Menaxhim

Me tren për Prishtinë- Rizgjohet ëndrra e korridorit të kuq të shqiptarëve

Qeveria shqiptare ka gati studimin e fizibilitetin. Ideja e një linje hekurudhore që lidh Prishtinën me Durrësin është ngjizur më shumë se 1 shekull më parë

Nga Gazeta ‘Si’- Në zyrën e projekteve brenda Hekurudhës Shqiptare, një ide e hershme, shumëvjeçare është bërë projekt.

Dhe brenda tij qëndron një ambicie thellësisht kombëtare por me leverdi ekonomike edhe për të gjithë Ballkanin. Ai nuk ka peshën, sado të madhe, sa ç’mund ta ketë një file 20 gigabites në një komjuter, po ka peshë të pamatë sa ç’e ka një një moment historik.

Para pak javësh qeveria shqiptare njoftoi se ka bërë tashmë gati fizibilitetin e projektit për hekurdhurën e re shqiptare Durrës-Prishtinë. Megjithëse për publikun kaloi si me lehtësinë e një lajmi të ditës që shuhet në mbrëmje, brenda tij qëndrojnë motive që të bëjnë të dëshirosh pa kushte që ky projekt të realizohet.

Teknikisht hekurudha e re Durrës –Prishtinë e ka leverdinë ekonomike sepse jo vetëm që i shton Shqipërisë një linjë të re që nuk ka ekzistuar por mundëson që përmes saj lëvizja e njerëzve dhe e mallrave të jetë me kosto më të ulët, më e shpejtë dhe më e sigurt. Shqipëria dhe Kosova të cilat  mes tyre kanë tregti në vlerën e rreth 50 mld lekëve mund të rrisin shkëmbimet mes tyre. Por nga ana tjetër, shqiptarët në të dyja anët mund të përfitojnë ndjeshëm nga tranzitimi që vjen nga Korridori i Adriatikut të Italisë për në Portin e Durrësit dhe të Shëngjinit, në drejtim të Kosovës dhe më tej drejt Serbisë dhe Europës Qendrore, dhe anasjelltas.

Në një vit është parashikuar të lëvizin 1 milion udhëtarë në dy drejtimet, kurse kërkesa vlerësohet  2.5 million ton në një vit në një drejtim.

Linja hekurudhore  Durrës –Prishtinë do të kalojë në një pjesë të madhe të saj në një trase të re, që nuk e ka pasur kurrë më parë Shqipëria por dhe Kosova.

«Gjurma e Projektit zhvillohet duke filluar nga dalja e stacionit të Shkodrës dhe do të vijojë në lindje drejt stacionit të Prekalot, duke kaluar përgjatë gjatë lumit Kir, në stacionin e tragetit Koman dhe me tej në stacionin e Tropojës. Stacioni kufitar është parashikuar në Qafën e Morinës rreth 1.5 km në brendësi të Kosovës dhe përfundon në Gjakovë »-thotë drejtuesi i njesisë së zbatimit të projekteve Helidon Lusha.

Gjatësia e linjës hekurudhore nga dalja në stacionin e Shkodrës deri në stacionin e  Gjakovës është 105.8 km. Do të ketë 43 ura dhe 14 tunele me gjatësi 35.3 km, dhe 7 stacione hekurudhore.

Gjurma e linjës hekurudhore

Koha e udhëtimit nga Durrësi në Prishtinë (Fushë – Kosovë) për një gjatësi 284.5 km do të jetë 3 orë e 39 minuta për të dy llojet e trenave, atë të udhëtarëve dhe të mallrave.

Janë parashikuar 9 trena udhëtarësh dhe 12 trena mallrash në ditë në një drejtim. Kurse koha e udhëtimit nga Durrësi në Gjakovë do të jete 2.22 orë.

Linja në pjesën e Shqipërisë kalon në segmentin hekurudhor ekzistues Durrës – Vorë dhe Vorë – Shkodër. Pjesa Shkodër – Gjakovë do të jetë linjë e re.

Ky shteg i prek zona që kanë patur akses të kufizuar dhe të vështirë në lëvizje. Vajtja  aty e trenit do t’i japë një shans të madh turizmit në këto zona, të cilat kanë peisazhe magjepsëse. Komuniteti përgjatë linjës do të ketë  më shumë mundësi investimi dhe punësimi, ndërsa pushesit një destinacion të ri. Për pushuesit nga Kosova, drejt plazheve të  Shëngjinit dhe Velipojës, hekurudha e re do të jetë e leverdishme nga kosto dhe koha. «  Projektimi i linjës hekurudhor Durrës-Prishtinë, është bërë në përputhshmëri të plotë me kërkesat e infrastrukturës hekurudhore të përcaktuara sipas Standartit Europian dhe dirketivave te BE » thotë Lusha, përkatësisht : (shiko tabelën)

  • Shpejtësi linje nga 80 km/h deri në 120 km/h,
  • Elektrifikimi i plotë i linjës sipas standartit Europian (EN 50163)
  • Kontroll automatik i trenave (SIL-4), sipas siaps sistemit ETCS (European Train Control System) qe është një sistem i avancuar sinjalizimi dhe kontrolli për hekurudhat evropiane.
  • Sistemi i telekomunikacionit bazohet në një rrjet transmetimi të të dhënave me fibra optike.
  • Zbatimi i plotë i ERTMS (European Rail Traffic Management System) Sistemi evropian i menaxhimit të trafikut hekurudhor, i krijuar për të standardizuar dhe modernizuar sinjalizimin dhe kontrollin e trenave nëpër Evropë.

Përmes kësaj linje Shqipëria ka shanset të rrisë përfitimet edhe nga pushuesit e Europës Lindore dhe Qendrore që tentojnë Malin e Zi, çka nuk ndodhte më parë pasi linja  mundëson kalimin e trenave për në Mal të Zi direkt, pa hyrë në stacionin e Shkodrës.

Shqipëria dhe Kosova jo vetëm që nuk mbeten të shkëputura nga rrugët e tregtisë por fillojnë e bëhen konkurruese edhe në tregun europian. Ndërtimi i hekurudhës shqiptare do të jetë lidhja më e shkurtër ndërmjet Korridorit të VIII (Pan Europian)  Shqipëri – Maqedoni e Veriut – Bullgari  dhe Koridorit Pan Europian X ( Austri – Slloveni – Kroaci – Serbi  – Maqedoni e Veriut – Selanik ).

«  Ndër të tjetra, hekurudha do të mundësonte një integrim të munguar të rrjetit hekurudhor të vendeve te Ballkanit Perëndimor, duke mundësuar edhe një lidhje të rëndësishme të porteve detare me terminalet tokësore dhe të gjitha llojeve te industrisë prodhuese në Ballkanin Perendimor dhe më gjerë. Njëkohësisht hekurudha do të ndikonte ndjeshëm në zbatimin e axhendës së Ballkanit Perëndimor që ka si prioritet ndërtimin e një infrastrukture sipas standardeve të Bashkimit Europian për sektorin hekurudhor »- thotë Administratori i Hekurudhes Shqiptare  Ergys Verdho.

Shqipëria aktualisht ka vetëm një lidhje me transportin hekurudhor europian, nëpërmjet linjës me Malin e Zi, që konsiderohet degëzim i Korridorit X me qendër në Budapest. Lidhja me hekurudhë e shqiptarëve mundëson edhe lëvizjen e trenave drejt Serbisë dhe më tej në Budapest.

Në këtë mënyrë trafiku hekurudhor shqiptar nëpërmjet kalimit të trenave nëpër Kosovë, për të dalë në Europën Qendrore, do ta anashkalojë trafikun për të dalë në Europë nëpërmes Malit të Zi. Gjithashtu trafiku hekurudhor shqiptar nëpërmjet kalimit të trenave në rrjetin hekurudhor të Kosovës, mundësohet për t’u lidhur në Shkup me pjesën e poshtëme Shkup – Selanik të Koridorit IV ( portet e Selanikut dhe Pireut ).

Kjo zgjidhje faktorizon ekonominë e shqiptarëve duke i bërë një nyje konkurruese e  rëndësishme  e rajonit.

Ideja e këtij projekti nuk është rastësore por është ngjizur rrreth 1 shekull më parë.

 “Pozicioni gjeografik i Shqipërisë në Ballkan, sipas studimeve të kryera në fillim të shekullit të kaluar, nga ekspertë të hekurudhave gjermane, e ka identifikuar Shqipërinë si një vend strategjik të transportit, i cili krijonte mundësi për një dalje direkte në detin Adriatik të vendeve poshtë Danubit, veçanërisht Serbisë dhe Bullgarisë, si dhe të vendeve në ish Perandorinë Turke të asaj kohe »thotë Leonard Jani, inxhinier i hekurudhës shqiptare me përvojën më të gjatë në projektet hekurudhore.

Një nga variantet më të favorshme atëherë, ai Danub – Adriatik, që zhvillohej i gjithi në Shqipëri dhe Kosovë fliste për ndërtimin e një hekurudhe në Shqipëri ( në atë periudhe shkruhej në pjesën turke, pasi studimi është i vitit 1908 ), që fillonte nga Prishtina kalonte në veri të Shqipërisë, dhe përfundonte në portin verior, atë të Shëngjinit dhe më tej lidhje me portet e Italisë.

Anasjelltas hekurudha fillonte nga Porti i Shëngjinit, kalonte në pjesën veriore të Shqipërisë, pastaj në Kosovë,  zgjatej në Prishtinë deri në kufirin turko – serb të asaj kohe deri në Medvegj. Ishte e gjate 269.5 km dhe kushtonte me gjithë degëzimin për në Prizren në atë kohë rreth 37.100.000 Franga.

Në studimin e asaj kohe të shoqatës së inxhinierëve gjermanë, cilesohej se nevoja për zhvillimin e rrjetit hekurudhor në Shqipëri, diktohej nga fakti se transporti i mallrave dhe njerëzve për në detin Adriatik drejt Italisë bëhej me rrugë që i »  VININ RROTULL GADISHULLIT BALLKANIK », fakt që kushtëzonte në atë periudhë një lidhje direkte hekurudhore me Serbinë për të dalë në detin Adriatik, nëpërmjet Shqipërise nuk është me një dëshirë por jo domosdoshmëri.

Në situatën aktuale të zhvilimit të Rrjeteve hekurudhore të Ballkanit Perëndimor, ndërtimi i linjës hekurudhore Durrës – Prishtinë ka një rëndësi të veçantë për Shqipërinë dhe Kosovën, sepse kjo do të jetë një linjë e cila do të mundësoje një zhvillim të shpejtë të transportit hekurudhor të mallrave, së pari për nevojat e Shqipërisë dhe Kosovës dhe së dyti për nevojat e vendeve të Ballkanit Perëndimor, dhe më gjerë, duke përfshirë Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut, Serbinë, Rumaninë, Bullgarinë dhe vende të tjera të cilat janë gjithashtu të lidhura me Koridorin Hekurudhor X ( dhjetë ) dhe Koridorin e IV (katër).

Vlera e investimit të parashikohet rreth 1.8 miliardë euro , ku vetëm kostot për ndërtimin e veprave të mëdha inxhinierike si urat/viaduktet dhe tunelet janë parashikuar rreth 1.2 mld euro. Shinat hekurudhore, rrugët, stacionet, elektrifikimi, sinjalizimi dhe telekomanda së bashku me ksotot e shpronësimeve dhe të lejeve janë parashikuar rreth 600 milion euro.

Është një shifër e konsiderueshme dhe ndoshta kjo e bën Drejtorin Verdho të tregohet më me këmbë në tokë. Ndoshta nuk është koha tani për ta nisur, se ndoshta teknologjitë më të avancuara në të ardhmen mund të  na ofrojnë kosto ndërtimi  më të lira »- shprehet ai.

Por fatura nuk e zbeh rëndësinë dhe as peshën e kësaj kohe. Nuk është e rastësishme që ky projekt ëndrrash i një shekulli më parë, tani është realitet.

Është korridori i kuq i  shqiptarëve ashtu siç dikur rruga e paimagjinuar e kombit, që përbashkon Ballkanin.

Edhe të ëndërrosh duhet guxim. Një projekt tashmë rri zgjuar dhe koha do të shpërblejë ata që punojnë sot për  brezat e ardhshëm.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë