Vende dhe Udhetime

Me ‘Si Saranda’ në Sarandë…

Nga Lutfi Dervishi - Një ditë sa një javë.

Me “Si Saranda”, në Sarandë.

Nëse dëshiron që të jetosh një ditë sa një jave, duhet bërë diçka krejt ndryshe. Aq më tepër nëse bëhet fjalë per ditën e fundit të muajit gusht në Sarandë. Dita e fundit e “pushimeve”

Një udhëtim me anije dhe banjo dielli në plazhet e Jonit që nuk mund t’ arrish dot veçse përmes udhëve detare është një mundësi për të thyer rutinën e punës/pushimeve

Udhëtimi nis në orën 10:00 me anijen “Si Saranda”. Nuk është thjesht një lundrim përgjatë vijës bregdetare më të bukur te vendit.

Kapercimi “urës” në mol dhe hipja në anije është një ftesë për të hyrë në një botë tjetër, ku koha nuk matet me akrepat e orës, por me momente që të mbeten në mendje gjatë.

Personi i parë që të uron mireseardhjen sapo vë kemben mbi “urë” është Aristoteli, i cili është rritur në det. Nëse ke fat ta shohësh një moment pa levizur të duket 50 vjeç, por kur e sheh duke bërë “paralele” ose duke kercyer thua se është 30 vjeç. Me krenari labi thotë se është 72 vjec! Ai nuk ia përton të flasë për të shkuarën dhe për të ardhmen, pa harruar të vendosë pikat mbi i për gjërat që, sipas tij, nuk shkojnë sot.

Ekstremi tjetër këtu është kapiteni i anijes, 26 vjeç për të cilin, një anëtar tjetër i ekuipazhi, Todi, që ka mbi 40 vjet përvojë me anijet, thote: është i jashtëzakonshëm. Kapiteni është i heshtur. Për të flet puna.

Në fakti i gjithë ekuipazhi përbëhet nga njerëz që rralle i ndesh në jetë, për nga profesionalizmi, përkushtimi, kujdesi dhe mikpritja. Që nga momenti i parë i kontaktit me to nuk e ndjen veten se je pasagjer, por një mik i tyre. Dhe tek ekuipazhi nuk përjashtoj as sektorin e kuzhinës.

Si Saranda

Pjesa e brendshme e anijes “Si Saranda” të paralajmëron për një udhëtim të qetë.

Stolat dhe tavolinat prej druri, mbizotërojnë zonën e ndenjes, në të dyja anët e një korridori qendror, që lidh pjesën e banakut. Tavani është prej druri, që e shton më shumë ngrohtesine, ndërsa perdet e bardha, që lëkunden butësisht nga era, kornizojnë dritaret dhe zbusin dritën e fortë të mengjesit.

Ngjyra portokalli e ndritshme e jelekeve të shpetimit, ofron kontrast të kendshem me ambientin. Siguria, që ofrojne jeleket, përforcohet edhe nga kamerat e sigurisë që i sheh në disa pika strategjike të anijes.

Organizimi i brendshëm jo vetëm që premton një udhëtim të rehatshëm, por gjithashtu nxit një ndjenjë të komunitetit midis grupeve të ndryshme të udhëtarëve në bord. Jemi me fat se është një ditë “e qetë”. Vetëm 70 udhëtarë. Gjeografia e tyre përmbledh gjithë kontinentet. Kosova, Italia, Polonia, Franca, Tunizia, SHBA, Argjentina, Suedia eti. Vendasit janë pakice.

Dizajni dhe organizmi i anijes duket se i nxit pasagjerët të njihen me njëri tjetrin, të ndajnë histori, të shijojnë vaktet së bashku dhe ndoshta edhe të krijojnë miqësi të reja. Etnia e turisteve sugjeron se udhëtimi nuk do të jetë thjesht një shplodhje në brigjet e Jonit, por edhe një përvoje, multikulturore.

Pjesa e siperme

Kuverta e sipërme e anijes SiSaranda ofron një pamje që të lë pa frymë, duke inkuadruar në mënyrë perfekte blunë e detit Jon me rrezet e shndritshme të fundgushtit. Kjo pjesë e kuvertës është projektuar për relaksim të trupit dhe mendjes. Aty krahas stolave dhe tavolinave ka edhe ndenjëse prej pellushi, të bardhë me jastëk në të dy anët. Këto zona komode që gjendjen edhe në pjesën e përparme të anijes në “të dy katet” ofrojnë një vend ideal për t’u ndenjur, për të marrë rrezet e diellit dhe për të shijuar mjedisin piktoresk gjatë udhëtimit.

Dy vendkalime të ngushta përmes se cileve lëviz nga kreu në fund të japin mundësinë të jesh më pranë valeve, duke ndjerë erën dhe spërkalat e Jonit.

Tavolinat dhe stolat prej druri në pjesën e siperme ne Kuverte janë me ngjyre të bardhë dhe shërbejnë edhe si vende të përshtatshme për vendosjen e pijeve, ushqimeve ose sendeve personale.

Kuverta e sipërme është vendi i preferuar si për biseda, si për të shijuar moment vetmie, por edhe si një hapësirë ideale për banjo dielli, për valle apo edhe kënde të qeta për te lexuar. .

Plazhi Gremines

Pas 40 minutash lundrim, ndalesa e parë (në det) e “Si Saranda”, është vetëm për foto. Gjiri i Gremines.

Pamja është magjepse: formacione të lashta prej guri, sa vetë jeta ne toke, përthyhen me kaltërsinë e detit. Shkëmbinjtë ngrihen me një madhështi të habitshme, shtresat e tyre të gdhendura, duken si faqet e një libri, ku çdo shtresë mban sekretet e epokave.

Deti, reflekton dritën e diellit me një qartësi të shkëlqyeshme, duke krijuar një kanavacë të gjallë që nxjerr në pah edhe më shumë bukurinë e ashper të shkëmbinjve. Shtresat e shkëmbinjve zbuten nga kthesat e buta të dallgëve, të cilat, me çdo ngritje e rënie, duket se i përkëdhelin ato.

Heshtja këtu prishet vetëm nga zhurma e butë e valëve dhe thirrja e herëpashershme e një zogu deti.

Para këtyre shkëmbinjve monumentalë, mendon për kohën që është dashur për të formuar këtë vijë bregdetare të jashtëzakonshme.

“Duhet të perfitojme me shume nga ekonomia e ujit, thotë Todi. “Me ka bërë përshtypje fakti se peshkataret tanë kur ishte kohë e keqe rrinin në klub, ndërsa të huajt (peshkataret) futeshin në det per peshkim.

Ndalesa e parë e “Si Saranda” nuk është thjesht një pauzë në lundrim, por një hap në një botë ku koha ka ritem tjetër dhe bukuria e egër zones sfidon modernitetin, civilizimin dhe zhvilllimin.

Sapo lëmë pas Gjirin e Gremines befas shfaqet një delfin.

Aristoteli me thotë se delfini po paralajmëron “prishje të kohës”. Ora 11:30. Ngre kokën lart dhe nuk i besoj parashikimit tëtij.

Gjiri i Krorezit

Ndalesa e parë është në gjirin e izoluar dhe befasues të Krorezës. Një perlë e fshehur ku mund të shkosh vetëm me varka ose anije. Ky gji i pacenuar është një oaz, kuashpërsia e natyrës zbutet nga valet e Jonit. Disa shkëmbinj me madhësi të ndryshme në breg jane vende ideale per Instagram.

Edhe ne këtë “vend të humbur” e të vetmuar kanë mbërritur shezlonget. Madje ka edhe një bar-restorant. Koha e qëndrimit këtu është 2 orë. Çmimi për një çadër është 1000 lekë. Por mund të bësh fare mirë edhe pa çadër e shezlong. Mund të gjesh strehë në hijet e pemëve, zgavrat në shkëmb, apo mes gureve të mëdhenj. Natyra ketu të ofron edhe qoshe më private me diell.

Perplasja mijëra vjeçare mes shkembijve dhe valeve të detit e ka mbushur bregun me guriçka të madhesive dhe ngjyrave të ndryshme.

Ujërat e Krorëzës janë kristal dhe të qeta, perfekte për not dhe banja dielli. Qetesia është si në një manastir. Përplasja e butë e valëve me shkëmbinjtë dhe shushurima e butë e gjetheve janë të vetmit tinguj që thyejnë heshtjen.

Ndalesa dy-orëshe këtu deri në orën 14:00 i jep mundësi gjithkujt (me përjashtim të ekupipazhit) të zhytet plotësisht në mjedisin idilik.

Shumica zgjedh të eksplorojnë ujin, të hidhen nga shkallët e anijes apo nga deku, një pjesë preferojne rrezet e diellit dhe disa janë mrekulluar nga shkëmbinjtë mahnitës që qëndrojnë si roje bregdet are në këtë këtë parajsë të fshehur.

Skenderi, që duket se ka moshën e një studenti, ka ardhur nga Tunizia. Ai preferon shkembijte. Në fakt nuk është turist. “Do të qëndroj edhe pak ditë, thotë me një buzeqeshje të ndrojtur dhe do të kthehem. Po punoj në Sarande prej tre muajsh në një hostel!

Gjiri i Krorëzës, me bukurinë e tij të egër dhe ambientin e qetë, ofron një përvojë vërtet unike dhe të paharrueshme, duke e bërë atë “gjellën kryesore ” të menyse së udhëtimit me “Si Saranda”.

Kakome, drekë në det

Pas gjirit e Krorëzës, anija niset drejt Kakomesë. Ndonëse e arritshme si nga deti ashtu edhe nga makina, Kakome ende mbetet një strehë e qetë, shumë larg zhurmës së zonave të (mbi)populluara.

Aristoteli më tregon këtu fotot e peshqeve që ka kapur. “Ky është peshk Shtizë, është dy metra. Ky është peshk kameleon që ndërron ngjyrë si politkikanët, ky është peshk gushtak sepse hedh vezët në gusht… Gjyshi im ka qenë peshkatar në këtë zonë në vitet 40- thotë Aristoteli, që pastaj shfryn për politikanët e ditës…

Ndalesa në Kakome ofron më shumë se thjesht një plazh të virgjër (këtu mungojnë shezllonët)! Është koha për një drekë në det. Opsionet e vakteve plotësojnë një shumëllojshmëri shijesh; peshk të freskët të gatuar në anije, fileto pule të shijshme ose një sanduiç. Atmosfera në bord është e relaksuar dhe pijet e pakufizuara nxisin pasagjerët të çlodhen plotësisht.

Ujërat e kthjellëta dhe tërheqëse të Gjirit të Kakome ofrojnë për të gjithë një mundësi të dytë për të notuar dhe eksploruar mjedisin e pacenuar. 50 metra larg bregit të detit shfaqen disa kuaj që duken se kanë kohë që i kanë shkeputur marrëdhëniet me njerëzit. Një fik i madh i egër gënjen ndokënd me “frutat e tij” që duken të pjekura.

Aristoteli gjen rastin të më thotë se çfarë nuk shkon mirë në Shqipëri.

“Nëse unë grabis 10 mijë lekë, bëj 10 vjet burg, ndërsa këta që kanë grabitur sa për 10 breza nuk i gjen gjë”. “I kam thënë djalit thotë që në punën që është të ketë kujdes se mos firmos tenders dhe prokurime”

Lundrimi nuk ka të bëjë vetëm me lëvizjen nga një vend në tjetrin; ka të bëjë me zhytjen në bukurinë natyrore dhe atmosferën e qetë që ofrojnë xhevahiret e pa arritshme nga toka të bregdetit shqiptar.

Çdo ndalesë i shton një kapitull të ri ditës në det duke e bërë atë vërtet “një ditë shumë ndryshe” nga ditët në tokë.

Roidhe

Ndalesa e fundit e udhëtimit të SiSaranda është në Roidhe, një vend i aksesueshëm vetëm nga deti. Ndërsa anija afrohet, dallon një formacion natyror të mrekullueshëm që i ngjan një amfiteatri të lashtë. Këtu, peizazhi është skalitur nga duart e vetë kohës, me dy rreshta shkallësh të gjata prej gurësh të lëmuar që duket se janë ngritur nga deti, për t’i bërë vend njeriut.

Këto “shkallë” nuk janë vepër e duarve të njeriut, por janë gdhendur dhe gërryer gjatë shekujve nga uji i Jonit. Gurët e mëdhenj të lëmuar duken sikur janë vendosur qëllimisht, për t’i dhënë formë një amfiteatri madhështor, që për audiencë ka detin dhe anijet që shkojnë aty për vizitë

Celulari tregon orën 17:00. Një pjesëtar i ekuipazhit thotë se duhet të nxitojmë se po prishet koha. Pesë orë më parë mendova se “paralajmërimi i delfinit” për të cilin foli Aristoteli ishte thjesht një trill/shaka.

Roidhe ofroi mundësinë e fundit për t’u zhytur në ujërat kristal të Jonit përpara kthimit për në Sarandë. Atmosfera “kishtare” e Roidhe-s e bën atë një vend të përsosur për të bërë një zhytje të fundit. Uji këtu, është i pastër, i ngrohtë dhe freskues në të njëtën kohë.

Roidhe më shumë se një vend noti; është një dëshmi e artit të natyrës, një vend ku nuk e shpjegon dot se si është krijuar diçka kaq jashtëzakonshme.

Gjatë kthimit ka muzikë. Aristoteli ka harruar “politikanët” dhe i është kthyer valles…

Nendetësja

Ndërsa anija kthehet në mol afër perëndimit të diellit, ka një mundësi edhe për një orë tjetër emocionuese në det. “Si Saranda” ofron një surprizë të fundit – një udhëtim 60 minuta me “nëndetëse” jo shumë larg qytetit.

Ky udhëtim nënujor me tre stacione fillimisht ndalet te rrënojat e një anijeje italiane që u mbyt nga gjermanët gjatë Luftës së Dytë Botërore, një pamje e jashtëzakonshme që na rikthen të kaluaren në një mënyrë që pak përvoja mund ta bëjnë. Audio shpjeguese këtu është në tre gjuhë (shqip, anglisht, italisht). Ndalesa e dytë dhe e tretë është te disa shkëmbinj koralor, ku nënujë sheh një botë të mbushur me jetë – peshqit e llojeve dhe madhësive të ndryshme që “vrapojnë” mes koraleve, me ngjyrat e tyre verbuese në dritën e filtruar të diellit.

Ndërsa dielli zbret nën horizont dhe nëndetësja kthehet në bazë, një pasagjer nga Franca bën bilancin e ditës: “Nuk jam i sigurt nëse kaluam një ditë apo një javë në det. ” “Kujtimet e kësaj dite do të mbeten të pa harruara” shton një turiste nga Suedia.

***

Në pedonalen e Sarandës ka rënë muzgu. Kioska e shumta që ofrojnë ‘boat trip”, “Udhëtim me anije” janë shtuar. Po ashtu edhe skafet dhe anijet ne breg.

Një ditë në det, nuk është e njëjtë me një ditë në tokë.

Koha për t’i thënë mirupafshim ekuipazhit te “Si Saranda”- ndofta energjinë dhe pozitivitetin atyre ua jep fakti se pjesën me të madhe të kohës e kalojnë në det. Larg zhurmes se modernitetit që të ofron “toka” dhe politika.

Aristoteli (jo personazhi ekuipazhit, por filozofi grek) studio shekuj me parë jo larg prej Sarande se si njerëzit duhet të jetojnë më së miri së bashku në komunitet. Kishte parasysh njerëzit që kalojnë kohën bashkë në qytet dhe jo në det.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë