Gazeta Si – Një 33-vjeçar, Alban Qira, nga Kruja është arrestuar, pasi dyshohet se është autori i vendosjes së lëndës eksplozive, mina artizanale, 3 herë në ambientet e jashtme të një mobilerie.
Sipas policisë, mobileria nën pronësinë e 48-vjeçarit me iniciale A.A., në fshatin Rrashbull ka qenë objektivi i 33-vjeçarit më 3 prill 2024, më 7 mars 2024 dhe më 18 nëntor 2023.
Policia sekuestroi 2 automjete dhe 2 celularë të 33-vjeçarit, si dhe maska dhe veshje të dyshuara të përdorura gjatë krimeve.
Për vendosjen e lëndës eksplozive të 3 prillit, vetë pronari i mobilierisë, A.A., në një prononcim për mediat mohoi të ketë konflikte me njeri.
“Nuk kam konflikt me asnjë në botë, rri ditë natë para derës së dyqanit këtu. As me prona nuk kam konflikt, as borxh nuk i kam njeriu, e kam me leje, me licencë, rri te dera e dyqanit serbes”, pati thënë ai.
Policia në një njoftim për ngjarjen e fundit, tha ditë më parë se dyshohet që shkak për vendosjen e eksplozivit është bërë një konflikt pronësie.
Burime nga policia bëjnë me dije se i arrestuari nuk ka folur dhe mohon të jetë autori. Por provat kundër tij – sipas policisë – janë të mjaftueshme dhe të pakundërshtueshme.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme.
Lidhur me ngjarjen ka reaguar edhe Ministri i Brendshëm Taulant Balla. Ai shprehet se parandalimi i ngjarjeve kriminale është detyrë parësore e Policisë së Shtetit.
“Parandalimi i ngjarjeve kriminale është detyrë parësore e Policisë së Shtetit. Përgëzime Policisë së Shtetit Mirditë për ndalimin në kohë të një personi të përfshirë në trafik të lëndëve/pajisjeve shpërthyese. Elementët/grupet kriminale duhen ndjekur nga Policia e Shtetit këmba këmbës, ditë-natë! Gjithashtu parandalimi i përshkallëzimit të konflikteve, zbardhja e ngjarjeve të ndodhura më parë, goditja e armëmbajtjes pa leje, lufta kundër kultivimit të bimëve narkotike dhe i shpërndarjes së lëndëve narkotike, ndalimi i shtetasve në kërkim, si dhe zbatimi me rigorozitet i Paketës për Sigurinë në shkolla, rritin besimin e qytetarëve tek Policia e Shtetit. Përgëzime Policisë së Shtetit në Durrës, Lushnjë, Elbasan, Shkodër, Tiranë, Lezhë, Kukës, Vlorë, Dibër, Korçë dhe Fier, për rezultatet e operacioneve të 24 orëve të fundit, të cilat kanë çuar në ndalimin e 27 shtetasve dhe ku janë sekuestruar armë zjarri, mina me telekomandë, lendë eksplozive, fara cannabisi, lënde narkotike cannabis dhe kokainë”, shkruan Balla.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.



