Qytetarë dhe aktivistë janë mbledhur ditën e sotme në Tiranë, përpara Ministrisë se Brendshme dhe në Fier për të protestuar për rastin e Sabrina Bengajt dhe grave të tjera që kanë rënë pre e dhunës së burrave në Shqipëri.
Me pankarta në duar që mbajnë mesazhe si “Më mirë e ndame sesa e vrame” qytetarët protestojnë sot për ndëshkimin e burrave dhunues dhe për një mbështetje më të madhe ndaj grave dhe vajzave.
Me qirinj, poshtë pankartës së saj edhe qytetarët e Fierit nderuan Sabrinën që iku në një moshë kaq të re.
Sabrina Bengaj u vra 5 ditë më parë nga ish-burri i saj Elton Meta, duke lënë pas një fëmijë të vogël. Meta u arratis menjëherë pas ngjarjes, por kjo arrati nuk i zgjati shumë.
Ai u arrestua pas 3 orë ndjekjeje, i fshehur në një pyll në fshatin e tij në Peshtan të Fierit, ku iu gjet edhe arma e krimit. Edhe pse Meta terrorizoi për më shumë se 5 orë familjen Bengaj një vit më parë, nuk bëri asnjë ditë burg, pasi gjyqtari Piro Sota dhe prokurori Çlirim Sino, nuk e dënuan me asnjë ditë burg, por e shtruan në spitalin burg të Zaharisë.
Prej aty, vetëm pak muaj me vonë u nxor me argumentin se do të vazhdonte kurimin në shtëpi.
“Duam drejtësi, mbështetje familjeve të viktimave. Edhe sa vajza do vriten?”- thonë protestuesit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.