Kinema

‘Me ty do xhiroj filmin e parë shqiptar’… Si e kujtoi Tinka Kurti, Kristaq Dhamon 1 muaj para se të ndahej nga jeta

Nga Gazeta Si - “Unë isha ulur në një tavolinë me një koleg dhe shoh disa veta që e rrethonin Kristaq Dhamon. Ju them, kush është ai, Shuberti? Më thonë është një artist që ka mbaruar studimet në Budapest. Kristaqi erdhi tek unë dhe më tha me ty do xhiroj filmin e parë shqiptar dhe e mbajti fjalën”, kështu do të shprehej aktorja Tinka Kurti për ‘babain’ e filmit të parë shqiptar, Kristaq Dhamo, mbrëmjen e 21 korrikut kur në Arkivin Qendror të Filmit u shfaq versioni i restauruar i filmit “Tana”.

“Tana” e restauruar që mban firmën regjisoriale të Kristaq Dhamos u shfaq rreth një muaj më parë në sallën “Kinojonë” në AQSHF në mungesë të prezencës së tij fizike. Që më 10 korrik familja kishte lajmëruar për gjendjen e tij të rënduar shëndetësore...

Kristaq Dhamo, “Nderi i kombit”, jo vetëm regjisori i cili i ngriti i pari prozhektorët e sheshit të xhirimit, por një ndër emrat më të rëndësishëm të kinematografisë shqiptare ku dhjetëra suksese kinematografike nga ‘Mëngjese Lufte’ tek ‘Vendimi’, i kanë dhënë një vend nderi në artin shqiptar u shua në moshën 89-vjeçare më 14 gusht. Pas komplikacioneve shëndetësore regjisori u shua në Itali, pranë dy vajzave dhe siç shkruan regjisori Joni Shanaj, kineasti “iku një dhome ngjitur me Dhorkën, bashkëshorten dhe bashkudhëtaren e tij trimëreshë”.

Ishin vajzat dhe bashkëshortja e artistit të ndjerë që në bashkëpunim me Ministrinë e Kulturës plotësuan edhe amanetin e tij të fundit që ai të prehej në vendin e tij..

Në hollin e Universitetit të Arteve, aty ku gjeneratat e reja frymëzohen nga të tilla modele u mbajtën edhe homazhet në nder të kineastit, studiuesit të kinematografisë, pedagogut, kritikut të artit, Kristaq Dhamo.

Me marrjen e lajmit të hidhur më 14 gusht, do të ishin të shumtë miqtë që shprehën dhimbjen për largimin fizik të një prej themeluesve të kinematografisë shqiptare, ndërsa regjisori Ilir Butka do të ndalej te komunikimi i fundit me të në përvjetor të lindjes; “I urova ditëlindjen, më tha ç'të bëj me ato 100 vite”, rrëfen bisedën regjisori Butka me të ndjerin Kristaq Dhamo.

Ndër të tjera, ai shkruan se “Njerëz krijues si Dhamo, jetojnë jashtë dimensioneve konvencionale në hapësirë dhe kohë, ndaj dinë të mirë administrojnë limitin që na është imponuar padrejtësisht”.

Studiuesi i artit, Luan Rama shkruan se Kristaq Dhamo ishte një nga ashikët e rrallë të kinematografisë. “Një njeri i dashuruar marrëzisht ndaj saj që në vitet kur studionte për Artin e Shtatë në Budapest”.

Regjia e filmit do të mbetej pasioni i tij më i madh që e identifikoi për nervin me të cilin e shihte një vepër artistike dhe për nxitjen që u jepte aktorëve për të dhënë maksimumin. Ai kurrë nuk e braktisi filmin edhe kur s’mund të xhironte më.

Kineasti Kristaq Dhamo

Dhamo, siç komunikoi familja e tij, një muaj më parë kërkoi edhe që Arkivi i Filmit të shfaqte filmin “Tana” të restauruar në Korçë, pasi konsideronte se “ishte qyteti, fshati dhe teatri i tij që dhanë ndihmën më të madhe në realizimin faktik të filmit”. Drejtorja e Arkivit Marinela Ndria premtoi se filmi do të shfaqej jo vetëm në Korçë, por edhe në qytete të tjera.

Kanë kaluar plot 64 vite nga 17 gushti i vitit 1958, dita e premierës së filmit të parë shqiptar “Tana”, por ai do të vijonte t’u jepte jetë edhe filmave të tjerë si “Dëftesës së pjekurisë”, “Furtuna”, “Qortimet e vjeshtës”, “Brazda” e të tjerë. Nuk mungoi përkrahja edhe për filmat pas 1990-s, edhe si bashkëprodhime. p. sh: ”Dasma e Sakos”, një bashkëpunim hungarezo-shqiptar.

Regjisorin Dhamo e kanë shoqëruar sukseset që pas diplomimit. Më 1956 fill pasi kreu studimet universitare në Institutin e Lartë të Teatrit dhe Kinematografisë në Budapest u emërua në kinostudion “Shqipëria e re”. Për një periudhë të gjatë kohe, Kristaq Dhamo ka qenë udhëheqës artistik i kinostudios (1973¬1981 dhe 1984-1992). Pas filmit “Detyrë e posaçme (1963), në vitin 1965 ekranizoi romanin “Këneta” të Fatmir Gjatës, nën titullin “Vitet e Para”, nderuar me Çmimin e Republikës të Klasit II, si dhe me diplome nderi në Festivalin I të Filmit Ballkanik në Varna (Bullgari, 1966) për “Regjinë e skenave masive me vërtetësi kronikale”. Dhamo fitoi edhe çmimin për “Regjinë më të mirë” në Festivalin e Filmit Shqiptar, 1979. Në 1979 i është dhënë titulli “Artist merituar” dhe në vitin 1987 është nderuar me titullin “Artist i Popullit”.

Më 12 korrik të 2021 ai mori dhe titullin “Nderi i Kombit” për meritat si udhëheqës artistik i Kinostudios ‘Shqipëria e Re’, pedagog i një plejade regjisorësh të rinj dhe përfaqësimin e denjë të kinematografisë shqiptare në arenën ndërkombëtare.

Dhamo la pas një krijimtari të pasur, një pjesë me peshë në historinë kinematografike, ndaj dhe propozimi për ndalimin e filmave të para viteve ‘90 për të do të ishte i pavend. “Arti është art, në çdo epokë. Mirë apo keq, është shenjë e historisë. Edhe historia duhet respektuar! Të kritikohet, por duhet respektuar. Historisë s’mundet që t’i vihet kryq”, do të shprehej Dhamo.

Kushtet e vështira në të cilat realizoi veprën e parë artistike shqiptare me metrazh të gjatë dhe një jetë e tërë dedikuar filmit e bëjnë Kristaq Dhamon një njeri që nuk mund të harrohet lehtë nga brezat që do të vijnë...


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë