Politike

Mbyllja e shkollave për tre ditë, PD: Qeveria dështoi me ngrohjen

Deputetja e PD-së, Merita Bakiu ka kundërshtuar vendimin  e Ministrisë së Arsimit për të mbyllur shkollat tre ditët e javës që vjen për shkak të ftohjes.   

“Të hënën, të martën dhe të mërkurën qeveria ka lajmëruar së do të jetë ftohtë dhe me ketë rast ka mbyllur shkollat nga veriu në Jug. Partia Demokratike gjykon se kjo nuk është një masë që u shërben fëmijëve.

Mbyllja e shkollave për shkak se në dimër bën ftohtë, është një dështim i jashtëzakonshëm i qeverisë së Edi Ramës me arsimin.  Në 8 vjet, jo vetëm që nuk ka bërë asnjë hap përpara për të rritur cilësinë në arsim, por qeveria e Edi Ramës nuk ka siguruar as kushtet minimale për ngrohje në shkolla.

Të njëjtën situatë e kemi denoncuar edhe vjet, edhe para dy vitesh, por siç shihet nuk ka ndryshuar asgjë. Masa e vetme për fëmijët është mbyllja e shkollave më vend të krijimit të kushteve normale për të mësuar edhe në dimër.

Prindërit dhe nxënësit në Bashkinë e Tiranës pyesin çfarë u bë me 35 milionë euro që Erion Veliaj mblodhi 6 vitet e fundit si taksë lër infrastrukturën në arsim? A siguroi ai ngrohje në shkollat e kryeqytetit? Fakti që shkolla po mbyllet 3 ditë me radhë se do të bëka disi ftohtë në kulmin e dimrit, tregon që 35 milionë eurot e mbledhura nga taksa ekskluzive për arsimin nuk shkuan për të ndërtuar një sistem funksional për ngrohjen e shkollave…”, tha Bakiu


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë