Kinema

Me vdekjen e Stan Lee, Hollivudi siç e njohim mund të mos ekzistojë

Peter Suderman/ Washington Post – Herën tjetër kur të shkoni në kinema dhe të shihni skenën pas përfundimit të filmit, që zbulon një pjesë të dytë që do vite të vijë, apo një rol cameo i një ylli të një tjetër filmi superheronjsh, mendoni për Stan Lee-në. Lee, i cili u nda nga jeta pak ditë më parë, në moshën 95-vjeçare, ishte forca lëvizëse pas Marvel Comics. Një vizionar unik i kulturës popullore, ai ndihmoi në krijimin e personazheve më të famshëm të Marvel-it, si Iron Man, Thor, Spider-Man, Black Panther dhe Fantastic Four. Po aq me rëndësi, sidoqoftë, ishte sesi ai ndryshoi mënyrën e rrëfimit të këtyre historive. Si një mjeshtër vetë-promovues i Marvel-it, ai popullarizoi rrëfimin e superheronjve me seri dhe të shpërndarë në të gjithë botën, gjë që konsumoi biznesin e filmave në dekadën e fundit. Pa Lee-në, Hollivudi siç e njohim, mund të mos ekzistojë. Filmat e parë me superheronj prireshin të ndiqnin një hero të vetëm apo një ekip heronjsh që jetonin në botët e tyre të izoluara.

Kjo ishte, pjesërisht, për shkak se të drejtat e paraqitjeve të ftuara ishin jopraktike dhe, pjesërisht, për shkak se producentët e filmave besonin se, ky lloj kapërcimi do të dobësonte një ekskluzivitet të suksesshëm. Kjo ndryshoi më 2008-ën, me “Iron Man”-in, kur heroi me të njëjtin emër takoi një personazh të paqartë, në skenën pas përfundimit të filmit: “Ti mendon se je i vetmi superhero në botë?, thotë personazhi. “Ti je bërë pjesë e një universi më të madh. Por ende nuk e di këtë.” Katër vjet më vonë, tek “ “The Avengers,” Iron Man do të bashkojë forcat me Thor, Hulk dhe Kapiten America - të gjithë që kishin qenë protagonistë në filmat e tyre përkatës. Bota e tyre e izoluar u zhduk. Kjo u bë e mundur për shkak se Marvel ngriti një studio të brendshme filmash që ka të drejtat e të gjithë këtyre personazheve, që konsideroheshin fillimisht si prona të listës së dytë.


Gjatë viteve ’60, Lee shkroi dhe bashkëshkroi pjesën më të madhe të revistave vizatimore të Marvel-it, duke u mbështetur në sistemin bashkëpunues: Së pari, ai kishte përshkruar një subjekt apo ide një artisti, që do të kthehej me faqet e pëfunduara artistike. Vetëm atëherë Lee-ja do të përfundonte dialogët. Ky proces u bë i njohur si “Metoda Marvel”, dhe i lejoi Lee-së të rishikonte të gjithnjë linjën e Marvel-it njëherazi. Për shkak se Lee po shkruante – ose të paktën mendonte – rreth atyre personazheve vetë, ata të gjithë po ndanin të njëjtën hapësirë në kokën e tij. Shumë shpejt, ata nisën të bashkëjetojnë në fletët e revistave, gjithashtu.
Kështu Spider Man u përpoq t’u bashkohej Fantastic Four (Katërshes Fantastike) dhe alteregoja e mjekut të Thor-it përfundoi duke u kujdesur për Doctor Stange dhe, ndonjëherë, do të kishte pasoja nga këto kryqëzime sa do të shpërndanin një shumësi titujsh. Siç shkruan Sean Howe, në “ Marvel Comics: historia e parrëfyer,” ajo çka e bënte Marvel Comics unik ishte “ideja se këto personazhe ndanin një botë dhe se veprimet e secilit kishin efekte tek të tjerët dhe se çdo revistë vizatimore ishte thjesht filli i ngjarjeve të një mega-historie me përfshirje të të gjithë Marvel-it.” Rezultati ishte një shtrirje narrative zhytëse, një ndjesi thellësie dhe gjerësie që ngriti materialin, shpesh me brumë adoleshentesk, të Lee-së dhe e ktheu në një telenovelë me shtrirje të gjerë. Kishte gjithashtu marifete mbresëlënëse marketingu, që i shtynte lexuesit nga një seri tek tjetra duke ngacmuar me pak informacion mbi personazhe dhe kapërcime subjektesh. Ishte një rrëfim historish – por ishte edhe një shitje historish. Kjo ide e shndërroi Marvel Studios, tani në pronësinë e Disney-t, në një prej shtëpive më të suksesshme kinematografike në botë. Gjithashtu ka udhëhequr legjione të tëra të imituesve të Hollivudit. Pak ia kanë dalë, pjesërisht sepse janë prirë t’i shpërfillin risitë e tjera të Lee-së: Ai i bëri superheronjtë njerëzorë.


Megjithëse superheronjtë ekzistonin shumë përpara se Lee të hynte në këtë biznes, ata prireshin të ishin të ngjashëm me zotat dhe të ftohtë ( mendo Batman dhe Superman).
Krijimet e Lee-së, krejt në të kundërt, ishin gjithnjë të brishtë dhe emocionalë, të rrethuar nga zënka familjare, probleme me paratë dhe jetë të ndërlikuara dashurore. Po, ata kishin aftësi dhe resurse përtej të vdekshmëve të thjeshtë ( ose lexuesve). Por ata ishin gjithashtu njerëz të zakonshëm, me vështirësi për t’ia dalë në një botë të vështirë dhe jo gjithnjë ia arrinin – një përshkrim që i shkon për shtat Lee-së gjithashtu. Ai e pa vizionin e tij të realizohej në një shkallë më të madhe se dikush mund ta kishte imagjinuar,  por në vitet e fundit, ai ishte larguar nga biznesi që krijoi, dhe trashëgimia e tij u zhyt në beteja financash dhe autorësish krijuese. E njëjta metodë që i lejoi të “shkruante” aq shumë histori me superheronj njëherazi e çoi tek debate të gjata me artistët, që me të drejtë e konsideronin veten bashkautorë dhe bashkëkrijues të disa prej historive dhe personazheve më të njohur dhe fitimprurës të kulturës popullore. Fansat e “comics”-ave nisën të vënë në pikëpyetje nëse Lee ishte vërtet krijuesi apo thjesht një vetë-promovues i cili i kishte marrë kreditet punës së të tjerëve. Përgjigja, sigurisht, është të dyja. Por cilado qoftë pikëpamja, është e vështirë të imagjinohet bota pa Lee-në dhe rrëfimin e historive që mundësoi ai. Kur dikush vdes, humbasim një univers. Universi i Stan Lee-së jeton si diçka që të gjithë ne mund ta ndajmë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë