrov që jeton në Çeki, apo edhe me skiatoren Lara Colturi, e trajnuar nga nëna e saj, kampionia e madhe Daniela Çekareli, që deri më tani vërtetë nuk kanë marrë shumë para nga qeveria shqiptare, vetëm 5 milionë lekë, por që i kanë të gjithë sponsorat për veten e tyre, ndryshe nuk do të garonte për Shqipërinë. Edhe ajo jeton dhe stërvitet në Itali, pavarësisht pasaportës shqiptare.

Skiatorja Lara Colturi. Gazeta Si, shkurt, 2024.

Edhe nëse ka skiatore të tjera vajza, Daniela stërvit, këshillon dhe mëson vetëm të bijën, asnjë tjetër, pjesë të Federatës së Skive dhe kontrata e saj skadon në fillim të vitit 2026 kur është edhe Olimpiada Dimërore, aktiviteti i fundit për të nën ngjyrat kuqezi me gjasë ku Italia e pret. Ndalimi i luftës mes Rusisë dhe Ukrainës mund të na marrë edhe mundësit, ashtu si gjimnastin edhe pse ai është në moshë tashmë. Me fjalë të tjera, gjithçka ndodh me flamurin tonë me këto kampionë e medalistë nën ngjyrat kuqezi, të çojnë vetëm në një vend, se Shqipëria po merr kampionë thjeshtë për marketing dhe jo për sportin.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë