Kinema

Me “Furgon” nga Shqipëria në Festivalin e Kanës

Finalistët e Festivalit të Kanës, për filmin me metrazh të shkurtër. Majtas, regjisori shqiptar Erenik Beqiri.

Erenik Beqiri është një kineast i ri, i gjendur në Kanë, jo thjesht e vetëm për të shkelur tapetin e kuq, për t’u dukur, qoftë edhe rrejshëm, si yjet e kinematografisë botërore pak ditë më parë, në ceremoninë e çeljes së edicionit të  72-të të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit. As për arsyet e blogereve të  Instagramit, të cilat pakkush për të mos thënë askush, i kupton. Ndryshe nga lajmet që  mbushën portalet online pak ditë më parë mbi një kinse prezantim në Kanë të një filmi shqiptar, si “Dy gisht mjaltë”, e vërteta e të cilit qëndronte pas një ekranizimi me pagesë jashtë fokusit kryesor të evenimentit,  filmi “Furgoni” i regjisorit të ri, është konkurrent  zyrtar i Festivalit të Kanës, në kategorinë e Metrazhit të Shkurtër, i përzgjedhur mes 11 më të mirëve.

Stafi i filmit "Th Van" (Furgoni) me regji te Erenik Beqirit

Por ndërsa të gjithë merreshin me “pengimin” e Ermal Mamaqit në shkallë apo fustanet e Armina Mevlanit e  të Aurela Hoxhës, mediat thuajse e shpërfillën  regjisorin Beqiri dhe kastën shqiptaro-franceze të filmit si Arben Bajraktaraj, Phénix Brossard, Lulzim Zeqja e  Afrim Muçaj. Janë më pak se gishtat e një dore herët e përfaqësimit të Shqipërisë në Festivalin e Kanës. Ashtu si ka bërë të ditur pak më herët ish-drejtori i Qendrës Kombëtare të Kinematografisë, Ilir Butka, tre filma  kanë qenë pjesëmarrës në këtë festival. I pari ishte “The Great Earrior Skanderbeg”, (Skënderbeu)  në vitin 1952; bashkëprodhim i Shqipërisë dhe Bashkimit Sovjetik, me regji të  Sergei Yutkevich, kandidat për “Grand Prize”, por në fund u shpall fitues “International Prize” dhe “Special Mention” për regjinë, në Festivalin e Filmit në Kanë.

Regjisori Erenik Beqiri dhe aktori Lulzim Zeqja

Në vitin 2001 ishte radha e filmit “Slogans” (Parullat), me regji të Gjergj Xhuvanit, bashkëprodhim i Shqipërisë dhe Francës, i cili mori pjesë  në seksionin "Quinzaine des Réalisateurs” ku edhe fitoi “Prix de la Jeunesse du film étranger”. Por Erenik Beqiri është i pari regjisor shqiptar, i cili konkurron për “Palmën e Artë”. “Erenik Beqiri mbërriti në Festivalin e Kanës dhe bashkë me të besoj se shkuan aty edhe ëndrrat dhe pritshmëritë e çdo kineasti shqiptar”, do të shprehej Butka, ndërsa filmi “Furgoni” i Beqirit, u përzgjodh mes 4240 filmave. Të tjerë konkurrues në këtë kategori ishin nga Argjentina, Franca, Finlanda, Greqia, Izraeli, Ukraina, Suedia dhe ShBA, me filma fiction, dokumentar dhe animacion.

Filmi rrëfen historinë e një  djali në të njëzetat, me synimin të emigrojë jashtë vendit. Për të siguruar paratë që i duhen për t’u larguar, pranon të bëhet pjesë e disa ndeshjeve, brenda një furgoni. Rregullat e lojës janë të thjeshta: dyert mbyllen dhe furgoni ndjek një trajektore rutinë, për t’u kthyer në pikënisje. Dyert hapen dhe nga aty mund të dalë vetëm një fitues.

Aktorët Arben Bajraktaraj dhe Afrim Muçaj në Festivalin e Kanës

Aktori Arben Bajraktaraj, i cili interpreton rolin e babait, në filmin “Furgoni”, do ta pranonte ftesën e regjisorit për të dytën herë, ndërsa gjatë xhirimeve të filmit, në Tiranë do ta cilësonte Beqirin si një nga talentet e rinj të kinemasë shqiptare. Bashkëpunimi mes të dyve nisi gjatë filmit “Bon Appetit”, me regji të Erenik Beqirit.

Ai është regjisor i katër filmave me metrazh të shkurtër , si “Paratë” më 2010-n , “Alphonso”,  më 2014-n, “Bon Appetit”, dy vjet më parë dhe “Tha Van” (Furgoni), prodhim i këtij viti. Beqiri gjithashtu ka qenë edhe skenarist i tre filmave të fundit, ndërsa ka shkruar edhe skenarë të filmave të shkurtër si “Dy miqtë” , “Ushtarët 4” dhe “Reverse”.

Kasta e aktorëve në filmin "The Van" dhe regjisori Erenik Beqiri

Si një talent, por edhe frymë moderne në kinemanë shqiptare, Beqirin do ta vlerësonte edhe regjisori Robert Budina, i cili vetë ishte pjesë e konkurrimit të disa festivaleve ndërkombëtarë, me filmin “Streha mes Reve”, ku interpreton aktori shqiptar Arben Bajraktaraj, me famë në kinemanë europiane.

“Kur ëndrrën nuk e ndalin dot as pengesat, as “profesionistët” dhe as gara e fortë nuk të ngelet gjë tjetër veçse ta pranosh fatin e fitimtarit! Arritja më e madhe për çdo kineast në botë, të jetë pjesë e garës zyrtare në Cannes! Suksese Erenik Beqiri! Jam i bindur që nuk do të ndalesh këtu!”, uronte Budina kolegun e ri. Filmi “The Van” është në konkurrim, për Palmën e Artë, që këtë vit do t’u akordohet fituesve të kategorisë së filmave të shkurtër  nga presidenti i jurisë, Claire Danis, në ceremoninë përmbyllëse, të shtunën e 25 majit.

https://vimeo.com/332732634?fbclid=IwAR1F4R4I4SRSYBDnL3xHHr_0SsapuWSVQhx__xUl-dEggWkQZTs16Lw5QvA

Ky edicion i 72-të i Festivalit të Filmit në Kanë, u zhvillua nga 14 deri më 25 maj, ndërsa presidenti i jurisë ishte kineasti Alejandro González Iñárritu. Festivali nderoi kineasten franceze Agnès Varda, e cila u nda nga jeta këtë vit, duke e shfaqur atë në afishen zyrtare të festivalit, e shkrepur gjatë xhirimeve të filmit të saj debutues “La Pointe Courte” (1955), e cila më vonë u ekranizua në Festivalin e Filmit në Kanë.

Festivali e ka origjinën në vitin 1932, kur Jean Zay,  ministri frëng i Arsimit Kombëtar, me propozim të historianit Philippe Erlanger  dhe me mbështetjen e britanikëve dhe amerikanëve, themeloi një festival ndërkombëtar kinematografie. Lindja e tij i atribuohet pjesërisht edhe dëshirës së francezëve për të garuar me Festivalin e Filmit të Venecias, që atëkohë po trondiste botën demokratike nga ndikimi fashist. I pari edicion u planifikua për vitin 1939 dhe si vendndodhje u zgjodh Kana, por financimi dhe organizimi ishin shumë të ngadaltë dhe më në fund, nisja e Luftës së Dytë Botërore, i dha fund atij plani.

Më 20 shtator të 1946-s, 21 shtete paraqitën filmat në të parin festival ndërkombëtar të filmit në Kanë, që u organizua në ish-Kazinonë e Kanës. Më 1947-n, mes problemeve të rënda të efikasitetit, festivali u mbajt si  “Festival du film de Cannes”, ku u paraqitën filma nga 16 shtete. Edicionet e ’48 dhe ’50 nuk u zhvilluan për shkak të problemeve me buxhetin, ndërsa më 1949-n,  Palais des Festivals u rindërtua për rastin në shëtitoren buzë detit të “La Croisette”, ku ccatia u përurua pa përfunduar mirë dhe u shkatërrua gjatë një stuhie. Më 1951-shin, festivali u shty në pranverë për të shmangur një konkurrencë të drejtpërdrejtë me Festivalin e Venecias, që mbahej në vjeshtë.

Poster i filmit "The Van"

Një nga filmat më të kuotuar për 2019-n në Festivalin e Kanës  është  “Once Upon a Time in Hollywood” e regjisorit Quentin Tarantino; një komedi-dramë  e zezë ku interpretojnë yje Leonardo DiCaprio dhe Brad Pitt.Të tjerë filma të vlerësuar janë cilësuar “ Portrait of a Lady on Fire” , “Little Joe” , “Sorry We Missed You”, “The Swallows of Kabul”  apo “Diego Maradona”.

 “Besoj që pas këtij festivali, filmi do udhëtojë edhe nëpër festivale të tjera në botë”,  është shprehur besimplotë regjisori i ri shqiptar, i cili edhe nëse paraditen e së shtunës nuk do të ngrejë statujën e Palmës së Artë, e çoi vërtet Shqipërinë në Kanë, mes parakaluesve po aq të vërtetë të kinemasë botërore. Më në fund furgoni ndalet, dyert hapen dhe djali del jashtë, i gjallë. Edhe pak ndeshje dhe do të mundet t’i  bëjë paratë për ti ikur Shqipërisë, me shpresën se do të marrë edhe të atin me vete...


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë