Lajme

Më 19 qershor nis gjyqi për Saimir Tahirin

Ish-ministri i Brendshëm Saimir Tahiri do të ulet në bankën e të akuzuarve më 19 qershor. Pas përzgjedhjes së gjyqtarëve, sot është caktuar edhe data e seancës së parë ndaj ish-ministrit.
Tre gjyqtarët që do të shqyrtojnë dosjen penale të ish-ministrit janë Ardit Mustafaj, Flora Hajredinaj dhe Irena Gjoka. Ish-ministri Tahiri akuzohet për favorizim të grupit kriminal Habilaj në trafikun e drogës nga Shqipëria drejt Italisë.
Bashkë me të, të pandehur janë edhe tre ish-zyrtarët e lartë të Policisë së Vlorës, Jaeld Çela, Gjergj Kohila e Sokol Bode.
Më 28 shkurt, Prokuroria për Krime të Rënda mbylli hetimet dhe çoi dosjen e Saimir Tahirit në Gjykatë me akuzën për “Trafikim të lëndëve narkotike” në kuadër të grupit të strukturuar kriminal “Habilaj” dhe “Korrupsionit pasiv të funksionarëve të lartë shtetërorë”.
Saimir Tahiri ka qenë në hetim nga prokuroria italiane prej datës 27 tetor 2017 me akuzën e trafikut të drogës mbi bazën e përgjimeve të çështjes Habilaj.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë