Gazeta Si - Ish kryeministri Sali Berisha dhe dhëndri i tij Jamarbër Malltezi, do të paraqiten të mërkurën (25 shtator) në SPAK, ku prokurorët e posaçëm do t’i komunikojnë zyrtarisht mbylljen e hetimeve për dosjen “Partizani”.
Për këtë aferë, SPAK ka marrë të pandehur pesë persona, të cilëve iu komunikuan akuzat më 11 shtator dhe janë ftuar të paraqiten në prokurori për të firmosur mbylljen e hetimeve këtë të mërkurë, para se çështja t’i dërgohet GJKKO-së për proces.
Në 11 shtator, SPAK i komunikoi Berishës akuzën “korrupsion pasiv”, ndërsa dhëndrit të tij, Jamarbër Malltezi “korrupsion pasiv dhe pastrim parash”.
Një ditë me vonë, në dyert e SPAK u thirr edhe biznesmeni Fatmir Bektashi, të cilit iu komunikua akuza “korrupsion aktiv” dhe “pastrim parash”.
Akuza e “pastrimit të parave” iu komunikua edhe Xhimi Begejas, si dhe financieres, Andia Pustina, ortakë dhe lidhje në veprimtari procedurash me Malltezin.
Këta persona, janë të dyshuar në lidhje me privatizimin e ish kompleksit “Partizani”. Avokatët do kenë afat 10 ditë për të kundërshtuar provat e prokurorisë.
Kreu i Partisë Demokratike prej 8 muajsh e gjysmë në masën e sigurisë “arrest shtëpie” të vendosur nga Gjykata e Posaçme pas kërkesës së SPAK, pasi akuzohet se ka ndërmarrë veprime konkrete në miratim ligjesh dhe aktesh nënligjore për të favorizuar dhëndrin e tij Jamarbër Malltezi, një ndër pronarët e truallit ku shtrihej kompleksi sportiv, mbi të cilin ndërtoi më pas 19 kulla.
Vjeshtën e viti 2023, Gjykata e Posaçme shpalli tre masa sigurie, duke vendosur detyrim paraqitje ndaj ish-kryeministrit Berisha, i cili nuk u paraqit për t’u njohur me masën, kurse dhëndri i tij nga “arrest me burg”, përfundoi nën “arrest shtëpie”.
SPAK thotë se Jamarbër Malltezi është përfshirë në korrupsion dhe ka përfituar 5.4 milionë euro, gjatë këtyre procedurave, i favorizuar nga ish-kryeministri Sali Berisha.
Hetimet për këtë çështje nisën katër vite më parë, pas kallëzimit të depozituar nga deputeti socialist Taulant Balla.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.