Bledar Hoti - Pas disa dështimeve, Shqipërisë pritet t’i pranohet kandidatura për anëtar të Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut.
Asambleja Parlamentare e Këshillit të Europës pritet të martën Darian Pavlin si kandidatin më të kualifikuar, nga 3 emrat e të tjerë të paraqitur nga Qeveria. Më 24 korrik, në një njoftim për shtyp, Këshilli i Ministrave bëri të ditur se i kishte paraqitur zyrtarisht tre emrat e Mariana Seminit, Sokol Berberit dhe Darian Pavlit për të zëvendësuar Ledio Biankun, anëtarit që i kishte përfunduar mandati prej kohësh në Gjykatën e Strasburgut.
Në axhendën e punimeve të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës (KiE-s) bëhet e ditur se Komiteti për Çështjet Ligjore ka marrë në intervistë më 28 shtator të tre kandidatët e paraqitur zyrtarisht nga qeveria dhe se i rekomandonin AP-së, me një shumicë dërrmuese, Darian Pavlin si kandidatin më të kualifikuar.
Që nga 1 shkurti i vitit 2008, Shqipëria përfaqësohet në Gjykatën e Strasburgut nga Ledio Bianku. Mandati në këtë Gjykatë është 9 -vjeçar.
Prej më se një viti qeveria kishte nisur procesin e zëvendësimit të anëtarit në këtë Gjykatë, duke dërguar kandidatët e saj, së bashku me CV-në përkatëse.
Ky zëvendësim i anëtarit të Gjykatës së Strasburgut ka qenë një proces tejet i vështirë dhe me procedura komplekse. Tre herë Qeveria ka paraqitur lista kandidatësh, për shkak se ato u refuzuan nga KiE.
Pikante është se në të tre rastet emri i ish anëtarit të Gjykatës Kushtetuese, Sokol Berberi ka qenë i përfshirë si kandidat, kështu në listën e paraqitur më 8 mars të vitit 2017, në listën e 20 prillit dhe të 24 korrikut të vitit 2018.
Përfshirja e emrit të Berberit shkaktoi reagime të opozitës, pasi ish-gjyqtari është kunati i ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj.
Ish-kryeministri Sali Berisha në një postim në Facebook, shkruan se “në një akt të paprecedent në historinë e Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut, Edi Rama dhe Sekretari i Përgjithshem i mafies Don Agaçio nisin për gjykatës nga Narkoshteti i Shqipërisë, në krye të listës për të tretën herë, pra pasi është refuzuar dy herë të tjera, kunatollin e familjes mafioze Xhafaj, famozin Sokol Berberi”.
Komiteti për dy herët e para i kthyer listën qeverisë për të riparaqitur kandidatë të rinj.
Lista më e fundit ishte ajo e Aurela Anastasi, Sokol Berberi dhe Aleksandër Muskaj, që u kthyen pasi nuk përmbushin kualifikimet e nevojshme për t’u zgjedhur gjyqtarë. Po pavarësisht kësaj Qeveria riparaqiti sërish emrin e Berberit.
Për herë të parë Komiteti i ka paraqitur vetëm një kandidaturë të vetme për të votuar në Asamblenë Parlamentare të KiE-s.
Aleksandër Biberaj, ish-deputet i PD-së, i cili ka qenë anëtar i Asamblesë si përfaqësues i KiE-s, shprehet për gazetën SI se si praktikë janë paraqitur tre kandidatë për votim nga anëtarët AP-së.
Asambleja, e përbërë nga 324 parlamentarë, voton kandidatët në një votim të fshehtë, të mbajtur gjatë seancave plenare, bazuar në rekomandimet e Komitetit. Një shumicë absolute e votave është e nevojshme në raundin e parë. Nëse kjo nuk arrihet, zhvillohet raundi i dytë dhe kandidati me më shumë vota zgjidhet në mënyrë të rregullt për të shërbyer në Gjykatë për një mandat të vetëm, 9-vjeçar.
Në këtë Asamble bëjnë pjesë edhe përfaqësues nga Parlamenti shqiptar, si Oerd Bylkbashi, Tritan Shehu i PD-së, Petrit Vasili i LSI-së, Eduard Shalsi i PS-së.
Kush është Darian Pavli
Pavli ka lindur në vitin 1975 në Vlorë dhe ka master të dyfishtë në ligj kushtetues dhe krahasues nga Universiteti Qendror Europian (Hungari) dhe ligjin e shërbimit publik nga Shkolla e Ligjit e Universitetit të Nju Jorkut (SHBA).
Kandidati i përzgjedhur nga Komiteti si më i kualifikuari, Pavli është jurist me 15 vjet përvojë në dizenjimin, koordinimin dhe zbatimin e aktiviteteve që promovojnë mbrojtjen e të drejtave të njeriut në Nju-Jork, Tiranë, Open Society Justice Initiative (SOROS) , Human Rights Watch. Ai ka qenë i përfshirë rajonin e Këshillit të Europës, aktualisht ekspert ligjor pranë EURALIUS V.
Pavli ka qenë i angazhuar edhe në procesin e Reformës në Drejtësi ku ka shërbyer si këshilltar i Komisionit të Posaçëm Parlamentar i Reformës në Drejtësi. Si mbrojtës i të drejtave të njeriut ai ka qenë përfaqësues të disa çështjeve në GJEDNJ, e njohur ndryshe si Gjykata e Strasburgut.
Strasburgu dhe audio përgjimi
Pak kohë më parë Shqipëria u përfshi në një debat në lidhje me një audiopërgjim, në të cilën u publikua nga media, mes anëtarin të Gjykatës së Strasburgut, Ledio Bianku dhe nënkryetarit të KQZ-së, Denar Biba. Në qershor 2014, gjatë qëndrimit të tij aty për të marrë pjesë në një takim zyrtar të qeverisë shqiptare me Presidentin e GJEDNJ-një Presidenti Dean Spielmann.
Edhe pse Biba është një zyrtar i një institucioni shtetëror të pavarur, ai konfirmoi se u takua me Biankun për të diskutuar çështje që kanë të bëjnë me GJEDNJ-në për pronat, por mohon ta ketë shantazhuar atë. Opozita kërkoi nisjen e menjëhershme të hetimeve për të audiopërgjim të publikuar. Prokuroria ka nisur një hetim për këtë çështje, duke thirrur për të dëshmuar si Biankun dhe Bibën.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.