Menaxhim

Më parë pushues, tani ukrainasit po rikthehen të punojnë në të njëjtat hotele në Shqipëri

Deri para një viti, ata që vinin për pushime, tani rreken t’i shpëtojnë luftës e të punësohen në hotelet e rivierës së detit Jon.

Vasil Bedini, Kreu i Operatorëve turistikë të jugut, tregon për Gazetasi.al se gjer tani, 6 familje nga Ukraina kanë kontaktuar me të dhe kanë kërkuar punë në sektorin e hotelerisë.

“Vitet e shkuara ne kishim rreth 25 mijë klientë ukrainas me të cilët kemi mbajtur kontakte qoftë nëpër rrjetet tona sociale ashtu edhe në komunikime me numra telefoni. Turistët nga Ukraina janë besnikë. Nuk e kanë braktisur bregdetin e Shqipërisë që në momentin që e zbuluan tokën shqiptare,”thotë ai për Gazetasi.al duke shtuar se situata e atjeshme i ka nxitur të gjejnë ‘shpëtim’ në bregdetin por edhe në tregun shqiptar të punës.

Vasil Bedini, Kreu i Operatorëve turistikë të jugut

Bedini rrëfen për Gazetasi.al gatishmërinë e tyre për të punuar në të gjithë pozicionet që përfshin hoteleria.

“Kamarierë, banakierë gjithashtu edhe në pjesën e pastrimit të dhomave. Janë të interesuar për të gjitha llojet e punëve por për momentin nuk kemi ende informacion se kur do të vijnë”, thotë ai duke shtuar se hotelet do i ndihmojnë me gjithçka që u nevojitet për të ardhur po për momentin çdo gjë varet nga zhvillimet në terrenin luftarak ruso-ukrainas.

“Ne sigurisht që do i mirëpresim, ashtu siç kanë bërë shumë shtete të botës. Jo vetëm për t’i ndihmuar në një situatë kaq të vështirë për ta por edhe për t’u kthyer mbrapsht atë që na kanë dhënë”, thotë Bedini teksa kujton se edhe gjatë periudhës së pandemisë kur turizmi ishte futur në spiralen e krizës, ukrainasit ishin të parët që kryen rezervimet dhe që nuk na braktisën.

Turistët e parë ukrainas që mbërritën në Shqipëri kur u rihap sezoni veror pas pandemisë

Më tej ai shton se kuptohet që përpos faktit se duan që t’i largohen luftës dhe zhvillimeve të ethshme që po ndodhin atje, ukrainasit po i forcojnë lidhjet me rivierën shqiptare gjithnjë e më shumë.

“Tipikisht, ukrainasit i kryenin rezervimet e tyre që në muajin mars dhe ne lidhnim kontrata fikse me ta. Këtë vit, edhe ata pak rezervime që janë bërë, janë anuluar. Çdo gjë do të varet nga ecuria e situatës atje por e rëndësishme është që ne do të jemi këtu për ta. Për t’i akomoduar qoftë si turistë, qoftë si punonjës”, shton mandej ai për Gazetasi.al duke theksuar faktin se operatorët po shtyhen të kërkojnë mënyra edhe si të tërheqin më shumë turistë nga vendet e tjera për të kompesuar mungesën e tyre.

Disa ditë më parë, Rrahman Kasa, kreu i “Unionit Turistik” tha gjithashtu për Gazetasi.al se këtë sezon veror në Shqipëri, ishin parashikuar të vinin rreth 100 mijë ukrainas që në këtë situatë  mendohet të mos vijnë.

Rrahman Kasa, kreu i “Unionit Turistik”

“Kjo është një kosto e madhe që do t’i kushtojë ekonomisë shqiptare rreth 70mln euro. Aktualisht nuk kemi ende kontakte me ta pasi në këtë situatë është vështirë të lidhesh. Strukturat turistike në vend po ndiejnë vështirësi për faktin se nisur nga përshkallëzimi i konfliktit, turistët që kanë paguar rreth 30-40% të ofertës së tyre turistike, mund të kërkojnë mbrapsht paratë e tyre”, u shpreh ai.

Turisti ynë kryesor, nëse lëmë mënjanë pjesën shqipfolëse, është ai ukrainas. Sipas të dhënave të INSTAT, turistët nga Ukraina zënë një peshë prej 40% të turizmit bregdetar duke zgjedhur kryesisht destinacione si Durrësi apo Vlora.

Të dhënat nga TIA (Aeroporti Ndërkombëtar “Nënë Tereza”) tregojnë se vitin e shkuar, në korrik – gusht fluturuan drejt Rinasit dhe anasjelltas, 38.5 mijë pasagjerë nga Ukraina, ose 65% më shumë se e njëjta periudhë e para pandemisë.

Turistët nga Ukraina zunë 22% të lëvizjeve me charter dhe ishin grupi i dytë më i madh pas polakëve.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë