Nga Emine Saner – Përballë një realiteti të dhunshëm që ndeshet çdo ditë me pasigurinë, mërgimin dhe humbjen, një grup fëmijësh palestinezë në Egjipt kanë mësuar të shohin botën përmes lentes së një aparati fotografik.
Me ndihmën e organizatës Save the Children dhe fotografit britanik Misan Harriman, këta fëmijë të shpërngulur nga Gaza kanë realizuar imazhe që nuk kanë nevojë për fjalë për të prekur zemrat e publikut.
Çdo fotografi është një dëshmi e jetës, kujtesës, shpirtit dhe qëndresës. Më poshtë, përmes syve të tyre dhe zërit të Harriman, rrëfehen disa nga këto imazhe.
Dashuria e parë. Portreti i nënës, nga Rawan
Në këtë imazh të ndritshëm dhe të përmbajtur, një vajzë i jep vetes të drejtën ta përjetësojë dashurinë për nënën e saj. Drita që përshkon portretin është thuajse shpirtërore. Harriman e përshkruan si një akt respekti: “Nënat palestineze, për mua, janë hyjni dhe kjo foto është një nderim i heshtur për to.”

Macja e Shadit
Në një përqafim të qetë me batanijen, një mace është bërë simbol i ngushëllimit. “Më e dashura është ajo e maces sime, sepse ajo është gjëja më e çmuar që kam”, thotë Shadi. Një gjest i vogël i butësisë në një realitet shpesh të pamëshirshëm.

Kujtim gjeneratash. Portreti i gjyshit
Portreti i gjyshit të Shadit, i ulur në heshtje, me duar që mbajnë mbi vete breza historie. “Ky është një burrë që ndoshta ka qenë fëmijë gjatë Nakbës së 1948-s”, vëren Harriman, “dhe ende është këtu, përballë nipit të tij që mban aparatin.”

Shtëpia si strehë. Portreti i motrës, nga Ayman
Në sfondin e një dhome të ngrohtë, e ndriçuar nga drita natyrale, Layla shfaqet me një qeshje spontane. Në një tjetër foto, Ayman ka kapur gjithë familjen e tij në një çast të zakonshëm aq i rrallë për realitetin palestinez. “Ata janë ende bashkë, pavarësisht gjithçkaje,” thotë Harriman.

Loja e thjeshtësisë. Autoportreti i Aymanit
Në një moment gazmor, Ayman i bën “brirë” vetes me gishta, si çdo fëmijë 11-vjeçar kudo në botë. Fotoja mbart diçka universale dhe thellësisht çliruese: të drejtën për të qenë fëmijë.

Rreth meje, bota: Toleen
Toleen kap jetën urbane me një godinë shumëkatëshe të zbukuruar për Ramazan, e më pas shfaq vetveten në pasqyrë paksa e turpshme, por e ndritur nga drita e aparatit. “Tani e shoh jetën ndryshe, më bukur,” thotë ajo.

Shpirt i qetë: Taleen me Kuranin
Një imazh i heshtur , Taleen, duke lexuar Kuranin në një qoshe të dhomës, ndërsa drita e mëngjesit përthyhet mbi faqet e librit. Më pas, ajo shfaqet në një skulpturë hënore gjatë Ramazanit spiritualiteti si ndihmesë për të përballuar të pamundurën.

Paqe dhe krenari. Masa me kefijen
Në një portret të fuqishëm, Masa shfaqet me kefijen në kokë dhe dorën në shenjë paqeje. “Është një imazh që flet butë, por me forcë,” shprehet Harriman. Kefija bëhet flamur i heshtur i identitetit të saj.
Mësuesja, figura që ngre urat
Adam ka fotografuar mësuesen e tij në hapësirën e komunitetit palestinez në Kajro. Në sfond ndihen zërat e fëmijëve dhe besimi që përçon prania e një të rrituri që nuk i ka braktisur. “Është një portret që flet për përkatësinë në një tokë të huaj,” thotë Harriman.

Këto imazhe janë akte kujtese, dëshmi të jetës, dhe një pohim i thellë: “Ne jemi ende këtu. Shikojeni botën me sytë tanë.” Dhe mbase, më në fund, dëgjojeni.
Burimi: The Guardian
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.