Presidenti i zgjedhur Donald Trump, i ka kërkuar Gjykatës së Lartë të SHBA-së që të shtyjë ndalimin e mundshëm të TikTok-ut, ndërkohë që ai punon për një “zgjidhje politike”.
Avokati i tij depozitoi të premten një dokument ligjor në gjykatë, ku theksohet se Trump “është kundër ndalimit të TikTok-ut” dhe “kërkon mundësinë që ta zgjidhë çështjen përkatëse përmes mjeteve politike pasi të marrë detyrën”.
Më 10 janar, gjykata do të shqyrtojë argumentet lidhur me një ligj të SHBA-së që i kërkon pronarit kinez të TikTok-ut, ByteDance, të shesë kompaninë te një firmë amerikane ose përballet me ndalim më 19 janar – një ditë para se Trump të marrë detyrën.
Zyrtarët dhe ligjvënësit amerikanë kanë akuzuar TikTok dhe ByteDance për lidhje me qeverinë kineze, akuza që këto kompani i mohojnë.
Këto akuzat, për një aplikacion që ka 170 milionë përdorues në SHBA, çuan Kongresin të miratojë një ligj në prill, të cilin Presidenti Joe Biden e nënshkroi, i cili kërkon që TikTok të shitet ose të ndalohet.
TikTok dhe ByteDance kanë ngritur disa sfida ligjore kundër këtij ligji, duke argumentuar se ai rrezikon mbrojtjen e lirisë së fjalës në SHBA, por deri tani pa sukses. Tani, me asnjë blerës të mundshëm, mundësia e fundit për të ndaluar ndalimin është përmes Gjykatës së Lartë të SHBA-së.
Ndërkohë që Gjykata e Lartë ka refuzuar më parë kërkesën për një urdhër emergjent kundër ligjit, ajo ka pranuar të lejojë TikTok, ByteDance dhe qeverinë amerikane të paraqesin argumentet e tyre më 10 janar, vetëm disa ditë para se ndalimi të hyjë në fuqi.
Departamenti i Drejtësisë i SHBA-së ka argumentuar se lidhjet e dyshuara kineze me TikTok përbëjnë një kërcënim për sigurinë kombëtare, dhe disa shtete kanë ngritur shqetësime mbi këtë aplikacion popullor social.
Trump ka deklaruar publikisht se është kundër ndalimit të TikTok-ut, megjithëse gjatë mandatit të tij të parë si president ka mbështetur një ndalim të tillë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.