Gazeta Si – Qëllimi i Teheranit, përballë sulmeve nga SHBA dhe Izraeli, është të mbyllë Ngushticën e Hormuzit, për të bllokuar tregtinë botërore, për të cilën kjo rrugë është tepër e rëndësishme.
Tregjet kanë reaguar shpejt nën frikën se kjo rrugë mund të mbyllet, të shqetësuar për çmimet e naftës dhe gazit. Ky është një shqetësim i kuptueshëm, por paraqet vetëm një pjesë të hsitorisë.
Një mbyllje e Ngushticës së Hormuzit nuk do të nxisë vetëm një krizë energjie, por edhe një krizë të plehrave kimike për bimët dhe si pasojë – një krizë botërore të ushqimit.
Agrikultura moderne nuk mbështetet vetëm në diell dhe tokë, por edhe në gazin natyror. Kur kimistët gjermanë, Fritz Haber dhe Carl Bosch zhvilluan metodën e tyre të fiksimit të azotit në fillim të shekullit XX, ata bënë më shumë sesa thjesht prodhuan amoniak në shkallë të gjerë. Ata nisën një revolucion kimik që mbetet gurthemel i shoqërisë moderne.
Gjatë këtij procesi, metani transformohet në amoniak dhe amoniaku në plehëra me azot si urea – plehu më i përdorur.
Këto plehra kimike u lejojnë kulturave bujqësore të arrijnë prodhimet nga të cilat varet sot popullsia globale. Pa to, të korrat e grurit, misrit dhe orizit do të binin ndjeshëm.
1/3 e uresë në botë, kalon në Hormuz. Gjiri Persik është qendra e këtij sistemi botëror për dy arsye: ofron gazin më të lirë në botë, kyç për prodhimin e amonikuat dhe e dyta; i gjithë rajoni ka kapacitete të mëdha të amoniakut dhe uresë. Pra, një pjesë shumë e madhe e uresë që i duhet botës, kalon nga Ngushtica e Hormuzit.
Efekti parësor do të jetë vonesa e tregtimit ose ndalimi i menjëhershëm, që do t’i shtrenjtojë këto produkte. Por efekti më i frikshëm, do të ndihet disa muaj më vonë, nëpër fermat kudo në botë.
Në hemisferën e veriut, tregu i plehërave rritet para sezonit të mbjelljes. Vonesat disa javore mund të jenë të rënda, ndërsa mujoret fatale.
Nëse dërgesat nuk mbërrijnë në kohë, fermerët përballen me zgjedhje të vështira, si për shembull të paguajnë çmime shumë më të larta, të ulin sasinë e plehrave që përdorin, ose të ndryshojnë kulturat që mbjellin.
Për shkak të mënyrës si reagojnë të mbjellat, edhe ulje relativisht të vogla në përdorimin e azotit mund të sjellin rënie shumë më të mëdha të prodhimit.
Kjo mund të përkthehet në miliona tonë prodhime të humbura. Pasojat do të përhapen në zinxhirët globalë të furnizimit, në tregun e ushqimit për kafshët, në prodhimin blegtoral, në biokarburante dhe në fund te çmimet e ushqimeve për konsumatorët.
A kanë vendet furnizime?
Disa vende kanë furnizime me plehra kimike, por vetë-mjaftueshmëria është më e rrallë sesa duket. India, për shembull, mbështetet shumë në importet e gazit natyror të lëngshëm nga Gjiri Persik për të furnizuar fabrikat e saj vendase të uresë.
Brazili varet në masë të konsiderueshme nga importet e plehrave azotike dhe fosfatike për të mbështetur prodhimin e sojës dhe misrit.
Edhe Shtetet e Bashkuara, një nga prodhuesit më të mëdhenj të plehrave në botë, importojnë sasi të konsiderueshme amoniaku dhe ureje për të përmbushur kërkesën rajonale dhe për të ulur çmimet. Në Afrikën Sub-Sahariane përdorimi i plehrave është tashmë i ulët.
Një rritje e mëtejshme e çmimeve ka gjasa ta ulë edhe më shumë përdorimin, duke reduktuar prodhimin bujqësor dhe duke rritur pasigurinë ushqimore.
Brishtësia e sistemit shkon përtej azotit. Squfuri, një element thelbësor për rritjen e bimëve, është kryesisht një nënprodukt i përpunimit të naftës dhe gazit.
Nëse dërgesat energjetike përmes Ngushticës së Hormuzit ndërpriten, prodhimi i squfurit bie së bashku me eksportet e karburanteve. Kështu, goditja jo vetëm që do të ulte dërgesat e plehrave, por edhe do të kufizonte mundësinë për t’i prodhuar ato diku tjetër.
Ndërkohë, prodhimi i azotit sintetik është i lidhur ngushtë me tregjet e energjisë, sepse prodhohet vazhdimisht nga gazi natyror. Një ndërprerje e furnizimit me gaz ose e tregtisë së amoniakut kufizon menjëherë disponueshmërinë globale të azotit.
Vlerësimet sugjerojnë se pa azotin sintetik, bota mund të ushqente vetëm një pjesë të popullsisë së saj aktuale. Prandaj, Ngushtica e Hormuzit ndodhet në kryqëzimin mes sigurisë energjetike dhe asaj ushqimore.
Ndryshimi i vendeve ku prodhohen plehrat nuk mund të ndodhë brenda natës. Financimi dhe ndërtimi i fabrikave të reja të amoniakut kërkon vite. Një rënie me dy shifra në eksportet nga një rajon kyç nuk mund të kompensohet shpejt.
Ndërkohë, çmimet do të rriteshin, rrjedhat tregtare do të ridrejtoheshin dhe vendimet për mbjelljet do të merreshin në kushte pasigurie. Inflacioni i çmimeve të ushqimit, që historikisht lidhet me trazira sociale, mund të përshkallëzohej.
Bankat qendrore, të përqendruara kryesisht te inflacioni i nxitur nga karburantet, mund të nënvlerësojnë ndikimin e mungesës së plehrave në rritjen e përgjithshme të çmimeve.
Në mënyrë të rëndësishme, goditjet në tregun e plehrave nuk ndihen me të njëjtën shpejtësi si ato të naftës.
Çmimet e karburanteve ndryshojnë brenda natës; rendimentet e të korrave bëhen të dukshme vetëm muaj më vonë. Megjithatë, këto të fundit mund të rezultojnë më destabilizuese.
Kontrolli ose mbyllja e këtij korridori të ngushtë detar do të riformësonte koston e jetesës shumë përtej Gjirit Persik.
Nëse shekulli XX i mësoi politikëbërësit të kenë frikë nga embargoja e naftës, shekulli XXI duhet t’i mësojë të kenë frikë nga një goditje në tregun e plehrave. Tregjet e energjisë mund t’i përballojnë goditjet përmes rezervave dhe zëvendësimeve.
Por sistemi global i ushqimit ka shumë më pak mbrojtje. Një ndërprerje e zgjatur në Hormuz nuk do të rishkruante vetëm çmimin e naftës; do të vinte në provë qëndrueshmërinë e ciklit industrial të azotit nga i cili varet qytetërimi modern.
Nafta fuqizon makinat. Azoti ushqen të mbjellat. Nëse Ngushtica e Hormuzit mbyllet, çmimi më i rëndësishëm mund të mos jetë ai i naftës, por ai i ushqimit të botës.
Burimi:”TheConversation” / Gazetasi.al
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje